11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Borgesi dhe e kaluara e rreme

Jorge Luis Borgesi, duke folur për famën e shkrimtarëve, tha: “Gjëja më e rëndësishme është imazhi që krijon për vetveten në mendjen e njerëzve të tjerë. Shumë njerëz mendojnë për Bërnsin (Robert Burns) si një poet mediokër. Por, përveç poezisë, ai shquhet për shumë gjëra të tjera, dhe për këtë njerëzit e adhurojnë. Në fund të fundit, ky imazh – siç është edhe rasti i Bajronit – mund të jetë më i rëndësishëm sesa vepra letrare”.

Borgesi është një shkrimtar i madh, një poet i ëmbël e melankolik dhe spanjishtfolësit do ta nderojnë edhe si një shkrimtar i prozës së drejtpërdrejtë, joretorike. Por reputacioni i tij anglo-amerikan si një argjentinas i verbër dhe i vjetër, shkrimtar i tregimeve shumë të pakta, shumë të shkurtra dhe shumë misterioze, është kaq i fryrë dhe i pavërtetë sa e errëson madhështinë e tij. Kjo ndoshta i ka kushtuar mosmarrjen e çmimit “Nobel”. Por mund të ndodhë që, kur reputacioni i pavërtetë të zhduket, ashtu siç duhet të ndodhë, mund të zhduket gjithashtu edhe puna e mirë.

Ironia qëndron në faktin se Borgesi, në pikën e tij kulmore, nuk është as misterioz as i vështirë. Poezia e tij është e kapshme lehtësisht, pjesa më e madhe e saj është madje romantike. Temat e tij kanë mbetur të pandryshuara për pesëdhjetë vitet e fundit: paraardhësit e tij ushtarakë, vdekjet e tyre në betejë, vetë vdekja, koha dhe Buenos Airesi i dikurshëm. Ka shkruar gjithashtu rreth një duzinë tregimesh të suksesshme. Dy apo tre prej tyre janë të drejtpërdrejtë, madje të shkruara me një stil të vjetër, histori detektivësh (njëri është botuar në të përmuajshmen amerikane “Ellery Queens Mystery Magazine”). Disa të tjerë shtjellojnë, në mënyrë kinematografike, jetën e ndyrë të Buenos Airesit në kapërcyell të shekullit. Gangsterëve u ka dhënë staturë epike; ata fuqizohen, pastaj sfidohen ose marrin arratinë.

Tregimet e tjera, ata që i kanë tërbuar kritikët, kanë natyrën e shakave intelektuale. Borgesi merr një fjalë, p.sh. “i pavdekshëm”, dhe luan me të. Le të supozojmë, thotë ai, se njerëzit janë me të vërtetë të pavdekshëm. Jo vetëm njerëz që janë në moshë të thyer dhe nuk vdesin, por edhe njerëz të pashkatërrueshëm e të fuqishëm që i mbijetojnë përjetësisë. Cili do të ishte rezultati? Përgjigjja e tij, që përbën thelbin e tregimit, është se çdo eksperiencë e përfytyrueshme do t’i ndodhë çdo njeriu në një kohë të caktuar, se çdo njeri do të marrë në një kohë të caktuar çdo karakter të përfytyrueshëm dhe se Homeri (heroi i maskuar i këtij tregimi të veçantë), në shekullin XVIII, mund të harrojë madje se pati shkruar “Odisenë”. Ose, të marrim fjalën “e paharrueshme”. Le të supozojmë se diçka ishte me të vërtetë e paharrueshme dhe nuk mund të harrohej për asnjë moment; supozojmë që kjo gjë ju ndodh, ashtu siç ju bie në dorë një monedhë. Le ta zgjerojmë më tej idenë. Supozojmë që ekziston një burrë – por jo, ai duhet të jetë një djalosh – që nuk mund të harrojë asgjë dhe kujtesa e tij, për pasojë, fryhet e fryhet me detaje të paharrueshme çdo minutë të jetës së tij.

Këto janë disa prej lojërave intelektuale të Borgesit. Dhe ndoshta pjesa e tij më madhore prozaike, e cila është gjithashtu më e shkurtra, është thjesht një shaka. Titullohet “Mbi saktësinë në shkencë” dhe mendohet të jetë një ekstrakt nga një libër udhëtimesh i shekullit XVII:

Me kalimin e kohës, hartat gjithëpërfshirëse u konsideruan disi të mangëta, prandaj Kolegji i Hartografëve krijoi një Hartë të Perandorisë që kishte të njëjtën Shkallë sa edhe vetë Perandoria dhe përkonte me të pikë për pikë. Brezat e ardhshëm, që nuk qenë aq të dhënë pas Studimit të Hartografisë sa Paraardhësit e tyre, arritën në konkluzionin se një hartë e një Madhësie të tillë ishte e pavolitshme dhe, pa shfaqur respektin e duhur, ata e braktisën atë, duke e lënë në Mëshirë të diellit dhe shiut. Edhe sot e kësaj dite, në Shkretëtirat perëndimore, gjenden Fragmente të grisura e të copëtuara të Hartës, të banuara nga Kafshë apo Lypsarë; në të gjithë Tokën nuk ka mbetur më asnjë relike nga Disiplina e Gjeografisë.

Kjo është njëherazi absurde dhe e përkryer: parodi e shkëlqyer, ide groteske. Misteri dhe shakatë e Borgesit të bëjnë për vete. Por ato duhet të vlerësohen për atë çka përfaqësojnë; ato nuk mund të mbështesin gjithmonë interpretimet metafizike që u drejtohen. Megjithatë, ka shumë gjëra ku mund të kapen kritikët akademikë. Disa prej shakave të Borgesit kërkojnë një shfaqje ekstravagante njohurish të çuditshme. Në tregimet e para përdoret një gjuhë sporadike e stilit barok.

“Rrënojat rrethore” është një tregim i rafinuar, thuajse fantastiko-shkencor, rreth një ëndërrimtari që zbulon se ai vetë ekziston në ëndrrën e një tjetri. Fillon me fjalët: “Nadie lo vió desembarcar en la unánime noche”. E përkthyer fjalë për fjalë: “Askush nuk e pa atë teksa zbarkonte mes natës unanime”. Norman Tomas di Xhovani, që ka përkthyer Borgesin gjatë katër viteve të fundit, dhe ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të promovuar veprën e Borgesit në botën anglishtfolëse, thotë:

“As që mund ta çoni në mend se sa shumë është shkruar rreth fjalës ‘unanime’. I paraqita Borgesit dy përkthime: ‘e qarkuar’ dhe ‘ngërthyese’. E pyeta: ‘Borges, çfarë keni dashur të thoni me natë unanime? Kjo nuk ka asnjë kuptim. Pse të jetë natë unanime, kur mund të shkruanit diçka më të kapshme?’ Më habiti përgjigjja e tij. Ai tha: ‘Di Xhovani, ky është vetëm një shembull i mënyrës së papërgjegjshme që përdorja për të shkruar.’ Në përkthim vumë fjalën ‘ngërthyese’. Por shumë profesorëve nuk u pëlqeu humbja e natës unanime …”

“Njëherë takova një grua. Ajo kishte shkruar një ese rreth një libri të Borgesit. Gruaja nuk dinte spanjisht dhe e bazonte esenë e saj në dy përkthime mjaft mediokre në anglisht. Kishte shkruar një ese të gjatë, rreth dyzet faqe. Dhe një nga tezat kryesore të saj ishte se Borgesi shkruante një prozë shumë të latinizuar. M’u desh t’i shpjegoja se Borgesi e kishte të pamundur të shkruante prozë tjetër, sepse ai shkruante në spanjisht, një gjuhë që është dialekt i latinishtes. Ajo nuk ishte këshilluar me ndonjë person me njohuri në këtë fushë përpara se të fillonte hartimin e esesë. Paskëtaj, gruaja thërret: ‘Ndihmë!’, dhe ia mbath, pasi eseja e saj fundoset si një rrokaqiell në rërën thithëse.”

Në vitin 1969, Di Xhovani shoqëroi Borgesin në një udhëtim në SHBA, ku ai do të ligjëronte në disa universitete:

“Borgesi është fisnik. Kur njerëzit i afroheshin dhe mundoheshin t’i shpjegonin se si i kishin kuptuar ata tregimet e tij – fundja, ai vetëm i shkroi, Borgesi përdorte fjalët më të mrekullueshme që mund të keni dëgjuar. ‘Ah, faleminderit! Ju ma keni pasuruar tregimin. Më keni bërë një dhuratë të çmuar. Kam bërë gjithë atë rrugë nga Buenos Airesi për në X – le të themi, Lubok, Teksas – për të zbuluar këtë të vërtetë për vetveten dhe tregimin tim.’”

Prej shumë vitesh, Borgesi gëzon reputacion të padiskutueshëm në botën spanjishtfolëse. Por në “Një ese autobiografike”, që u publikua më 1970-n në formatin e një “Profili” në revistën “The New Yorker”, ai thotë se kur fitoi çmimin “Formentor” në vitin 1961, ishte “thuajse i panjohur – jo vetëm jashtë vendit, por edhe në Buenos Aires”. Ky është një lloj ekzagjerimi që i trazon disa prej admiruesve argjentinas të tij të hershëm dhe ka nga ata që thonë se “papërgjegjshmëria” e tij është shtuar me të njëjtin ritëm me famën e tij. Por Borgesi është treguar gjithmonë i papërgjegjshëm. Ai thotë se Buenos Airesi është një qytet i vogël; megjithëse i përket një qyteti të vogël, të huajt mbajnë radhën për të marrë intervista prej tij. Një herë e një kohë, pa dyshim, kur Borgesi thurte lavde për paraardhësit e tij ushtarakë dhe vdekjet e tyre në betejë, gjithë shoqëria kënaqej, sepse ai krijonte një ndjesi të së kaluarës dhe të tërësisë. Tani duket se ai shpall madhështinë personale dhe për shumë njerëz, kjo është sjellje prej egoisti dhe mendjemadhi. Nuk është e lehtë të bëhesh i famshëm në një qytet të vogël.

Borgesi jep shumë intervista dhe çdo intervistë duket se është e njëjtë me të gjitha të tjerat. Ai kërkon t’i bëjë pyetjet e pakuptimta dhe vë diskun e vet me të njëjtat këngë, siç tha një zonjë argjentinase; ai aktron. Borgesi pohon se gjuha spanjolle është “në prag të vdekjes”, kritikon Spanjën dhe spanjollët: vazhdon luftën koloniale, në të cilën çështjet e vjetra janë bërë të pështjelluara me paragjykimin argjentinas ndaj emigrantëve të varfër dhe të prapambetur nga veriu i Spanjës. Bën shaka pa kripë dhe të parashikueshme, për indianët e pampës. Janë shaka pa kripë, sepse vetëm njëzet vjet përpara se ai të lindte, këta indianë po shfaroseshin në mënyrë sistematike; janë shaka të parashikueshme, sepse kasaphanë e kësaj shkalle bëhet e pranueshme vetëm kur viktimat bëhen qesharake. Flet shpesh për Çestertonin, Stevensonin dhe Kiplingun; flet për letërsinë e vjetër angleze me entuziazmin e një njeriu që e ka studiuar atë epokë (Borgesi nuk e ka bërë një gjë të tillë); flet edhe për paraardhësit e tij anglezë.

Kjo është një performancë koloniale interesante. E kaluara e tij argjentinase është pjesë e popullaritetit të tij; të paktën në këtë mënyrë ai e shet të kaluarën e vet dhe, mbi të gjitha, ai tregohet patriot. E nderon flamurin, ku një i tillë valëvitet në ballkonin e zyrës së tij në Bibliotekën Kombëtare (ai është drejtor). Emocionohet kur dëgjon himnin kombëtar, por, në të njëjtën kohë, sa t’i krijohet rasti, mezi pret të deklarojë shkëputjen e tij nga Argjentina. Ndoshta kjo performancë bëhet për audiencën e re anglo-amerikane, gjë që e miklon shumë. Por këto qëndrime i ka pasur prej kohësh.

Në Buenos Aires akoma kujtohet kur më 1955-n, disa ditë pas përmbysjes së Peronit dhe diktaturës së tij 9-vjeçare, Borgesi mbajti një kumtesë mbi Kolerixhin (Coleridge) në Shoqatën e Kulturës Angleze. Disa prej vargjeve të Kolerixhit, tha Borgesi, qenë ndër më të bukurit e poezisë angleze, “es decir la poesía”, “[kjo është poezi e vërtetë]”. Dhe këto katër fjalë, në një kohë kur gëzonte gjithë kombi, qenë si një sulm i panevojshëm mbi shpirtin argjentinas.

Norman di Xhovani tregon një histori plotësuese:

“Në dhjetor 1969 ndodheshim në Universitetin e Xhorxhtaunit, në Uashington. Personi që bënte prezantimin, ishte një argjentinas nga Tukumani (Tucumán). Ai shfrytëzoi rastin për t’i bërë me dije audiencës se regjimi ushtarak kishte mbyllur universitetin në Tukuman. Borgesi ishte krejtësisht i pavëmendshëm ndaj fjalëve të këtij personi derisa i dëgjoi gjatë rrugës për në aeroport. Dikush filloi të fliste për këtë çështje dhe papritmas Borgesi mori zjarr. ‘Po ti nuk e dëgjove se ç’tha ai burri? Kanë mbyllur universitetin në Tukuman.’ E pyeta se pse u acarua dhe ai m’u përgjigj: ‘Ai njeri shau vendin tim. Askush nuk mund të flasë në atë mënyrë për vendin tim.’ Unë i thashë qetësisht: ‘Borges, ç’do të thuash me fjalët ‘ai njeri’? Ai njeri është argjentinas. Dhe është nga Tukumani. Dhe ai tha një të vërtetë. Ushtria ka mbyllur universitetin në Tukuman.’”

Borgesi ka një trup mesatar. Sytë e tij pothuajse të verbër dhe shkopi që mban me vete ia shtojnë veçantinë pamjes së tij. Ai tregon kujdes në veshje dhe thotë se është një shkrimtar i shtresës së mesme dhe një shkrimtar i shtresës së mesme nuk duhet të vishet si pispilluq ose shumë sportiv. Borgesi është i sjellshëm: ai mendon, ashtu si Sër Tomas Brauni (Sir Thomas Browne) se një zotëri fisnik është dikush që përpiqet të krijojë sa më pak telashe. “Duhet të lexoni medoemos veprën e Braunit ‘Religio Medici’.” Atëherë mund të kuptohet se, në disponueshmërinë e tij – dëshirën e tij për të dhënë intervista të gjata që janë përsëritje të intervistave të mëparshme, te Borgesi gërshetohet ideali i shtresës së mesme për modesti dhe sjellje prej fisniku me privatësinë e shkrimtarit, kjo e fundit shumë e nevojshme për punën e shkrimtarit.

Ka shenja të privatësisë së tij (në disponueshmëri) në mënyrën se si atij i pëlqen t’i drejtohen. Ndoshta jo më shumë se pesë njerëz gëzojnë privilegjin t’i thërrasin në emër, Horhe (Jorge), të cilin e kthejnë në “Xhorxhi” (Georgie). Për të gjithë të tjerët, ai preferon të jetë vetëm “Borges” pa senjor (Señor), fjalë që e konsideron spanjolle dhe pompoze. Sigurisht që “Borgesi” është tip i distancuar.

Madje edhe “Eseja autobiografike” prej pesëdhjetë faqesh nuk e cenon privatësinë e tij. Ajo është si intervista e radhës. Në të thuhen shumë pak gjëra që nuk dihen: lindja e tij në Buenos Aires më 1899-n, i biri i një avokati, paraardhësit e tij ushtarakë, qëndrimi për shtatë vjet i familjes në Europë, nga 1914-a, më 1921-shin (kur peso kishte vlerë, dhe Europa ishte më e lirë se Buenos Airesi); e gjitha kjo është treguar sërish në mënyrë skematike, si në një intervistë. Më pas, eseja përmban të dhëna të shkrimtarit për jetën e tij letrare, për librat që ai lexon dhe librat që shkruan, grupet letrare ku bën pjesë dhe revistat që ai ka themeluar. Por jeta e tij mungon. Kalohet pa u thelluar në krizën që mund të ketë përjetuar në fund të viteve ’30 dhe fillim të viteve ’40, kur, pasi biznesi i familjes së tij falimentoi, ai bënte të gjitha llojet e gazetarisë; kur i vdiq i ati dhe ai vetë u sëmur rëndë, “duke u frikësuar për gjendjen e tij mendore”; kur punonte si asistent në bibliotekën komunale, i mirënjohur si shkrimtar jashtë librarisë dhe i panjohur brenda saj. “Mbaj mend që, një ditë, një koleg pune vuri re në enciklopedi emrin e njëfarë Jorge Luis Borges – një fakt që e futi në mendime, teksa thoshte me vete se si ishte e mundur që të përkonin jo vetëm emrat, por edhe datat e lindjes.”

“Nëntë vite plot hidhërim”, thotë Borges. Por ai e përshkruan këtë periudhë në vetëm katër faqe. Privatësia e Borgesit fillon të shfaqet si një mollë e ndaluar.

Un dios me ha concedido

Lo que es dado saber a los mortales.

Por todo el continente anda mi nombre;

No he vivido. Quisiera ser otro hombre.

E përkthyer në:

Më është lejuar

Ajo çka i duhet të dijë një njeriu të vdekshëm.

Gjithë kontinenti e njeh emrin tim.

Nuk jam jetuar. Dua të jem dikush tjetër.

Ky është dedikim i Borgesit për Emersonin (Ralph Emerson), por mund të jetë edhe dedikim i Borgesit për Borgesin. Jeta, në “Esenë autobiografike”, mungon me të vërtetë. Në këtë mënyrë, gjithçka që është e rëndësishme te njeriu, duhet gjetur te vepra e tij, gjë që, në rastin e Borgesit, është në thelb poezia. Dhe të gjitha temat që ai ka shtjelluar në jetën e tij të gjatë, përfshihen, siç pranon edhe ai vetë, në librin e tij të parë me poezi, të publikuar më 1923-shin, një libër i printuar për pesë ditë, me tirazh treqind kopje, të gjitha të dhëna falas.

Në një moment ndeshesh me stërgjyshin ushtarak që vdes në betejë. Më tej, tani në moshën 24-vjeçare, dëshira për lavdi i shndërrohet në reflektim për vdekjen, për kohën dhe për “bizhuteritë e qelqta” të jetës individuale:

… cuando tú mismo eres la continuación realizada

de quienes no alcanzaron tu tiempo

y otros serán (y son) tu inmortalidad en la tierra.

E përkthyer në:

… kur ju vetë jeni vazhdimësia e mishëruar

e atyre që nuk jetuan në kohën tuaj

dhe të tjerët do të jenë (dhe janë) pavdekësia juaj në tokë.

Dikur, rreth asaj kohe, jeta ndaloi dhe gjithçka u pasua nga letërsia: një shqetësim i shprehur me fjalë, një përpjekje e pafundme për t’i ruajtur dhe për të mos i tradhtuar, emocionet e asaj të kaluare kaq të veçantë.

Soy, pero soy también el otro, el muerto,

El otro de mi sangre y de mi nombre.

E përkthyer në:

Unë jam vetvetja dhe unë jam ai tjetri sot,

Njeriu që vdiq, njeriu, gjaku dhe emri i të cilit

Janë të mitë.

Që prej shkrimit të atij libri të parë, asgjë, përveç ndoshta zbulimit të letërsisë së vjetër angleze, nuk i ka ofruar Borgesit lëndë të parë për një reflektim kaq intensiv. Madje as vitet e hidhura nën sundimin e Peronit, ku ai “u ‘promovua’ nga posti në bibliotekë në atë të inspektorit të shpendëve dhe lepujve në tregjet publike”, dhe dha dorëheqjen. As edhe martesa e tij e shkurtër dhe fatkeqe, një herë e një kohë subjekt për artikuj revistash dhe akoma subjekt për thashetheme në Buenos Aires. As edhe marrëdhënia e ngushtë dhe e vazhdueshme me të ëmën, tashmë 96 vjeçe.

“Më 1910-n, në njëqindvjetorin e Republikës, ne e mendonim Argjentinën si një vend të nderuar dhe nuk kishim dyshim që do të kishte dyndje nga kombe të tjera. Tani vendi ndodhet në gjendje të mjerueshme. Gjendemi nën kërcënimin e kthimit të një njeriu të tmerrshëm.” Në këtë mënyrë flet Borgesi për Peronin: ai preferon të mos i përmendë emrin.

“Kushedi sa kërcënime më vijnë çdo ditë. Madje edhe nënës sime. Ata i telefonuan asaj në dy apo tre të mëngjesit dhe dikush i tha me një zë të ashpër, zëri që përdorin peronistët: ‘Do të të vras ty dhe tët bir’. Ime më e pyeti: ‘Përse?’ ‘Sepse unë jam peronist.’ Nëna i tha: ‘Sa për tim bir, ai është mbi 70 dhe thuajse i verbër, kurse, në rastin tim, më duhet t’ju këshilloj të mos humbni kohë, sepse unë jam 95 e mund të vdes në duart tuaja përpara se të më vrisni.’ Të nesërmen i thashë mamasë se më është dukur sikur gjatë natës ka rënë telefoni. ‘Mos kam qenë në ëndërr?’ Ajo më tha: ‘Ishte një budalla i gjorë’. Ajo nuk është vetëm e mprehtë, por edhe e guximshme … Nuk di se ç’mund të bëj rreth situatës politike. Sidoqoftë, mendoj se duhet të bëj ç’të mundem, qoftë edhe duke marrë ushtarë për të më ruajtur shtëpinë.”

Libri i parë me poezi i Borgesit titullohet “Zjarrmia e Buenos Airesit” (“Fervor of Buenos Aires”). Në parathënien e tij, ai thotë se po përpiqej për të lartësuar qytetin që po zhvillohej dita-ditës në një mënyrë të veçantë. “Ashtu si romakët që pëshpëritnin fjalët ‘numen inest’[1], ndërsa kalonin nëpër pyll, edhe ‘këtu mbretëron një zot’, deklarohet në vargjet e mia, duke përshkruar mrekullinë e rrugëve … Çdo ditë, vendet bëhen, pak e nga pak, të shenjta.”

Por Borgesi nuk e ka shenjtëruar Buenos Airesin. Qyteti që sheh vizitori nuk është qyteti i poezive, ashtu siç ka mbetur Simla (aq i ri dhe artificial sa Buenos Airesi), qyteti i historive të Kiplingut. Ky i fundit u mundua shumë për të zbuluar një qytet të vërtetë. Buenos Airesi i Borgesit është personal, një qytet imagjinar. Dhe tani qyteti po rrënohet. Në zonën jugore të qytetit, ku banon Borgesi, mbijetojnë akoma ca ndërtesa të vjetra me porta të rënda dhe veranda të pjerrëta, secila prej të cilave me tjegulla të ndryshme. Por, në shumë raste, verandat e brendshme janë bllokuar, pasi ndërtesat e vjetra janë shembur. Eleganca, nëse në këtë qytet emigrantësh të varfër ka ekzistuar ndonjëherë me të vërtetë jashtë vizionit të arkitektëve të huaj, është venitur tashmë; tani ekziston vetëm kaosi.

Flamuri argjentinas në të bardhë dhe blu të zbehtë që varet në ballkonin e zyrës së Borgesit në Bibliotekën Kombëtare, është i pistë nga pluhuri dhe tymi. Kjo ndërtesë, ndoshta më e hirshmja në zonë, përdorej si spital dhe burg në kohën e diktatorit Rosas[2], më shumë se njëqind vjet më parë. Ka ende bukuri në kangjellat me thumba të mprehta, portat e larta prej hekuri, dyert e gjera prej druri. Por brenda, mureve u ka dalë boja dhe u ka rënë suvaja, xhamat e dritareve në oborrin qendror janë thyer; më tej, pasi kalon kopshtin, sheh rroba të palara të varura në një korridor, pllakat e shkallëve janë bërë copë-copë dhe shkallarja metalike në formë spirale është bllokuar nga hedhurinat. Kjo është ndërtesë qeveritare, një departament i Ministrisë së Punës, e cila dëshmon një administratë që po mbyt një qytet në agoni, një vend që nuk ka punuar në të vërtetë.

Kudo, mbi mure janë shkarravitur parulla që nxisin dhunën; guerilasit veprojnë rrugëve; peso vazhdon të bjerë; qytetin e ka pushtuar urrejtja. Përsëritet shpesh një slogan që bën thirrje për gjakderdhje: Rosas vuelve, Rosas po kthehet. Vendin e pret mizoria e radhës.

Numen inest, këtu ka një shpirt të shenjtë: yshtja e poetit nuk ka funksionuar. Paraardhësit ushtarakë vdiqën në betejë, por këto beteja të papërfillshme dhe vdekje të paefektshme nuk kanë shpënë gjëkundi, nuk kanë arritur asgjë. Vetëm në poezinë e Borgesit, këta heronj janë pjesë e “një universi epik, teksa burra shtatlartë zënë vend mbi shalët e kuajve”: “alto … en su épico universe”. Kjo është krijimtari e mrekullueshme: Argjentina si një tokë e thjeshtë mitike, një botë e plotë epike, me “republika, kalorësi dhe mëngjese”, “[las repúblicas, los caballos y las mañanas]”, me beteja të luftuara, me themelimin e atdheut, me krijimin e qytetit madhështor dhe me “rrugët me emra të rishfaqur nga e kaluara në gjakun tim”.

Ky është vizioni i artit. E megjithatë, nga kjo Argjentinë mitike e krijuar prej tij, Borgesi kërkon të lidhet, mes gjyshes së tij angleze, me paraardhësit e tij anglezë dhe, përmes tyre të lidhet me gjuhën e tyre, “në agimin e saj”. “Tani njerëzit më thonë se dukem si anglez. Në moshë të re nuk dukesha i tillë. Isha më zeshkan. Por edhe nuk ndihesha anglez. Aspak. Ndoshta lidhja me Anglinë m’u krijua nëpërmjet leximeve.” Ndonëse Borgesi nuk e pranon, një temë përsëritëse në tregimet e mëvonshme ka të bëjë me nordikët që degjenerohen në peizazhin e shkretë argjentinas. Pjesëtarët e klanit skocez “Guthrie” bëhen mulatë “Gutres” dhe nuk e njohin më Biblën; një vajzë angleze bëhet indiane e egër; njerëz të quajtur Nilsen harrojnë origjinën e tyre dhe jetojnë si kafshë duke u bazuar në kodin seksual shtazarak të kurvarit maço.

Në takimin tonë të parë, Borgesi tha: “Unë nuk shkruaj për njerëz të degjeneruar”. Por, një herë tjetër, ai tha: “Vendi është pasuruar nga njerëz që mendojnë thelbësisht për Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Këta janë të vetmit njerëz të qytetëruar. Lopçarët e pampës janë mendjengushtë apo më saktë, barbarë.” Kur biseduam për historinë e Argjentinës, ai tha: “Ekziston një themel. Nuk është shumë i qartë. Unë për vete nuk mund ta dalloj trungun e pemës.” Më vonë, ai shtoi: “Luftërat civile janë tashmë të pakuptimta”.

Ndoshta, atëherë, paralelisht me vizionin e artit, te Borgesi është zhvilluar një vizion plotësues, pavarësisht se sa i papranueshëm është me realitetin. Dhe tani, sidoqoftë, bota reale nuk mund të mohohet më.

Në mes të majit, Borgesi shkoi për disa ditë në Montevideo, në Uruguai. Montevideoja ishte një nga qytetet e fëmijërisë së tij, një qytet “me pushime të gjata dhe apatike”. Por tani Uruguai, vendi më i arsimuar në Amerikën e Jugut, ishte, sipas fjalëve të një argjentinasi, “një karikaturë”, një shtet i falimentuar, ashtu si Argjentina, që po e shkatërronte vetveten. Montevideoja ishte në gjendje lufte, guerilasit dhe ushtarët luftonin rrugë më rrugë. Një ditë, ndërkohë që Borgesi gjendej atje, u vranë katër ushtarë.

E takova Borgesin kur u kthye. Një vajzë simpatike po e ndihmonte të zbriste shkallët e Universitetit Katolik. Dukej më i brishtë, më i dobët fizikisht; duart ia shtrëngoje më lehtë. Ndoshta ia kishin marrë energjinë intervistat e shumta. I kishte mbetur në mendje katastrofa në Montevideo, ndaj ndihej i pikëlluar. Montevideoja ishte diçka tjetër që ai kishte humbur. Në një poezi, “Mëngjeset në Montevideo” janë ndër gjërat për të cilat ai falënderon “labirintin hyjnor të shkaqeve dhe efekteve”. Tashmë, Montevideoja, ashtu si Buenos Airesi, ashtu si Argjentina, ishte e magjishme vetëm në kujdesën e tij dhe krijimtarinë e tij. /Revistasaras.al

Më Shumë

Zhdukja e polices në Rahovec, ish-koloneli: Kolegët janë duke punuar sistematikisht për gjetjen e saj

Një zyrtare policore është raportuar e zhdukur në komunën e Rahovecit, nga dita e diele. Në lidhje me si trajtohen zhdukjet ka folur ish-koloneli i...

Gjendet një person pa shenja jete në Prizren

Një person është gjetur pa shenja jete të hënën rreth orës 06:40 në fshatin Manastirca, në Prizren. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës...

Lajmet e Fundit