Krimi dhe korrupsioni kërkojnë luftë të pakompromis.
Prokuroria e Shtetit të Kosovës ka qenë e ‘amnistuar’, thuaja krejtësisht deri më tani që të merrej me rastet e korrupsionit, veçanërisht atij të profilit të lartë, ngase me rastet e tilla janë marrë misionet e huaja të thirrura për sundimin e ligjit në Kosovë, fillimisht UNMIK-u, e pasuar më vonë dhe aktualisht sërish nga EULEX-i. Por, analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë veçuar se edhe këta të fundit nuk kanë dhënë ndonjë kontribut për luftimin e këtij fenomeni, ngase nuk kanë treguar ndonjë seriozitet në trajtimin rasteve të profilit të lartë, duke i lënë ato në gjysmë, por edhe një pjesë e tyre kanë rezultuar me aktgjykim lirues, shkruan gazeta Kosova Sot.
Ndaj, në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se a do të jetë në gjendje Prokuroria e Kosovës që të merret me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, meqë tashmë, sipas kompetencave të reja, shumë lëndë të EULEX-it janë kaluar tek vendorët, por edhe disa sosh janë në proces të bartjes. Kjo mbase në njëfarë mënyre është edhe si lloj ‘testimi’ se sa është e aftë dhe e guximshme që Prokuroria jonë me punën e saj ta shpjerë përpara vendin në rrugën e integrimit, por dhe proceseve të tjera të rëndësishme, ngase nëse Prokuroria e Gjyqësori do të dështojnë përballë këtij fenomeni negativ të korrupsionit, siç edhe kanë dështuar deri më tani, nuk pritet ndonjë e ardhme drejt Evropës.
Nëse nuk munden, t’ua lëshojnë vendin të tjerëve
Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se është detyrimisht e obligueshme që Prokuroria e Kosovës, apo prokurorët e Kosovës, më në fund, pas 17 vjet të çlirimit nga okupatori serb dhe 8 vjet pas shpalljes së pavarë- sisë të merren edhe me lëndët e profilit të lartë, ngase, siç tha, askush nuk dëshiron që bashkësia ndërkombëtare të jetë përherë në Kosovë në sferën e sundimit të ligjit.
“Kjo nuk është për t’i testuar prokurorët e Kosovës, pasi edhe bashkësia ndërkombëtare, por edhe SHBA-ja, janë lodhur duke na ndihmuar në sferën e sundimit të ligjit, dhe ne nëse jemi shtet serioz, e që duhet të jemi gjithsesi, atëherë duhet t’i marrim për obligim të gjitha punët shtetërore që janë dhe njëra nga to shumë të rëndë- sishme është edhe puna e prokurorëve në shtetin e Kosovës”, tha ai.
Sa i përket asaj se sa janë të gatshëm aktualisht prokurorët tanë që të merren me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, Gashi këtu ka nënvizuar, me dashje apo jo, se ata duhet të jenë të gatshëm për këtë çështje, derisa, sipas tij, ata që nuk e ndjejnë vetën se janë të përgatitur qoftë profesionalisht, apo për ndonjë arsye tjetër, atëherë do të duhej që të njëjtët, siç tha, t’ua lëshojnë vendin personave të tjerë.
“Ata e kanë ditur se me çfarë pune do të merren në momentin kur kanë aplikuar për pozitën që të bëhen prokuror. Është e thjeshtë, nëse nuk mund ta kryejnë detyrën e prokurorit, apo nuk dëshirojnë, ose kanë probleme të tjera, atëherë duhet t’ua lëshojnë vendin gjeneratave të tjera, të rinjve apo atyre që kanë vullnet, dije dhe guxim për ta kryer punën e tillë”, ka deklaruar Gashi. /Kosova Sot/