Restaurimi i xhamive të dëmtuara gjatë regjimit komunist dhe që i përkasin trashëgimisë osmane në Shqipëri, tashme nuk realizohet vetëm nga institucionet e ndryshme, por edhe nga vetë besimtarët. E një ndër këta shembuj është Xhamia Mbret në qytetin e Elbasanit. Minarja e saj dhe elementë të tjerë janë riokonstruktuar falë kontributit të besimtarëve të qytetit të Elbasanit dhe në veçanti të besimtarëve që frekuentojnë më shumë këtë objekt kulti, që ka edhe statusin e monumentit të kulturës.
Xhamia Mbret është njëra nga objektet e kultit të fesë myslimane më të hershme të Shqipërisë dhe që ruhet në formën e saj të ndërtimit dhe ndodhet brenda kalasë së Elbasanit në distancë më të afërt me portën kryesore të hyrjes në kala, në qendër të qytetit. Kjo xhami është ndërtuar rreh vitit 1492 nga Sulltan Bajaziti.
Anadolu Agency (AA) ka vëzhguar nga afër këtë xhami, e cila ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit, ku edhe ka marrë prononcimet e imamit të saj, Gëzim Karaj, si dhe koordinuesit të punimeve për restaurimin e Xhamisë Mbret, Enver Samuri.
Gëzim Karaj, imami i kësaj xhamie tregon se ky objekt kulti është ndërtuar rreth vitit 1492 nga Sulltan Bajaziti dhe ka vazhduar normal aktivitetin deri në kohën e komunizmit. Pasi u prishën shumë objekte kulti gjatë komunizmit, u dëmtua edhe Xhamia Mbret, por u dëmtua vetëm minarja e saj, ndërsa pjesa e mbetur ka pasur funksione të ndryshme.
“Pas shembjes së komunizmit u kthye në identitet dhe për momentin është një nga xhamitë më të rëndësishme të qytetit, sepse është edhe në qendër të qytetit dhe shërben si një gjurmë historike për fenë dhe besimin tonë. Ka pasur kontribute, por kohët e fundit është investuar më shumë edhe nga pjesa e xhematit, duke u lajmëruar njerëzit, qoftë pjesa e xhematit, qoftë tregtarët e qytetit, ato që punojnë jashtë Shqipërisë që janë qytetarë Elbasan. Me këto kontribute kemi bërë një lloj restaurimi, por jo të plotë, pasi akoma ka nevojë për më shumë kontribut. Ideja për restaurimin qoftë të minares qoftë pjesës tjetër është po i xhematit tonë. Në momentin që u ndërtua minarja pati urime nga qytetarët për besimtarët”- tregon për AA imami Karaj.
Karaj deklaron se momentalisht janë 7 xhami në Elbasan, nga 28 xhami që kanë qenë dikur, por sipas tij ka nevojë edhe për më tepër, pasi ka fluks të madh besimtarësh.
Koordinuesi i punimeve për restaurimin e Xhamisë Mbret, Enver Samuri, tregon se rindërtimi i minares filloi në vitin 2012 dhe brenda një viti i rindërtua.
“Ky ndërtim u realizua nga kontributi i besimtarëve myslimane të qytetit, por më shumë të besimtarëve që frekuentojnë këtë xhami. Dëshira ishte e madhe që ne gjatë punimeve të ruanim identitetin e saj, elementët që kanë qenë që para prishjes në vitin 1967 dhe pas konsultimeve edhe me specialistët edhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës u realizua një punë e madhe. Materiali për restaurimin ishte i njëjtë për të ruajtur identitetin e saj të më parshim. Kjo xhami i ka të ndërthura të gjitha brenda, si identitetin, pikturën, skulpturën, dhe elementë të tjerë që i donte ky objekt kulti”- deklaron ndër të tjera drejtuesi i punimeve për restaurimin e Xhamisë Mbret në Elbasan.
Enver Samuri pohon se restaurimi i xhamisë me kontributin e besimtarëve ka shumë domethënie, për shumë arsye, pasi sipas tij së pari ato e kanë frekuentuar në shekuj, duke vlerësuar se është një kulturë që iu përket të gjithëve. Samuri vlerëson se ka edhe një simbolikë pasi është afër objekteve të kultit të besimeve të tjera fetare, duke pasur shumë pranë Kishën Katolike dhe atë Ortodokse./KultPlus.com/