Crane me profesion është ekonomist mjedisor me mbi 30 vite përvojë pune ndërkombëtare në balancimin e zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e mjedisit. Ai është vendosur në Prizren, pasi ka pranuar ftesën që të punojë në Parkun Kombëtar “Sharri”, për shkak të njohurive të tij në menaxhimin e zonave të mbrojtura mjedisore.

Si pjesë e këtij angazhimi vullnetari amerikan ka marrë përsipër avokimin për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të financimit për Parkun Kombëtar “Sharri”, raporton Telegrafi.
Aty thuhet se 70% e furnizimit total të ujit për rajonin e jugut të Kosovës vjen nga burime të pastra brenda këtij Parku, ndërsa 30% e mbetur nga zonat e tij mbrojtëse.
“Nga uji i pastër i Sharrit përfitojnë qindra mijëra njerëz, duke kursyer miliona euro në kosto të shmangura të trajtimit”, thuhet në hulumtimin e tij.
Tutje theksohet se Parku aktualisht gjeneron 171 milionë euro në aktivitet ekonomik çdo vit dhe mbështet mijëra vende pune rurale në bujqësi, turizëm dhe zanate tradicionale.
“Por e gjithë kjo po humbet për shkak të prerjeve ilegale të pyjeve, ndërtimeve të paligjshme dhe qasjes së paautorizuar me mjete motorike. Rojet e parkut janë të pafuqishëm për të parandaluar erozionin, dëmtimin e sistemit publik të ujit dhe mbeturinat e paligjshme që shkatërrojnë bukurinë e natyrës. Këto kërcënime po shkaktojnë më shumë zjarre pyjore, rrëshqitje të dheut dhe ndotje të ujit. Raporti i Gjelbër i Kosovës dokumenton mbi 9,000 raste gjyqësore të prerjeve ilegale të pyjeve në katër vitet e fundit, duke përfshirë 43,700 metra kub dru të vjedhur me një vlerë të vlerësuar prej 3.5 milionë eurosh”.
Sipas të dhënave që ka grumbulluar Crane nga burime të ndryshme thuhet se pesë roje pyjore janë vrarë duke mbrojtur këto pyje, dhe se çdo vit 5 deri në 10 të tjerë sulmohen.
“Në fakt, humbja nuk është një mister. Ajo ndodh sepse Parku ka staf të pamjaftueshëm dhe financim të kufizuar. Sipas standardeve ndërkombëtare, një park i kësaj madhësie do të duhej të kishte 21 roje dhe 41 punonjës. Sot, Parku Kombëtar ‘Sharri’ operon vetëm me 8 roje dhe 10 punonjës. Nëse do të kishte një buxhet mesatar për një park të kësaj madhësie, ai do të ishte midis 1.1 dhe 1.6 milionë eurosh”, thuhet në analizë.
Michael Crane ka shpjeguar se vitin e shkuar, Parku ka marrë nga Qeveria e Kosovës buxhetin prej 348,000 eurove për operacionet vjetore, duke krijuar një hendek financiar prej rreth 1 milion eurosh.
“Në të njëjtin vit, të ardhurat e Parkut nga tarifat dhe lejet ishin vetëm 48,000 euro. Për shkak të humbjeve të tij prej 300,000 euro, qeveria nuk ka asnjë stimul për të rritur buxhetin e parkut, duke e futur mbrojtjen mjedisore në një cikël negativ financiar”, ka analizuar ai, raporton Telegrafi.
Sipas vullnetarit amerikan, në vend që qeveria të japë 348,000 euro për Parkun dhe të marrë shërbime nën standardin e duhur, ai mund të gjenerojë të gjitha të ardhurat që i duhen për mbrojtjen e mjedisit dhe ende të kontribuojë 348,000 euro në buxhetin kombëtar.
Për këto arsye ka propozuar një zgjidhje inovative për këtë çështje, që do të mbulonte hendekun e financimit të Parkut dhe do të mundësonte menaxhimin e tij sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
“Projekti i propozuar parasheh krijimin e një sistemi të shtigjeve malore me strehimore të lidhura në të gjithë parkun. Akomodimet tradicionale gjatë gjithë vitit në zemër të Parkut Kombëtar Sharri do të mirëpresin alpinistët, skiatorët, ngjitësit dhe dashamirët e natyrës. Projekti bazohet në përdorimet tradicionale të parkut dhe përpjekjet e mëparshme. Disa strehimore malore ekzistuese mund të rinovohen, ndërsa të reja mund të ndërtohen për përdorim gjatë gjithë vitit. Komuniteti i pasionuar i klubeve të alpinistëve, vullnetarëve të shpëtimit malor, udhërrëfyesve të pavarur dhe liderëve lokalë do të përfshihet në projekt”, ka thënë Crane për Telegrafin.

Sipas tij, rinovimi dhe ndërtimi i strehimoreve do të ofronte përfitime të shumta, ku komuniteti i entuziastëve të natyrës do të shërbenin si roje vullnetare dhe kujdestarë të strehimoreve, banorët lokalë nuk do të tarifoheshin për qëndrimin në to, duke u dhënë stimuj ekonomikë për të ndihmuar në mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e Parkut, pastaj ofruesit lokalë të turizmit do të përfitonin nga rritja e tregut, duke i shtyrë drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve turistike.
“Kjo qasje ekonomike e inkurajon komunitetin lokal të mbrojë parkun dhe të ndalojë dëmtimin e mjedisit nga fqinjët e tyre. Në fund, komuniteti do të ndihmojë rojet e parkut me zbatimin e rregullave dhe vizitorët do të sigurojnë të ardhura shtesë për Parkun”, ka deklaruar ai për Telegrafin.
Studimet e fundit, sipas Crane, tregojnë se Parku ka potencial për të gjeneruar të ardhura. Ai ka sqaruar se si një skemë e re tarifash e miratuar nga Ministria në vitin 2022 ka treguar se administrimi i këtyre tarifave mund të sigurojë një kthim pozitiv deri në 500,000 euro në vit dhe të mundësojë punësimin e 20 deri në 30 rojeve të reja.
“Analiza nuk ka përfshirë të ardhurat nga ky projekt, por kur kombinohet me të, parku mund të gjenerojë midis 1 dhe 2 milionë euro në vit, mjaftueshëm për të mbuluar hendekun e tij financiar dhe për të kthyer një tepricë në buxhetin kombëtar”, ka thënë Crane.Ai ka pohuar se për ta bërë realitet këtë projekt, janë të nevojshëm dy hapa.
“Lidershipi politik, pra Qeveria e Kosovës duhet të drejtojë projektin dhe të aktivizojë ligjet si Ligji për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ligji për Partneritetin Publiko-Privat. Dhe financimi fillestar, pasi janë të nevojshme rreth 250,000 euro për investimet fillestare dhe krijimin e strukturës organizative”, është shprehur eksperti amerikan, raporton Telegrafi.
Madje është i bindur se ekosistemi i Malit të Sharrit ka nevojë dhe meriton një sistem të dedikuar financimi për ta mbrojtur. Crane pohon se nëse nuk ndodh kjo, Parku ka shumë për të humbur.
“Shumë biznese mbështeten në markën “Sharri” për të promovuar një imazh të pastër dhe të shëndetshëm. Ekonomia ka nevojë për këtë ekosistem, dhe ekosistemi ka nevojë për ekonominë. Më e rëndësishmja, bukuria madhështore e këtyre maleve mban shpirtin e Kosovës dhe humbja e tyre do të ishte një katastrofë kombëtare. Malet e Sharrit mund ti mbrojmë duke i lejuar ato që ta mbrojnë veten”, ka përfunduar Crane.
Për ta jetësuar këtë ide bashkë me punonjësit vendorë të Drejtorisë së Parkut Kombëtar “Sharri”, ai po bën përpjekje për ti bindur vendimmarrësit për ti ndërmarrë hapat e duhur në këtë drejtim. Se a do të kenë sukses, këtë vetëm koha do ta tregoj, pasi deri më tani në praktikë menaxhimi i qëndrueshëm mjedisor nuk ka qenë prioritet i institucioneve vendimmarrëse të Kosovës. /Telegrafi/