Gjithmonë kam dyshuar në fjalën art. Sapo fillon të mendohesh se jeni person i veçantë, që thith oksigjen të veçantë, atëherë kjo do të thotë se jeni në telashe të mëdha. Kjo është rruga drejt marrosjes. E dini që, vdekja është shpëtimtari i çdo gjëje, që më në fund merr çdo gjë, dhe duke e ditur këtë, jeta bëhet më mirë. Këto janë fjalët e aktorit tashmë të ndjerë, Anthony Hopkins.
z.Hopkins, disa herë keni thënë që gjërat që i keni përjetuar në jetën tuaj ngjajnë me një ëndërr. A keni pasur në jetën tuaj ndonjë moment ku është dukur se gjërat janë ndryshe nga realiteti?
Anthony Hopkins:Pjesa më e madhe e 30 viteve të fundit, ka qenë ashtu. Ishte si rezultat dhe manifestim rreth gjërave që kam ëndërruar si fëmijë dhe si i ri. Para 30 viteve e kam kuptuar, dhe mendoja,” kjo është joreale. Ka ndodhur pikërisht sikurse e prisja, sikur e imagjinoja.” E gjithë jeta ime ka qenë e tillë dhe jam i magjepsur nga fuqia që kemi të gjithë ne. Ne e krijojmë jetën tonë, si duam ne.
A mendoni se aktorët dhe kineastët kanë një jetë më të plotësuar dhe më të fuqishme përbrenda? Njerëzit shpesh thonë që aktorët janë më emocionalë, më të ndjeshëm.
Anthony Hopkins:Epo, unë gjithmonë kam dyshuar në fjalën art, edhe kur kjo aplikohet në të vepruar. Gjithmonë kam dashur të jem aktor me këmbët në tokë, që nuk beson në pompozitetin e aktrimit, prandaj unë prirem që të jem pak më cinik. Por, unë mendoj se është një proces krijues dhe aktrimi, sikur muzika dhe regjia që janë procese krijuese. Mendoj se njerëzit krijues – këtu fus edhe vetën si person krijues, që mund të jetë një piktor, muzikant…– mendoj se nëse merreni me një profesion krijues, apo me një biznes krijues, atëherë ndërgjegjja do ju rritet. Por, kjo nuk është se ju bën të veçantë.
Shumë aktorë sillen sikurse janë…
Anthony Hopkins:Duhet bërë kujdes, sepse sapo fillon të mendohesh se jeni person i veçantë, që thith oksigjen të veçantë, atëherë kjo do të thotë se jeni në telashe të mëdha. Kjo është rruga drejt marrosjes. Dhe shumë njerëz që punojnë nëpër studio kinematografike janë të tillë. Besojnë se janë të veçantë, ndërsa unë mendoj se aktorët janë të bekuar, ose të mallkuar, me një ndërgjegjësim më të madh, të cilin duhet ta vënë në jetë. Kjo është e tëra. Nuk do të thotë që dikush është më superior, ose më i mirë se kushdo tjetër, vetëm pse mendon ndryshe.
Në të kaluarën a ka pasur ndonjë regjisor që ju ka frymëzuar?
Anthony Hopkins:Ka pasur shumë nga ata, dhe që të gjithë kanë pasur mënyrën e vet origjinale të punës. Kam punuar me Oliver Stone, Spielberg, e të tjerë. Kam punuar me më të mirët, prandaj mendoj se kam qenë me fat. Kur unë bëj një film, atëherë përpiqem të mbaj punën time unike. Natyrisht, që tjerët kanë ndikuar në mua. Oliver Stone është regjisor i madh. Gjatë viteve kam parë shumë filma, por unë përpiqem të krijoj gjëra jashtë imagjinatës sime. Dua të thyej rregulla dhe të bëj rrëmujë.
A ka ju ka ndihmuar aktrimi që të mos plakeni?
Anthony Hopkins:Dukem i ri?! Është gjë e ndjeshme të jeni krijues dhe të mbani mendjen gjithmonë të zënë, sepse nëse nuk e bëni, atëherë, ngadalë do vdisni. Edhe pse ndjehem i lodhur dhe shpesh herë mendoj të heq dorë, nuk dua të dal në pension. Nuk dua, sepse unë gëzohem me çdo gjë dhe kështu dua të jem deri në momentin kur nuk mundem më. Kjo është ajo që kam dëshirë ta bëj.
A jeni ende i fiksuar pas aktrimit?
Anthony Hopkins:Kam qenë, por nuk jam më. Gjithmonë më ka pëlqyer aktrimi, por ndoshta tani më pëlqen më shumë sepse më duket më i lehtë. Në teatër nuk mund të punoj, sepse është shumë serioz për mua. Më ngjan sikur të jesh në burg. I admiroj njerëzit që kanë fuqi ta bëjnë atë punë, por unë nuk e bëj dot. Më parë do e vazhdoja jetën duke aktruar nga pak.
Si është jeta juaj këto ditë?
Anthony Hopkins:Luaj piano dhe kjo është dashuria ime. Lexoj, pikturoj, kompozoj…kam një jetë të plotë krijuese. Dhe kjo nuk është se unë jam ifiksuar pas krijimit, por më pëlqen të pikturojë. Nuk e di nëse jam i zoti në pikturë, por vazhdoj e pikturoj. Pikturoj shumë shpejt. Pikturoj në akrilik dhe kjo do shumë punë, pastaj shkruaj dhe kompozoj muzikë, luaj piano dhe lexoj shumë. Kam lexuar gjatë gjithë jetës sime. Pra, aktrimi thjesht më plotëson.
Ngjan sikur jeni në harmoni me vetën…
Anthony Hopkins:Do të dëshiroja, që gjërat që i di sot, t’i kisha ditur kur kam qenë i ri, të ndjehesha si ndjehem sot, me një lloj qetësie në shpirtin tim. Në rini ndjehesh më dinamik dhe çdo gjë ka rëndësi, por kur ktheheni pas dhe shikoni, mendoni ‘oh, po për çfarë ia vlente e gjithë ajo?’ Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa vet jeta, prandaj ia vlen që secili ta jetojë jetën e vet, sepse këtu jemi për një kohë të shkurtër.
A do të thotë kjo që juve po ju pëlqen pleqëria?
Anthony Hopkins:Do thosha që po. Mbahem mirë.Shikohem në pasqyrë, i shoh rrudhat, por nuk mërzitem fort. Është periudhë e lezetshme. Nuk e di pse më ngjan e tillë, por e di që ndjehem ashtu. E dini që, vdekja është shpëtimtari i çdo gjëje, që më në fund merr çdo gjë, dhe duke e ditur këtë, jeta bëhet më mirë. Lexoni Karl Jungin. Ajo që e bën jetën të vlefshme është se askush nga ne nuk e di se deri ku e kemi cakun.
A keni arritur çdo gjë që keni dashur të arrini?
Anthony Hopkins:Përtej çdo gjëje. Kam qenë me shumë fat. Në të kaluarën kam pasur problemet e mia, por kam vazhduar tutje. Kam pasur një jetë shumë të mirë dhe për këtë jam shumë mirënjohës. the-talks