Nga Blerim Çoçaj
Vdekja e vajzës 3- vjeçare tregon se sa të pasigurt janë qytetarët e Prizrenit, sidomos ata që jetojnë brenda apo afër shtëpive të vjetra.
Përgjegjësia për këtë tragjedi, jo vetëm familjare, vërtet është zinxhirore. Organet e drejtësisë, duhet që sa më shpejt të zbardhin humbjen e jetës së vajzës së vogël. Adresa e përgjegjësve është shumë e qartë, prandaj organet e drejtësisë duhet të veprojnë. Nuk mjafton deklarata se “rasti është duke u hetuar”.
Komuna, Ministria e Kulturës, por edhe Policia, duhet të japin përgjegjësi për vdekjen e vajzës së vogël. Policia duhet të tregojë se a ka diskutuar me kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën për rrezikun e këtyre shtëpive.
Nëse nuk e kanë diskutuar, atëherë si kanë ardhur deri të konstatimi, se siguria e qytetarëve është e mirë, në takimet që kanë mbajtur deri më tash në Këshillin e Sigurisë?
Pra, përgjegjësia për vdekjen e vajzës së vogël, nuk është individuale, por zinxhirore.
Ky rast mund të zbardhet vetëm nga organet e drejtësisë. Pak ka rëndësi a japin apo jo dorëheqje Ramadan Muja, Kujtim Shala dhe Ferid Agani.
S’ka qytetar n’këtë vend që nuk është i vetëdijshëm që institucionet qendrore dhe ato lokale drejtohen nga njerëzit që, përveç, egos për pushtet dhe parasë, nuk kanë ndjenë tjetër njerëzore. Kjo është dëshmuar edhe në rastin tragjik të vogëlushes, ku asnjëri prej përfaqësuesve të institucioneve nuk e kanë marrë mundin të shkojnë e ngushllojnë familjen.
Xheneta është viktimë e vdekur, kurse qytetarët e tjerë të Prizrenit janë viktima të gjalla të Ramadan Mujës.
Partitë politike nuk është mirë që tragjedinë të keqpërdorin dhe shfrytëzojnë për përfitime politike. Qytetarëve nuk do të mund t’ia mbushni mendjen se dalloni nga pushteti i Mujës. E keni pasur mundësin që këtë çështje ta trajtoni, por nuk e keni bërë, prandaj tash është mirë me heshtë.
Shoqëria civile ka paralajmëruar një protestë për javën e ardhshme. Mirë do të kishte qenë që protesta të mbahet para organeve të drejtësisë, e jo në sheshin “Shatarëvan”. Asnjë protestë deri më tash që është mbajtur në “Shatërvan” nuk ka prodhuar rezultat.
Protesta do të duhej të mbahet para organeve të drejtësisë me kërkesën e vetme që të veprojnë dhe përgjegjësit për humbjen e jetës së Xhenetës, të vihen para drejtësisë