4.2 C
Prizren
E hënë, 29 Dhjetor, 2025

Lamtumirë Tonin Tërshana!

Bujar Nishani – “Me interpretimet e tij virtuoze, Tonin Tërshana do të kujtohet ngaherë një zë kumbues dhe i spikatur ndër dekada në festivalet e përvitshme të Radio Televizionit dhe skenat anembanë Shqipërisë.”

Edi Rama – “Lamtumirë Tonin Tërshana, zë i njohur i fëmijërisë sonë.”

Elton Deda – “Mësova me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të një prej zërave më të bukur dhe domethënës të skenës muzikore shqiptare. Tonin Tërshana, këngëtari melodioz dhe i ngrohtë, pionier i festivaleve dhe ndërkohë edhe mik i babait tim të ndjerë, pushofsh i qetë mjeshtër i këngës.”

Shpëtim Saraçi – “Pusho në paqe o bylbyl i Shkodrës dhe i tanë Shqipnisë. RIP, përulem me respekt.”

Ardit Gjebrea – “Na la edhe një artist … Tonin Tërshana! Skena atëherë dominohej nga zëri dhe ajo ishte njësia matëse. Aq mjaftonte për të dalluar Toninin nga shumë të tjerë.”

Zhuliana Jorgnaxhi – “NUK SHUHEN YYYJJJEEETTTT.”

Myfarete Laze – “Jeton gjithmonë sa dhe ne të jetojmë. Një artist me përmasa sa e tërë shqiptaria, një artist mbarëkombëtar Tonin Tërshana.”

Sidrit Bejleri – “Ndërroi jetë vokali brilant, ai që me bukurinë dhe mjeshtërinë e tij vokale bëri që breza të tërë të dashuroheshin me muzikën e mirëfilltë shqiptare … E gjithë Shkodra dhe Shqipëria krenohej me të … Iku Tonin Tërshana … Paqja e Zotit qoftë me të.”

Homazhet për nder të tij do të bëhen në ambientet e Radio Tiranës nga ora 10:30

Tonin TershanaTonin Tërshana do të ndalojë sot për herë të fundit në ndërtesën nga ku jeta e tij do të ndryshonte përgjithmonë. Edhe pse eter, rrugëtimin për në banesën e fundit këngëtari do ta nisë nga holli i Radio Tiranës (RTSH). Lamtumira për një nga ikonat e muzikës së lehtë shqiptare do të mbahet sot, në ambientet e RTSH-së në orën 10:30. Lajmi i ndarjes nga jeta i këngëtarit është pritur me trishtim nga mijëra fansa, njerëz të kulturës dhe politikës. Rrjetet sociale kanë qenë të mbushura dje me këngë të njohura të Tërshanës si “Erdhi pranvera”, “Lulet e limonit”, “Të dua o det”, “Qeshu vogëlushi im” etj. Komente ngushëlluese për familjen dhe kulturën shqiptare, e cila humbi një nga zërat e saj më të mirë ndër vite. Me një foto të këngëtarit të veshur me kostumin gri gjatë interpretimit në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, Kryeministri Edi Rama shkruante: “Lamtumirë Tonin Tërshana, zë i njohur i fëmijërisë sonë”. Presidenti Bujar Nishani u është drejtuar me një telegram ngushëllimi familjarëve.

“Në këto çaste dhembjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta! Me ikjen e tij të parakohshme nga jeta, ju humbët njeriun tuaj më të dashur e më të pazëvendësueshëm, ndërsa ne dhe të gjithë artdashësit humbëm një nga këngëtarët më të talentuar e të përkushtuar, i cili me mjeshtëri e profesionalizëm të rrallë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën tonë”, thuhej në telegramin ngushëllues të Presidentit. “Lamtumirë zëri ujëvarë. Diamant i muzikës shqiptare. U prehsh në paqe, Tonin Tërshana“, shkruante në faqen e saj në “Facebook” këngëtarja Aurela Gaçe.

“Zëri i Tonin Tërshanës ishte pjesë e një prurjeje interesante në fushën e muzikës së lehtë shqiptare, të asaj muzike që u ngjit në nivelin më të lartë të kësaj krijimtarie, krijimtari e larmishme që erdhi në jetën e vendit me disa këngëtarë të një niveli të lartë, siç ishte edhe Tërshana. Mund të them se niveli i të kënduarit të Tonin Tërshanës ishte krahas këngëtarëve më të shquar të kohës si Vaçe Zela e Avni Mula apo edhe të një ndonjë këngëtari të shquar që në këtë moment të trazuar nuk më vjen në mendje”, u shpreh muzikologu Vasil Tole. Me një zë të veçantë, Tonin Tërshana do të ishte një ndër personazhet më të dashura të muzikës shqiptare para viteve ’90. Fati i tij ishte i ngjashëm me atë të shumë artistëve pas ndërrimit të sistemit. Nuk u ngjit më në skenën e festivaleve, duke bërë një jetë të tërhequr kushtuar familjes. Pas emigrimit disavjeçar jashtë Shqipërisë, ai kthehet në Tiranë. Me humbjen e banesës në firmat piramidale ai jetoi me qira. Vetëm disa javë më parë, ai u bë me shtëpi, nga banesat sociale të dhëna prej Bashkisë së Tiranës, por që nuk mundi ta gëzonte dot. Tërshana lindi në Shkodër më 1 qershor 1949. Arriti një rekord në skenën shqiptare, pasi që në debutim, në Festivalin e 4-t në Radio Televizion në vitin 1965, me këngën “Të dua o det” (muzika Tonin Arapi, teksti, Mark Gurakuqi), mori çmimin e parë. Atëherë ishte vetëm 16 vjeç.

Tërshana ka fituar çmimin e parë dhe në Festivalin e 11 të RTVSH-së. Ka marrë pjesë në mbi 20 festivale, duke fituar katër çmime të para e duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në festivale. Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Në historinë e muzikës shqiptare zëri i Tonin Tërshanës do të mbetet përgjithmonë si një kujtesë që do të kujtojë një kohë dhe artistë që mbajtën gjallë shpirtin e një vendi, duke u dhënë shpresë përmes këngës në një kohë të vështirë.

Më Shumë

15 shkyçje në Prizren e 10 në Suharekë për mospagesë të ujit

KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A në  Prizren ka zhvilluar sot, më 24 dhjetor 2025, një aksion për shkyçjen e konsumatorëve që nuk kanë kryer pagesat...

Rrahje masive në Atmaxhë të Prizrenit

Disa persona janë përfshirë në një rrahje fizike dje në fshatin Atmaxhë të Prizrenit. "Policia ka pranuar njoftim se në këtë lokacion po zhvillohej një...

Shi dhe borë sot

Lajmet e Fundit