11.1 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Suharekë: Arsimtari rrah nxënësen me grushta dhe shqelma

Trembëdhjetëvjeçarja, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën “Dëshmorët e Kombit” të fshatit Vraniq është rrahur me grushte e shqelma nga arsimtari i saj i historisë Eqrem Buzhala, por këtij mësimdhënësi Drejtoria e Arsimit në Suharekë vetëm ia ka ndërruar vendin e punës.

Nxënësja tregon se si më 24 mars arsimtari ushtroi dhunë fizike ndaj saj në prani të nxënësve tjerë në klasë.

“Mësuesi na ka pru provimet, unë nuk kam qenë e kënaqur me vlerësimin dhe kam kërkuar që të më vlerësojë drejt, pasi kam punuar mirë dhe në këtë moment ka filluar të më ofendojë me fjalë fyese, se ik në vend se t’i nxjerri sytë,” shpjegon e përlotur nxënësja teksa e përlotur përshkruan ditën që ishte rrahur nga arsimtari.

Ajo thotë se ia bëri me dije mësimdhënësit se si nxënëse ka disa të drejta, ndërsa kjo sipas saj e tërboi arsimtarin.

“Pasi që më ofendoi arsimtari, unë i thashë që edhe unë kam të drejta dhe pas kësaj veç kur më ka goditur me shuplaka, grushte dhe për flokë më ka rrëzuar në dysheme, duke më goditur me shkelma në prani të të gjithë nxënësve tjerë të klasës,” thotë nxënësja.

Ajo rrëfen se ka marrë goditje të forta nga arsimtari i historisë.

“Më ka rrahur deri sa jam urinuar, ndërsa kanë ndërhyrë nxënësit tjerë për ta larguar nga unë,” thotë nxënësja.

Por edhe pse kjo dhunë ndodhi më 24 mars, mësuesi sulmues vazhdoi edhe për një javë të japë mësim në këtë shkollë, thuajse nuk kishte ndodhur asgjë, ndërsa nxënësja gjatë kësaj jave mungoi nga frika prej mësimdhënësit.

Nëna e nxënëses së rrahur tregon se shkolla dhe Drejtoria e Arsimit i kërkuan të mos e lajmërojë rastin.

“Atë ditë kanë kërkuar nga unë, si nga shkolla, po ashtu edhe nga Drejtoria e Arsimit që ta heshti rastin pasi mësuesi është para pensionimit, por unë e kam rritur vajzën jetim pa babë dhe nuk mundem me fshehë një skandal të tillë,” tha nëna e nxënëses.

Por drejtoresha e shkollës “Dëshmorët e Kombit” Irmete Basha mohon se rasti i dhunës së arsimtarit ndaj nxënëses u tentua të heshtej.

“Është e vërtetë që mësuesi Eqrem Buzhala e ka rrahur nxënësen dhe menjëherë e kam lajmëruar drejtorin e Arsimit për këtë rast, pasi nxënësja ka qenë në gjendje të keqe psikologjike,” thotë drejtoresha Basha.

Komisioni Disiplinor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë një muaj pas kësaj dhune, pas intervistimit të të gjitha palëve mori vendim që arsimtarit Buzhala t’ia ndërroj vendin e punës.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës Sherif Berisha thotë se kjo komunë reagoi me kohë.

“Është e vërtetë që mësuesi ka ushtruar dhunë ndaj nxënëses dhe ne menjëherë e kemi dërguar në komision disiplinor, duke e marrë masën e ndërrimit të vendit të punës,” thotë drejtori i Arsimit që e arsyeton këtë masë me faktin se mësimdhënësi është para pensionimit.

Arsimtari Eqrem Buzhala për KALLXO.com pranon se rrahu nxënësen, por thotë se nuk e ka sulmuar deri në atë masë, por vetëm ia ka dhënë dy shuplaka.

Sipas Buzhalës kjo punë është bërë e madhe më shumë nga disa fshatarë që dëshirojnë ta largojnë nga shkolla e fshatit, sesa nga familja e vajzës.

Buzhala tregon se është marrë vesh me nënën e nxënëses.

Por kjo nënë nuk është e kënaqur me ndëshkimin që mori mësimdhënësi, pasi sipas saj Buzhala më nuk e ka vendin në asnjë shkollë.

Rasti i dhunës është paraqitur në polici tri ditë pasi ndodhi dhe me urdhër të prokurorit arsimtari është intervistuar.

Edhe disa nxënës të tjerë arsimtarin e historisë Eqrem Buzhala e përshkruan si të dhunshëm dhe agresiv, duke treguar se edhe më parë ka rrahur nxënës, por asnjëherë deri në atë masë si më 24 mars.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk janë përmendur në artikull emrat e vajzës që u rrah nga arsimtari dhe nënës së saj. /Kallxo.com/

Më Shumë

Themelohet Zyra për Ndihmë Juridike Falas në Rahovec

I pari i Komunës, Smajl Latifi, sot mori pjesë në tryezën për themelimin e Zyrës për Ndihmë Juridike Falas në Rahovec, së bashku me...

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Një 25 vjeçar nga fshati Vragoli e Fushë Kosovës, ka humbur jetën dje në vendin e tij të punës në Prizren. Vdekja e tij ka...

Lajmet e Fundit