24.9 C
Prizren
E premte, 20 Qershor, 2025

Qytetet që na presin

Alda Bardhyli

Ezra Paund e la Parisin në mbrëmje, për t’u zgjuar të nesërmen në një apartament të thjeshtë në Romë. Gjithë ikjet e tij, kishin qenë të njëjta. Kur kafenetë e rrugët e një qyteti nuk i zgjonin më asgjë, ai merrte valixhen dhe nisej për në një tjetër, për të nisur një tjetër jetë. Kur u njoh me Dorothy Shakespear, me të cilën më pas, vuri dhe kurorë, ai mendonte nuk kishte më asgjë që do të largonte nga Parisi. Por kur një dashuri bie, një tjetër na pret diku. E ndërsa ajo i fliste për ikjen, ai imagjinonte erërat që do të frynin në një rrugë të vetmuar diku tej, të cilat me siguri do t’i sillnin diçka.

“Italia është vendi për t’i nisur gjërat nga fillimi”, do të shkruante poeti amerikan, i cili e preku këtë vend pas viteve 1924, e ku do të jetonte jo vetëm një dashuri të re, por dhe kohë të mira në letërsinë e tij.

Paund e shihte lëvizjen si një formë e cila e ndihmonte jo vetëm të përsoste jetën e tij, por dhe shkrimin. Pas çdo poezie të shkruar ka një histori, dhe shpesh ajo ka ndodhur në vende të cilat ai i shkelte për herë të parë. Qytete, fshatra apo stacione në të cilat shpesh mbërrinte vonë, me dëshirën për të parë mesnatën.

Ernest Hemingway, ishte një tjetër i pasionuar pas udhëtimeve. Kujtimet e tij mbi kohën e kaluar në Paris, janë një ftesë e përhershme për në këtë qytet, për çdo lexues që ndeshet me to. Ish-gruaja e tij, Meri, tregonte në kujtimet e saj, se ai udhëtoi në Kubë për të shkruar mbi Parisin, pasi mendonte se qytetet mund të shihen më mirë nga një tjetër. Por Kuba nuk do të mjaftonte për të hedhur në letër ato çfarë kishte jetuar përgjatë pesë viteve në Francë. Nga Idaho ku u nisën kujtimet do të merreshin me vete për t’u vazhduar në Spanjë, për t’i përfunduar sërish në pranverën e vitit 1960 në Kubë.

E gjithë historia e letërsisë është një udhëtim, ose një ftesë për të shkuar diku. Janë të shumta takimet me qytetet imagjinare që i kemi gjetur në librat që kemi lexuar. Qytete që janë shfaqur para nesh në forma të ndryshme, herë përmes stilit të jetesës, fytyrës së personazheve që kemi takuar në kafenetë e tij, apo historive që na kanë treguar. Histori që, sapo kemi mbyllur faqen e librit, kemi dashur t’i gjejmë në jetën tonë. Qytete që na kanë njohur me kultura dhe botë që në jetën reale nuk kemi mundur t’i njohim dot.

Singrid Unset e quante letërsinë një qytet të madh, ku nëse do t’i duhej të merrte rrugën për aty, kishte lagjen e saj. Aty, ku mbrëmjeve pas mesnate teksa hidhte shallin në krah mund të shëtiste dhe të ndiente erën e drurëve, apo ku përtej dritares, mund të ndiente hapat e një burri. Ajo donte t’i shihte qytetet mbrëmjeve, ashtu siç ndodhte zakonisht në historitë e librave të saj. Një grua mbërrinte mbrëmjeve në Oslo, e veshur me fustanin e gjatë dhe në dorë mbante një çantë. Kaq duhet për të zbuluar një qytet, një çantë, që mbart brenda dëshirën për të papriturën që e gjen pas çdo rruge.

Letërsia është udhëtim, dhe atëherë kur nuk na çon në qytetin ku duam. Një udhëtim shpesh i brendshëm në ujëra të padukshëm të njerëzores sonë, me një aftësi për të na treguar fjalët që nuk arrijmë t’i themi. Një udhëtim përmes jetëve të personazheve që kemi njohur në udhëtimin tonë në bibliotekën e madhe të botës, që me këmbëngulje na bëjnë të besojmë se zgjedhja gjithnjë është në qytetet që na presin.

Më Shumë

Aksidentohen dy çiklistë në Prizren, njëri përfundon në QKUK

Një aksident ka ndodhur dje në Prizren mes dy çiklistëve. Për pasojë, të dy drejtuesit e biçikletave kanë marrë lëndime, të cilët u dërguan për...

Suhareka gati për Testin e Maturës: 564 nxënës hyjnë në provim nesër

Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë ka përmbyllur të gjitha përgatitjet për organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore 2025, i cili do të mbahet...

Lajmet e Fundit