26.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025

Qendra Kinematografike shpall projektet fituese

Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur projektet fituese të konkursit për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë të vitit 2015.

Juria në përbërje të Fjolla Hoxha– Kryesuese, Brendan Ward, Jean-Yves Roubin, Ndricim Xhepa, Kujtim Rrahmani, Gjergj Xhuvani, (Sylejman Kllokoqi -në mungesë ) shpalli këto projekte fituese:

1. “Shpia”, skenari dhe regjia: Lendita Zeqiraj, me producent Bujar Kabashi.
Deklarata e jurisë: Një tregim me natyrë teatrale dhe i bazuar në karaktere të plota. Skenari i shpalosë këndet e errëta të një historie të idhët të mbetjeve të gruas kosovare pas luftës e cila vazhdon të përballet me përulje dhe burokraci. Edhepse të shtypura dhe të lëna anash si hije që gjallërojnë me zor, përballemi me gra që e kanë mvetësu patriarkalizmin dhe e kanë normalizu frikën. Përkundër kësaj, atmosfera e lehtë shpalos dëshirat dhe sfidën për liri të karaktereve me prejardhje të ndryshme të cilat i miqëson përvoja e hidhur dhe mungesa e rrugëdaljes. Motivet e tyre janë të kjarta dhe kjo del në pah lehtë e në mënyrë shumë natyrale. Qasja komike në gjithë këtë dramë të mbijetimit e mbush skenarin me shpresë për jetë dhe përçon bashkëndjenjë.

2. “Vera e andrron detin”, skenari: Doruntina Basha, regjia: Kaltrina Krasniqi me producent Shkumbin Istrefi.
Deklarata e jurisë: Aq sa një rrëfim i thjeshtë, konkret dhe i përqëndrum, Vera Andrron Detin është njëherësh abstrakt, simbolik dhe kritik. Përmes rrethanave private të një gruaje jepet një pasqyrë e shoqnisë kosovare dhe ‘vlerave’ që mbretërojnë në të, me një fokus në portretizimin e pozitës së gruas në shoqni, por duke rezonuar deri tek problematikat e grupeve të tjera të margjinalizuara si romët, pleqtë dhe shurdhmemecët në ambiente protektive si shtëpija në qytet e në fshat dhe ato ekspozuese si mediat dhe gjykata.
Skenari është shumë direkt dhe shpues gjë që bën të emitojë ndjenja të forta për tretjen e të cilave lypet kohë.
Simbolikat në mënyrë inteligjente përdoren për ta tregu lidhshmërinë e karaktereve dhe për t’i definu ndjenjat e sakta që ata i kanë për njëri tjetrin. Njëherësh, jehona e luftës dhe zhvillimeve politike pas saj është në sfond gjatë gjithë kohës si preokupim ngërthyes i njerëzve në vend.

3. “Njeriu i Dosjeve”, skenari: Arian Krasniqi dhe Ismet Sijarina, regjia: Ismet Sijarina me producent Arian Krasniqi.
Deklarata e jurisë: Përditshmëria e viteve të 90-ta për shqiptarët e Kosovës shikohet nga një prizëm i ri provokativ, përmes një teme të pa shtjelluar më parë, por që bartë rrëfimin me të cilin bashkëndiejnë shumë njerëz. Karakteret vihen në një dilemë ekzistencialiste që i përballë haptaz me normat morale dhe antipodin e tyre që ‘garanton’ mbijetesë. E gjithë kjo shtjellohet përmes një rrëfimi me sfida të vështira dhe alternon në kthesa të papritura por me pasoja shumë të besueshme. Këndvështrimet e ndryshme falë humbjeve personale nga një sistem rigoroz dhe diskriminues jepen në mënyre të pasforcuar gja që e bën këtë projekt më gjithpërfshirës dhe të përtogëzuar.
Për koproduksion minor, juria vlerësuese ka vendosur për projektin:

4. “Freedom or Die”, skenari dhe regjia: Vladimir Blazefski me producent Agon Uka.
Deklarata e jurisë: Edhepse përmes gjetjeve fiktive, ky projekt bartë sintagmën e një ndodhie origjinale me tonalitet të komedisë së zezë. Një hard core punk film që e sfidon përditshmërinë e realitetit ballkanik të ndërtuar mbi një sfond të hareshëm dhe njëherësh pikëllues. Përmes një skenari të mprehtë dhe karaktereve të vrazhda detektohet idealja më e afërt me të mundshmen në një realitet të mbushun me pasiguri, mosbesim, urrejtje, varfni, shpresë të humbun, mosrespekt, krim, hajni dhe nonshalancë.
I falemnderojmë të gjithë aplikantët për punën dhe prezantimet e tyre, me shpresë që një pjesë të mirë e këtyre projekteve filmike t’i shohim të realizuar në të ardhmen.

Ndërsa juria vlerësuese për film të metrazhit të gjatë – debutant, zhvillim skenari, metrazhit të shkurtër, dokumentar dhe animacion, e përbërë nga: Imer Mushkolaj – Kryesues, Arben Bajraktaraj, Eqrem Basha, Jahi Jahiu, Rebeka Qena, Hazir Haziri, Yll Citaku – anëtarë, kanë kënaqësinë të shpallin këta fitues:

Për film të metrazhit të gjatë debutant juria vlerësuese ka vendosur për projektet:
1. “Vdekja e Hakiut”, skenari dhe regjia Anton Nrecaj, me producent Adriatik Kelmendi.
2. “Një tregim Prishtine”, skenari: Getoarbë Mulliqi , regjia: Burbuqe Berisha, me producent Agron Vula.
3. “Gjumi dhe Dashuri”, skenari dhe regjia Arsim Haliti me producent Valon Bujupi.

Për zhvillim skenari, juria vlerësuese ka vendosur për projektet:
1. “Zana”, skenari dhe regjia: Antoneta Kastrati, me producent Sevdije Kastrati & Casey Cooper Johnson.
2. “Deri në fund”, skenari: Astrit Kabashi, regjia: Valter Lucaj, me producent Liridon Cahani.
3. “Gjakmarrja”, skenari dhe regjia: Marija Zidar, me producent Latif Hasolli.
4. “Zgjoi”, skenari dhe regjia: Blerta Basholli, me producent Yllka Gashi.

Për film të metrazhit të shkurtër juria vlerësuese ka vendosur për projektin:
1. “Home”, skenari dhe regjia: More Raca, me producent Sunaj Raca.
Për film dokumentar juria vlerësuese ka vendosur për projektet:
1. “Njihuni me Enver Hadrin”, skenari dhe regjia: Gilles Coton, me producent Yll Uka.
2. “People of Baushtellë”, skenari dhe regjia: Ilir Hasanaj, me producent Rina Kika.
3. “ Msitnia”, skenari: Genc Mehmetaj, regjia: Genc Mehmetaj & Dren Berisha, me producent Kastriot Jahaj.
4. “Tregimi i tregimtarit”, skenari dhe regjia: Gazmend Avdiu, me producent Gëzim Avdiu.

Për film të animuar juria vlerësuese ka vendosur për projektin:
1. “Clara”, skenari: Dafina Syla, regjia: Valë Blakqori, me producent Ilir Blakqori.

Deklarata e jurisë: Juria që ka bërë përzgjedhjen e projekteve në kategorinë e filmit të shkurtër, filmit dokumentar, të animuar, filmit debutant të metrazhit të gjatë dhe në kategorinë e zhvillimit të skenarit shpreh kënaqësinë për prurjet e këtij viti dhe përgatitjen shumë të mirë të aplikuesve në prezantimin e projekteve. Juria konsideron se ka bërë punë korrekte në përzgjedhjen e skenarëve, pjesa dërmuese e të cilëve i kanë plotësuar kriteret profesionale.Në shumicën e skenarëve kanë dominuar temat sociale, ndërkohë që juria ka mirëpritur aplikimet për zhvillimi skenari, duke e konsideruar këtë si një qasje serioze në përgatitjen para aplikimit.Po ashtu, juria çmon përpjekjet për krijimin e bashkëproduksioneve me kompani jashtë vendit, rrugë që duhet ndjekur gjithnjë e më shumë.Juria ka mirëpritur sidomos aplikimet për film të gjatë debutant, një kategori e re shumë e rëndësishme për sprovimin e regjisorëve të rinj në këtë zhanër.

Më Shumë

Përurohen kabinetet shkencore në shkollën “Katër Dëshmorët” në Ratkoc

Në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit mes Komunës së Rahovecit, Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Zyrës Komunale për Komunitete (ZKK), sot janë përuruar...

Gjendet shëndosh e mirë 85 vjeçari nga Gorozhupi i Hasit të Prizrenit

Është gjetur shëndosh e mirë, 85-vjeçari Nebi Tejeci. Lajmi u bë i ditur nga Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, transmeton Klankosova.tv. “Operacioni është realizuar me bashkëpunim...

Lajmet e Fundit