20 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025

Gurët e hedhur në shpellën e Zgatarit të Opojës i bëjnë njerëzit me trashëgimtarë

Shpella e Zgatarit mbetet një nga traditat e lashta pagane të besimit. Kurse spelogët, duke folur për “Kosova Sot”, tregojnë se është shpellë me shumë rreziqe.

Shkrimtari Gëzim Ajgeraj tregon se zakonisht, kur burrat në Vërri, që shkonin në zonën e Opojës për tregti, e nëse u binte rruga nga shpella e madhe afër Zgatarit, porositeshin të hidhnin ndonjë gurë brenda saj, sidomos kur në familje kishin ndonjë grua shtatzënë, për ta trazuar ndonjë shpend që gjendej brenda shpellës. Dhe kur ndodhte të ishte pëllumb, identifikohej me simbolikën e djalit, ndërsa shpendët e tjerë në gjini tjetër. E kur dilte ndonjë korb apo sorrë, nuk kishte lindje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Vizitë për festat e verës

Njëra ndër shpellat të cilën banorët që nga lashtësia e kanë mitizuar është ajo e Zgatarit në Opojë.

Profesor Abaz Qengaj shpjegon për gazetën se rrënjët e besimit janë nga paganizmi. Kurse ajo që e bën këtë shpellë interesante janë edhe studimet e fundit që i kanë bërë speologët, të cilët kanë gjetur aty eshtra njerëzish, prandaj tash nga këto hulumtime që i kanë bërë vendasit të mendojnë se është edhe shpella e vdekjeve.

Speologu Zylfi Fusha tregon se sipas studimeve që janë bërë në këtë vend kjo shpellë është mjaft e vështirë dhe kërkon studim më të madh. Në këtë shpellë janë krijuar rite që nga paganizmi, por edhe besimi islam.

“Duhet theksuar faktin, se popullata e Opojës në masë të madhe e respekton fenë e besimit islam dhe ritet e faljes nëpër xhami, të cilat ekzistojnë nëpër të gjitha këto fshatra”, tregon Gëzim Ajgeraj.

Ai thotë se në zonën e Opojës sa herë që shkohej për tregti, e nëse u binte rruga nga shpella e madhe afër Zgatarit, njerëzit porositeshin të hidhnin ndonjë gurë brenda saj (sidomos kur në familje kishin ndonjë grua shtatzënë), për ta trazuar ndonjë shpend që gjendej brenda shpellës.

“Kur ndodhte të ishte pëllumb, identifikohej me simbolikën e djalit, ndërsa shpendët e tjerë identifikoheshin me gjininë femërore. E kur dilte ndonjë korb (sorrë), besohej se nuk kishte lindje. Kjo porosi u jepej edhe fëmijëve, nga nënat dhe gratë e familjes, që zakonisht shkonin në shëtitje, të rrafshnaltat e Zgatarit, nëpër festa tradicionale, sidomos në festën e verave”.

Banorët besojnë në vetitë shëruese

Për shpellën janë thurur disa gojëdhëna që lidheshin me lindjen. Por ajo që tregohet nga të moshuarit është se kjo shpellë nuk ia ka huqur faktit se kur ka dalë pëllumb nga shpella gratë kanë lindur djem, kurse kur ka dalë ndonjë dallëndyshe verës ka lindur vajzë, ose dimrit nëse ka dalë ndonjë harabel, ka lindur vajzë.

Në kohën kur mungonte mjekësia kjo shpellë kishte rëndësi të madhe, sepse njerëzit besonin se kur shkonin atje shëroheshin ose bëheshin me trashëgimtarë. Edhe sot e kësaj dite ka fanatikë që besojnë se nuk duhet dërguar bashkëshorten te mjeku, por te kjo shpellë, sepse, sipas tyre, ka veti shëruese.

Në këtë mënyrë edhe popullata e Opojës, si gjithë popujt e tjerë të botës, në kohën e antikitetit kanë besuar në fenomenet e natyrës, si në: diell, hënë, rrufe, ylber, etj, shkruan gazeta Kosova Sot.

“Nezrat” në tyrbe

Pleqtë e fshatit tregojnë se shpella e Zgatarit ka një histori të gjatë. Disa mendojnë se ajri i pastër në këtë vend i ka shëruar njerëzit, disa kanë menduar se ajo ndihmon gratë në plleshmëri.

Xhavit Osmani, plak i kësaj ane shprehet se ka pasur mendime se kur njerëzit shkojnë atje mund ta dëgjojnë zërin e dikujt kur ndodhet larg familjes.

“Por, kjo më shumë ka qenë një halucinacion që u ka shërbyer për të ruajtur bie fjala dashurinë ndaj djemve dhe bijve të tyre. Mirëpo, pas lufte kjo shpellë, për fat të keq, është keqpërdor. Ka pasur raste kur aty tanimë janë gjetur edhe kufoma të njerëzve, për të fshehur gjurmët e krimit”.

Në këtë lokalitet është edhe Tyrbja e Babës Selim edhe Babës Dervish. Kjo tyrbe është e vjetër, që ndoshta kalon shekuj, dhe pak mbahet ose fare hiç ndërmend prej kur ekziston. Gjatë pranverës, në veçanti gjatë prillit e majit, në këtë tyrbe nga banorët lokal bëhet „nezër“, apo thënë qartë: banorët dilnin me familje, prenin gjela, qengja apo edhe ndonjë pulë, dhe zienin oriz, apo edhe çervish, kurse ushqimi u shpërndahej banorëve të lagjes, ku gjendet kjo tyrbe, dhe atyre që kujdeseshin për tyrben. Ndërsa në tyrbe lihen edhe para e qirinj, të cilët ndizen çdo mbrëmje nga kujdestarët që kujdesen për tyrben, e që i takojnë familjes së atyre që janë në të varrosur në këtë tyrbe.

Sipas traditës, këtu thonë se kurrë nuk është ndalur drita. Në këtë vend ende ruhet si traditë ndezja e zjarreve rituale në vende publike, mbledhja e luleve e thurje kurorash nga fëmijët, lagie e njerëzve të shtëpisë me “ujë pa folur” etj. /Kosova Sot/

Më Shumë

Ryshfet në pikën kufitare, arrestohet shtetasi i huaj në Vërmicë

Në kufirin e Vërmicës një shtetas i huaj është arrestuar. Kjo pasi që, siç njofton policia, i njëjti kishte kryer veprën “Dhënie e ryshfetit”. I...

Përfshihet nga zjarri një shtëpi në Malishevë

Një shtëpi është përfshirë nga zjarri në Malishevë. Rastin në polici e ka raportuar pronari i shtëpisë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse,...

Lajmet e Fundit