Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, ka reaguar pas konfirmimit të nisjes së hetimeve për shkelje ligjore dhe procedurale në fushën e ndërtimit në Komunën e Prizrenit. Objekt i hetimeve është ndërtimi i një objekti në pronësi të vëllait të shefit të kabinetit të kryetarit të komunës, Nehat Elshani.
Kliko videon: https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/10046792598768386
Në një komunikatë për media, VV tregon se hetimet e nisura janë rezultat i kallëzimeve të mëhershme penale nga këshilltarët e saj komunalë dhe i raportimeve mediatike.
“Fakti që Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar tashmë nisjen e hetimeve, është një dëshmi e qartë për seriozitetin dhe përkushtimin e Grupit tonë të Kuvendarëve në luftën kundër keqpërdorimeve dhe korrupsionit”, thuhet në reagim.
VV rikujton se kallëzimi penal është bërë për disa zyrtarë komunalë pas publikimit të fakteve nga emisioni investigativ “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tyre, presioni është ushtruar mbi zyrtarët e urbanizmit nga vetë kryetari i komunës, Shaqir Totaj, dhe shefi i tij i kabinetit.
“Të dhënat e raportuara nga mediat, përfshirë rastet e prezantuara në emisionin ‘Betimi për Drejtësi’, dëshmojnë për një presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të urbanizmit nga ana e kryetarit të komunës, z. Shaqir Totaj, dhe shefit të tij të kabinetit”.
VV kërkon nga organet e hetuesisë që hetimet të zgjerojnë fokusin edhe te veprimet e dyshuara të Totajt dhe Elshanit.
“Sipas raportimeve, ndikimi i tyre konkret është ushtruar ndaj një zyrtareje të urbanizmit në lidhje me lejen ndërtimore të objektit të përmendur”.
“Lëvizja shpreh shqetësim të thellë për “degradimin urban” në Prizren, të cilin e lidh me qeverisjen aktuale të PDK-së dhe nepotizmin e rritur”.
“Premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore janë braktisur, ndërsa është thelluar nepotizmi dhe favorizimi i një rrethi të ngushtë të lidhur me njerëz të fortë të PDK-së”.
Duke e konsideruar rastin e publikuar vetëm si “maja e ajsbergut”, VV pohon se në Komunën e Prizrenit ekziston një sistem i tërë i keqpërdorimeve me leje ndërtimore, që po e dëmton rëndë karakterin urbanistik të qytetit.
VV i bën thirrje drejtësisë që të veprojë pa kompromis.
“I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të ndërmarrin një hetim të gjithanshëm, të pavarur dhe profesional ndaj të gjithë personave të përfshirë, pa përjashtuar edhe z. Totaj dhe z. Elshani”./PrizrenPress.com
Marketing