18.2 C
Prizren
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Isa Mustafa kërkon shkarkimin e Haxhi Avdylit

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka filluar t’i hakmerret kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren Haxhi Avdylit, i cili nuk e kishte votuar për kryetar të partisë.

Gazeta Blic nga burime brenda kësaj partie ka marrë vesh se ishte pikërisht i pari i LDK-së, njëherësh kryeministri i vendit, ai i cili ka kërkuar nga delegatët e Degës në Prizren që të fillojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Avdylit.

“Që nga Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, kur Haxhi Avdyli e mbështeti kundërkandidaten e Isa Mustafës, Vjosa Osmanin, ka filluar t’i hakmerret atij. Fillimisht e la jashtë Këshillit Drejtues, e pastaj edhe jashtë Kryesisë së Partisë. Ndërsa, tash po i mbledh nënshkrimet për shkarkimin e tij”, ka thënë ky burim brenda LDK-së.

Në anën tjetër, fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve nga delegatët për shkarkimin e Haxhi Avdylit, për Gazetën Blic e ka konfirmuar njëri nga delegatët e kësaj partie, Selajdin Fana. Ai i ka thënë Gazetës Blic se ai e ka nënshkruar sot iniciativën për shkarkimin e Haxhi Avdylit.

“Po, ka filluar një iniciativë për shkarkimin e Avdylit. Unë personalisht jam i pakënaqur me punën e tij, dhe sot e kam nënshkruar atë iniciativë”, ka thënë Fanaj. Megjithatë, sipas tij kjo iniciativë nuk ka ardhur e nxitur nga qendra, por nga delegatët dhe kryetarët e nëndegëve.

Në anën tjetër, Anton Quni deputet i LDK-së dhe njëherësh anëtar i Degës së kësaj partie në Prizren, ka thënë për Gazetën Blic se nuk ka informacion për një iniciative të tillë.

“Nuk e kam as edhe një informatë për një iniciativë të tillë. Nuk kam koment”, i ka thënë ai Gazetës Blic.

As sekretari i Degës së LDK-së në Prizren, Fatmir Memaj, i cili sipas burimeve të Gazetës Blic është njëri nga iniciatorët për shkarkimin e Avdylit, nuk ka dashur të prononcohet për një gjë të tillë.

“Më vjen keq, nuk jam adresa e duhur për këtë çështje, po të isha do t’ju përgjigjesha pa asnjë hezitim!”, ka thënë ai për Gazetën Blic

Në anën tjetër, vetë kryetari i Degës, Haxhi Avdyli i kontaktuar nga Gazeta Blic ka thënë se një iniciativë e tillë mund ta bëjnë vetëm armiqtë e LDK-së. Ai ka theksuar elektorati i LDK-së e ka vlerësuar lartë punën e degës.

“Këto iniciativa të mjegullave mund t’i bëjnë vetëm armiqtë e LDK-së. Nuk dua të besoj që kjo vjen nga njerëz kredibil që duan LDK-në, por njerëz të dështuar e cila apriori është e destinuar të dështoj. Elektorati i LDK-së është duke vlerësuar lartë punën tonë në degë”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Gazeta ka marrë vesh se iniciatorët e dirigjuar nga Isa Mustafa kanë filluar derë më derë mbledhjen e nënshkrimeve të delegatëve për shkarkimin e Avdylit.

“Disa delegatëve po u premtohet edhe përfitime, vetëm e vetëm që të mblidhen nënshkrimet e duhura për shkarkimin e Avdylit”, ka thënë një burim brenda LDK-së.

Haxhi Avdyli kishte ardhur në krye të LDK-së në Prizren në një kohë kur kjo degë ishte ndarë në disa fraksione. Ardhja e tij e kishte mbështetjen e vazhdueshme të lidershipit të partisë dhe shihej si njeriu i vetëm i cili do të mund ta rikthente këtë parti si të parën në Prizren. Mirëpo hyrja në koalicion e LDK-së me PDK-në dhe mbështetja që Avdyli i dha kundërkandidates së Isa Mustafës për kryetare të LDK-së, Vjosa Osmanit, bëri që lideri i kësaj partie të filloj hakmarrjen. /Gazeta Blic

Më Shumë

Prizren: 10 aktakuza kundër 16 personave

Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar një person të dyshuar për 48 orë, gjatë 24 orëve të fundit. Po ashtu  ka ngritur 10 aktakuza kundër...

Nisma Socialdemokrate çel zyrtarisht fushatën zgjedhore në Prizren

Nisma Socialdemokrate ka zhvilluar sonte hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në Prizren, me një tubim publik në Kejin e Shatërvanit, ku morën pjesë qytetarë...

Lajmet e Fundit