Ismail Kadare është një ndër personalitet qendrore të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Ai lindi në Gjirokastër, ku kreu arsimin e mesëm. Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës e më pas vazhdoi studimet për dy vjet në Institutin “Gorki” në Moskë. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi: “Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj.

Në fushën e prozës, Kadareja lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.

“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “ Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.

Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Ne vitin 1994 ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Laureati I shumë çmimeve, në 2005-ën, u nderua me “The Booker Prize Man”.

Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me çmime e nderime të tjera.

Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, u nda nga jeta më 01 Korrik 2024