Deputeti propozon dyfishimin e ndihmës ekonomike, pagesën e librave për fëmijët me prindër të varfër, dyfishimin e pagës minimale dhe uljen e taksimit për shtresën e mesme. “…Kam bërë zgjedhjen time pa asnjë kompromis. Do jem gjithmonë dhe vetëm e vetëm me ata që na sollën në pushtet, por sidomos me ata që kanë më shumë nevojë për ne sot, dhe kjo është shumë e thjeshtë për t’u bërë”
Deputeti socialist, Ben Blushi nuk ka ndërmend të ndalet në kritikat e tij ndaj qeverisjes së koalicionit të majtë. Pavarësisht se me tone më të ulëta se herët e tjera, nga foltorja e Kuvendit në seancën e djeshme plenare ai i është rikthyer edhe një herë debatit mbi pritshmëritë që kishte për Rilindjen dhe rezultateve të qeverisjes së saj në këto 18 muaj. Blushi ka rimarrë sërish çështjen e të pamundurve, duke theksuar se ata nuk janë thjesht të varfër, por siç i ka cilësuar ai, ata janë të mjerë. “Unë besoj sinqerisht, që lufta e të gjitha palëve kundër varfërisë është e pamjaftueshme dhe besoj se ka gjëra që mund të bëhen, jo për të pasuruar të varfërit, por për t’i sjellë në kushte dinjiteti, sepse besoj që nëse sot Shqipëria ka një rrezik dhe ky rrezik nuk është as epidemi, as luftë, as një ushtri e huaj, at turqit, as grekët, as kinezët, rusët apo gjermanët nuk na kërcënojnë sot. Nëse kemi një kërcënim, ky kërcënim na vjen nga varfëria”.
Sipas tij, sot shteti shqiptar i jep një të varfëri ndihmë ekonomike në një vlerë që nuk shkon më shumë se 400 lekë dita për frymë.
“Unë mendoj se kjo është nën kufirin e dinjitetit”, – do të shprehej Blushi ndërsa do të theksonte se shoqëria shqiptare ka mundësi të bëjë më shumë për këtë shtresë. Një nga mënyrat për t’i ardhur në ndihmë kësaj shtrese, sipas tij është edhe ajo që të dyfishohet ndihma ekonomike, nga 50 mijë lekë për familje në 100 mijë lekë. Një tjetër mundësi sesi mund t’i vihet në ndihmë kësaj shtrese sociale, sipas Blushit mund të jetë edhe pagesa e librave për fëmijët e këtyre familjeve, pagesa e ilaçeve, garantimi i ushqimit bazë etj. Një tjetër sugjerim që Blushi i bëri qeverisë dhe që mund të vinte në ndihmë të më të varfërve ishte edhe dyfishimi i pagës minimale. “Nëse ka një emergjencë kombëtare përveç ndihmës ekonomike, është dyfishimi i pagës minimale. Kemi pagën minimale më të varfër në Europë”, – shtoi Blushi. Sipas tij, kjo do të thotë jo vetëm më shumë dinjitet, por edhe më shumë konsum. “Kushdo që do të marrë ndihmë ekonomike dhe pension më të lartë, nga tepricat e këtij buxheti që nuk mblidhet, ai do të konsumojë më shumë. Ekonomia do të përfitojë më shumë”, – u shpreh Blushi.
Sipas Blushit, nuk funksion as logjika e atyre që thonë që edhe paga e ulët e ka një të mirë, pasi ajo do të thotë se në vendin tonë krahu i punës është më i lirë dhe kjo e bën vendin tonë më atraktiv për investitorët e huaj.
“Në dy vjet jemi vendi që kemi thithur më pak investime. Është e domosdoshme, kolegë, që nuk mund të mos jem dakord që paga minimale në Shqipëri minimalisht mund të dyfishohet”, – tha Blushi.
Ai u ka kthyer përgjigje edhe atyre që e kundërshtojnë këtë ide me argumentin se kaq janë mundësitë ekonomike të shtetit, duke theksuar se një nga mënyrat për të gjetur lekët për këtë është pikërisht administrimi më i mirë i të ardhurave dhe resurseve të Shqipërisë. Dhe këtu ai ka sjellë në vëmendje se vetëm për 3-mujorin e parë të këtij viti si pasojë e mosmenaxhimit të mirë të situatës, doganat nuk realizuan të ardhurat në masën e 50 milionë dollarëve.
“Nëse kemi humbur për një muaj 50 milionë dollarë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të abuzimit, për shkak se nuk kemi çuar njerëzit e duhur aty ku mblidhen para, në katër tremujorë janë 200 milionë. Po nëse këto 200 milionë shpërndahen, pra nuk humbin, e dini ju që jo vetëm ndihma ekonomike dyfishohet, edhe pensionet mund të bëhen më të mira, edhe paga minimale mund të rritet”, – tha Blushi.
Por jo vetëm shtresa e varfër ishte në fokus të ligjërimit të djeshëm të Blushit, por edhe shtresa e mesme e shoqërisë. Sipas tij, sot në Shqipëri, falë deformimit që iu bë taksës progresive, më shumë taksohet një punonjës banke sesa një biznesmen, çka sipas tij do të thotë se në vendin tonë më shumë taksohet mendja sesa kapitali.
“Ne nuk mund të shkojmë te modeli i këtyre që taksojnë më shumë atë që punon, sesa atë që bën biznes. E dini ju që, kush fiton 1 mijë euro në Shqipëri taksohet më shumë se ai që fiton 1 milion euro. Ai që fiton 1 mijë euro në Shqipëri, taksohet 23 për qind dhe ai që fiton 1 milion euro, taksohet 15 për qind”, – shtoi Blushi.
Në fund ai u ka kthyer përgjigje edhe të gjithë kundërshtarëve dhe kolegëve brenda gjirit të PS-së, të cilët e akuzojnë se ai nuk ka një alternativë, duke u shprehur se “zgjidhja është vetëm kjo: Të shkojmë dhe të mbështesim ata që kanë nevojë. Unë për vetë e kam bërë zgjedhjen time pa asnjë kompromis. Do jem gjithmonë dhe vetëm e vetëm me ata që na sollën në pushtet, por sidomos me ata që kanë më shumë nevojë për ne sot dhe kjo është shumë e thjeshtë për t’u bërë”, – mbylli fjalën e tij Blushi.
Beqaj, Braçe dhe Topalli kundër Blushit
Deklarata e Blushit ka ngjallur një reagim të menjëhershëm në të dy krahët e politikës, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë. Duke marrë fjalën menjëherë pas Blushit, ministri i Shëndetësisë, i cili ishte dhe drejtuesi i grupit të punës për hartimin e programit politik të PS-së, ka hedhur poshtë pretendimet e kolegut të tij socialist për çështjen e taksimit.
“Nuk është e vërtetë që kush e ka pagën 1 mijë euro taksohet 23 për qind. Pagat taksohen në Shqipëri 3, 13 dhe 23 për qind, dhe vetëm për pjesën e pagës mbi 900 euro është 23 për qind, dhe ky është ligji në Shqipëri. Së dyti, sot kapitali taksohet 15 për qind dhe pastaj, pronari, dividenti taksohet 15 për qind. Që do të thotë se 15 dhe 15, pra taksohet 30 për qind. Në rastin më të mirë, e ardhura më e lartë nuk kalon 20 për qind”, – reagoi deputeti Ilir Beqaj.
Ndërsa deputeti tjetër socialist, Erion Braçe, në përgjigje të ligjëratës së Blushit ka deklaruar se “varfëria nuk mund të jetë as instrument populizmi, as instrument për të kapur pushtet. Varfëria ka nevojë për drejtësi dhe sidomos në mbledhjen e të ardhurave”. Ndërkohë që nga opozita ka reaguar ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila theksoi se eksodi i shqiptarëve nuk ka ardhur për faj të klasës politike, por për faj të qeverisë.
“Nuk bie dakord me Blushin kur thotë se e gjitha kjo që po ndodh është faji i klasës politike. Pse po ikin sot shqiptarët, e jo dje? Diku iu referuar shifrave nga ministria gjermane, rezulton se më 2006-n kanë ikur 140 shqiptarë, më 2011-n kanë ikur 87 shqiptarë, më 2013-n 1295, më 2014-n kanë ikur 8113? dhe 6 486 shtetas kanë ikur vetëm në 4 muajt e këtij viti. Shifrat nuk janë njësoj zoti Blushi. Ne rrisnim rroga, pensione, ndërtonim rrugë, gjë që ju nuk e bëtë. Ju sollët vetëm eksod”, – u shpreh Topalli, ndërsa theksoi se Blushi nuk ka të drejtë të flasë as për kriminalizimin e Parlamentit, pasi sipas saj, ai i dinte se kush ishin kandidatët për deputetë më 2013-n dhe nuk foli.