Vendimi i organeve paralele serbe nga veriu i Kosovës për të bojkotuar zgjedhjet e sivjetme lokale, do të ketë efekte në procesin elektoral dhe pjesëmarrjen e këtij komuniteti në zgjedhje, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike në Prishtinë.
Sipas tyre, vendimi i organeve paralele serbe për bojkot, mund të cenojë edhe një nga qëllimet e dialogut Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për shuarjen e strukturave paralele dhe transformimin e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës.
Gazetari Arben Ahmeti, vlerëson se me vendimin e lidershipit paralel serb në veri, është dëshmuar se strukturat paralele nuk po shuhen po se në veri po krijohen dy lloj strukturash politike serbe.
“Pas këtij vendimi, do të kemi dy lloj strukturash serbe në veri. Do të kemi serbët legjitimë edhe për Prishtinën, të cilët përmes listës së rekomanduar nga Beogradi, do të hyjnë në zgjedhje, por do të kemi edhe serbët paralelë, këta që gjithmonë e kanë mbajtur linjën e fortë të kundërshtimit të Prishtinës, e të cilët do të vazhdojnë të jenë funksionalë”, konsideron Ahmeti.
Ndërkohë, analisti Leon Malazogu thotë për Radio Evropa e Lirë, se efekti kryesor i vendimit të serbëve veriorë për bojkot, do të jetë në uljen e përqindjes së daljes së serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Megjithatë, ai beson se do të ruhet përqindja minimale e daljes në mënyrë që zgjedhjet të mund të fitojnë një lloj legjitimiteti.
Efekti i parë, së paku do të ketë një rënie të daljes në zgjedhje.
“Efekti i parë, së paku do të ketë një rënie të daljes në zgjedhje. Do të thotë që një pjesë e serbëve do ta dëgjojnë këtë thirrje dhe nuk do të dalin në zgjedhje. Pyetja është se sa do të ulet dalja. Është me rëndësi që të ketë së paku 15 – 20 për qind të daljes që të ketë një lloj legjitimiteti minimal të institucioneve që do të zgjidhen”, vlerëson Malazogu.
Malazogu beson se organi që veten e quan Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës në veri, i cili vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka peshë të madhe politike siç pretendon me paraqitjet e veta.
Andaj, sipas tij, këta liderë serbë më tepër kanë marrë një vendim sa për të shfajësuar vetveten pas refuzimit dhe rezistencës së vazhdueshme që i kanë bërë integrimit në institucionet e Kosovës.
“Minimum, ky vendim mund të quhet si shpëlarje e vetvetes dhe krijimit të një lloj pafajësie për vetveten për proceset që do të ndodhin. Do të shohim nëse ata do të shkojnë edhe përtej kësaj dhe në mënyrë më aktive do të mundohen t’i pengojnë edhe zgjedhjet, që për momentin është vështirë të vlerësojmë”, shprehet Malazogu.
Në anën tjetër, Arben Ahmeti thotë se procesi zgjedhor ishte menduar në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd, si një kurorëzim i fundit të strukturave paralele serbe. Duke u nisur nga vendimi i liderëve të komunave të veriut që të mos marrin pjesë në zgjedhje, Ahmeti mendon se dialogu po e humb qëllimin e vet kryesor.
“Procesi zgjedhor nuk rrezikohet, sepse ai do të mbahet me apo pa paralelët në të. Mirëpo, humb efekti dhe planifikimi që është dashur ta ketë ky proces, e që ka qenë ndërtimi i jetës institucionale në gjithë territorin e Kosovës, pa pasur institucione paralele. Pra, pas këtij momenti, ne nuk mund të pretendojmë që dialogu do t’i shuajë paralelizmat në Kosovë”, vlerëson Ahmeti.
Sidoqoftë, të premten përfaqësues të komunitetit serb nga komunat veriore u mblodhën për të shqyrtuar përfundimisht pjesëmarrjen apo bojkotimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit në Kosovë dhe vendosën për bojkot. Vendimi i tyre pasoi takimin e së mërkurës në Beograd me kreun shtetëror të Serbisë.
Tani, mbetet të shihet nëse komuniteti serb nga komunat veriore do të veprojë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë që në këto zgjedhje të garojë me një iniciativë apo listë unike serbe, e cila pas zgjedhjeve lokale, sipas Marrëveshjes së Brukselit, do të formonte edhe Asociacionin apo bashkësinë e komunave serbe.