Ka mbaruar autopsia e gjashtë viktimave nga rrëzimi i avionit më 6 shtator në afërsi të Shkupit. Bazuar në raportin e Institutit për Mjekësi Ligjore në Shkup, asnjëri nga viktimat nuk ka pasur djegie në trup dhe se vdekja ka qenë momentale.
Nga Prokuroria Publike njoftojnë se ka filluar faza e identifikimit të trupave. Rreth shkaqeve të rrëzimit hetuesia thotë se është herët të flitet, por informon se nga vendi i ngjarjes janë tërhequr mbetjet dhe po vazhdojnë hetimet.
“Prokuroria Themelore e Shkupit i ka pranuar të gjitha lëndët e nevojshme dhe dëshmitë të cilat do të shërbejnë si prova për të vërtetuar arsyet e fatkeqësisë ajrore. Lënda është në procedurë dhe nevojitet kohë për të konstatuar shkaqet e rrëzimit të avionit”, thanë nga Prokuroria.
Gjatë ditës në Shkup arritën edhe familjarët e viktimave nga Italia. Të njëjtit i janë nënshtruar analizave të ADN-së, me qëllim identifikimin e të afërmve të tyre. Nga Ambasada e Kosovës në Shkup thonë se kanë bërë kërkesë që trupi i Visar Begaj të dërgohet në Kosovë.
“Ambasada ka ndërmjetësuar në mes familjarëve Begaj dhe Ambasadës italiane në Shkup dhe ka dërguar notë verbale pranë institucioneve të Maqedonisë për të shprehur dëshirën e familjarëve që trupi i pajetë i Visar Begaj të varroset në Kosovë”, deklaruan nga Ambasada e Kosovës në Shkup.
Ndërkohë Alsat-M kontaktoi edhe me Ambasadën e Italisë në Shkup e cila konfirmoi se trupi i Visar Begaj do të kthehet në Kosovë.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e Maqedonisë. Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe rregullimit të dokumentacionit, trupat e pesë viktimave do të dërgohen në Itali ndërsa trupi i viktimës Visar Begaj në Kosovë”.
Referuar medieve italiane, fatkeqësia ka ndodhur si pasojë e motit të ligë dhe mjegullës së madhe dhe se institucionet italiane paralajmërojnë hetim të ri të rastit. Avioni u rrëzua disa minuta pas humbjes nga radarët e kontrollit të fluturimeve civile të aeroportit të Shkupit./alsat-m