Në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, u mbajt debati lidhur me Projekt-Rregulloren për fuqizimin e vullnetarizmit. Qemajl Krasniqi, shef i sektorit për rini dhe sport në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka shpjeguar se kjo rregullore rrjedh nga udhëzimi administrativ i MKRS-së.
Mentar Kajragdiu, asistent pranë Zyrës Regjionale të OSBE në Prizren, tha se Rregullorja për Vullnetarizëm ka munguar në komunën e Rahovecit, dhe është vendosur që bashkë me Drejtorinë për KRS të përgatisin një rregullore.
“Fakti i pamohueshëm është që komuna e juaj ka pasur qysh nga paslufta një numër të madh vullnetarësh. Shembulli më i mirë është Qendra Rinore e juaj, e cila sipas meje është më aktive në regjionin e Prizrenit, dhe thjesht të thuhet se qëllimi i kësaj është që edhe komuna e juaj të ketë statusin e vullnetarëve me anë të një rregulloreje”, tha ai.
Për rregulloren ka folur dhe drejtori për KRS në Rahovec, Osman Hasku. Ai tha se rregullorja, rregullon punën vullnetare të të rinjve në komunën e Rahovecit, ku puna vullnetare dhe principet rregullohen si të drejta dhe obligime të vullnetarëve dhe të subjekteve të organizuara në vullnetarizëm, si dhe kushtet për përpinin dhe zbatimin e kontratave të vullnetarizmit, kodit etik dhe garantimin e zbatimit të kësaj rregulloreje.
Rregullorja për vullnetarizëm parasheh përkufizimet, ku vullnetari është individi i cili investon kohë, përpjekje, njohuri, apo aftësi vetjake me vullnetin e tij të lirë, i cili vullnetar mund të jetë nën moshën 16 vjeç. Përfitimet e komunës nga puna vullnetare është nxitja e qytetarisë aktive, ndihmon komunën në realizimin e projekteve për interes publik, promovon fuqizimin e vlerave të të rinjve në komunë, përmirësohet mirëqenia e qytetarëve, dhe ndihmon integrimin e të rinjve brenda komuniteteve.
Puna e vullnetarëve është e motivuar në hyrje pa pagesë në stadiume, biblioteka shfaqje teatrale, përparësi në shërbimet publike komunalë, në pjesëmarrjen e trajnimeve dhe përfshirja e vullnetarëve në organizimin e aktiviteteve kulturore.
Drejtoria për KRS është përgjegjëse për mbajtjen e regjistrit të vullnetarëve të pranuar, të përcjellë regjistrat e vullnetarëve në nivel qendror dhe shumë obligime të tjera , ndërkaq mbikëqyrjen e zbatimit të Rregullores e bënë kryetari i Komunës.