21.1 C
Prizren
E martë, 1 Korrik, 2025

Kosova do të anëtarësohet në UNESCO

Drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, ka thënë se ky këshill është duke punuar maksimalisht për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ajo ka bërë me dije se Këshilli Britanik, i cili prej vitesh është partner i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) për avancimin e diplomacisë publike, tashmë ka dizajnuar aktivitetet dhe ka identifikuar partnerët për arritjen e këtij synimi.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, Emra ka deklaruar se, krahas anëtarësimit në UNESCO, ky këshill është duke punuar maksimalisht edhe në drejtim të nënshkrimit të MSA-së dhe anëtarësimit në organizata të tjera.

“Tanimë aktivitetet janë dizajnuar, partnerët janë identifikuar dhe kemi ide të qartë se çfarë dëshirojmë të arrijmë në muajt e ardhshëm. Normalisht, fokusi do të jetë në UNESCO dhe te nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së”, ka thënë Emra.

Ajo ka shprehur optimizëm se në këtë synim diplomacia e Kosovës me partnerët e saj do ta mposhtim diplomacinë serbe.

“Kemi shumë optimizëm në këtë drejtim. Normalisht se diplomacia serbe do ta bëjë punën e vet, por edhe ne do ta bëjmë punën tonë. Kështu funksionon diplomacia. Me rëndësi është që aplikimi i Kosovës është aty dhe ka hyrë në agjendë të diskutimit. Zëvendësministri Selimi ka bërë punë të shkëlqyer në këtë drejtim dhe ai e udhëheq këtë proces”, është shprehur Emra.

Duke folur për projektin e përbashkët të këtij këshilli me MPJ-në: “Komunikimi me Evropën nëpërmjet diplomacisë”, ajo ka deklaruar se rezultatet e këtij projekti janë të prekshme.

Emra ka vlerësuar se ky projekt ka ndihmuar në zbutjen e qëndrimit të vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Ky pozicion na mundëson që Kosova të mos bllokohet në nismat rajonale dhe evropiane. Nëse i keni përcjellë nismat vitet e fundit, asnjëra nga këto shtete nuk e ka bllokuar Kosovën në rrugën e saj drejt proceseve evropiane. Normalisht se kjo nuk ka ardhur vetvetiu, por është bërë shumë punë me këto shtete që të arrijmë deri këtu. Puna me këto shtete ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Secili nga pesë shtetet është trajtuar ndaras, sepse edhe pozicioni i tyre ndaj Kosovës është shumë i ndryshëm”, ka deklaruar Emra, duke shtuar se, përveç Spanjës, bashkëpunimi me katër shtetet e tjera anëtare të BE-së tani ndodh në nivel të shoqërisë civile, artistëve, deputetëve dhe politikanëve.

Më Shumë

Vetëvendosje e quan ‘Zonë të Krimit’ Komunën e Prizrenit

“Shtëpia e Bardhë - Zonë e Krimit”. Kështu e ka quajtur Lëvizja Vetëvendosje Komunën e Prizrenit, teksa ka reaguar ashpër ndaj raportit të Zyrës...

Selmanaj takon legjendën e sportit prizrenas, Naim Malazezin: Një thesar që frymëzon brezat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Driton Selmanaj, ka zhvilluar një takim të veçantë me një nga figurat më emblematike të sportit...

Lajmet e Fundit