19.2 C
Prizren
E martë, 29 Prill, 2025

Poezia duhet të shërbejë si diplomaci kulturore

Në gjuhën shqipe, frënge, italiane, angleze e serbe janë lexuar dhjetë poezitë e kaligrafuara nga skulptori Besim Pllana, e që janë ekspozuar në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së. Poezitë janë lexuar nga aktorët Anisa Ismajli dhe Beslim Muçaj, ndërsa poetët pjesëmarrës si Fahredin Shehu, Vjosa Maqedonci-Osmani dhe Myrvete Demiri kanë lexuar nga një poezi autoriale. Me këtë aktivitet ka nisur java kushtuar librit. Në mesin e dhjetë poezive të kaligrafuara është ekspozuar edhe ajo e Ali Podrimjes, Jacques Prévert, Azem Shkrelit, Walt Whitman-it e Maya Angelu.

Përzgjedhjen e poezive të kaligrafuara e ka bërë poetja Ilire Zajmi, e cila ka thënë se përzgjedhja e poezive nuk ka qenë një detyrë aspak e lehtë për të. Sipas saj, të përzgjedhësh 10 poezi që janë thesarë i letërsisë botërore natyrisht që është diçka shumë e vështirë. “Është dashur të respektohen disa kritere, të zgjidhen në gjuhën shqipe, serbe, turke, angleze, frënge, e italiane, mirëpo si përzgjedhëse e tyre jam munduar që të përcaktohem për majat e poezisë si asaj kosovare, ashtu edhe asaj botërore”, ka thënë Zajmi.

Violeta Hyseni Kelmendi, nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, derisa ka folur për aktivitet që do të zhvillohet për nder të Ditës së Librit ka thënë se kanë menduar që të mos bëjnë aktivitete vetëm më 23 prill, mos të shënojnë këtë ditë vetëm në një datë të caktuar, por gjatë gjithë javës të bëjmë aktivitete, të cilat promovojnë leximin, shkrimin dhe botimin e librave, poezive apo materialeve të tjera.

“Të martën dhe të mërkurën do të kemi një punëtori me fëmijë të shkollave fillore, të cilët do të trajnohen sesi të shkruajnë tregime të shkurtra dhe tregimet e tyre pastaj do të publikohen në një libër, të cilin ne do ta shpërndajmë falas për Ditën e Evropës”, ka thënë Hyseni Kelmendi, e cila ka treguar se i njëjti aktivitet do të zhvillohet edhe në Qendrën Informative Kulturore të Bashkimit Evropian në veri të Mitrovicës. “Një aktivitet tjetër, i cili do të organizohet të mërkurën ka për qëllim që të bëjë në njëfarë forme krahasimin mes librave elektronike dhe librave tradicionale”, ka thënë Violeta Hyseni Kelmendi, derisa ka treguar se aktivitetet do të mbyllen të premten me diskutimin për përkthimet letrare si diplomaci kulturore. Ajo ka thënë se librat janë shumë të rëndësishëm për të promovuar kulturën e kosovare edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Ilire Zajmi, poete e cila njëherësh ka bërë përzgjedhjen e poezive të cilat janë ekspozuar, ka thënë se poezia nuk vlerësohet shumë dhe ky është një fakt që dihet botërisht, megjithëse, sipas saj, kohëve të fundit është bërë një kthim kah poezia, kah interesim sidomos nga ana e të rinjve, por megjithatë kujtoj se vlerësimet ende mungojnë. “Mungojnë vlerësime nga ana e kritikës, nga ana e vet letrarëve dhe ajo që është pak më kritike, që unë e llogaris, është se mungon leximi nga ana e poetëve. Ne vetë nuk i lexojmë poetët e tjetër. Ky është një defekt shumë i madh”, ka thënë Zajmi, teksa ka shtuar se niveli i poezisë është i mirë, është poezi bashkëkohore, moderne, e cila mund të krahasohet edhe me poezinë evropiane edhe me poezinë që kultivohet në vendet e tjera të botës. “Kur ka aktivitete si këto, e tërheqin vëmendjen kah arti, kah poezia, mirëpo ne nuk duhet të lejojmë që si shoqëri të na bie ndërmend për artin vetëm kur është Dita e Librit, 23 prilli, apo kur është Dita e Poezisë, 21 marsi”, është shprehur Ilire Zajmi, e cila është e mendimit se poezia duhet të shërbejë si zë i popullit, si diplomaci kulturore dhe të tregojë nivelin e kulturës sonë, që nuk po ndodh sot. /Zëri/

Më Shumë

ShKShMK njofton për operacion shpëtimi në Malet e Sharrit

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar për një operacion shpëtimi më Malet e Sharrit. ShKSHMK nuk ka dhënë më shumë detaje se për...

Krusha e Madhe ndez flakadanët e kujtesës për 64 të pagjetur – Plaga e Kosovës që ende kullon gjak

Me homazhe, ndezje të flakadanëve dhe vizitë në Muzeun e Masakrës, sonte në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve dhe martirëve në Krushë të Madhe, u...

Lajmet e Fundit