Deklarata e nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, që njëherësh drejton edhe degën e AAK-së, se nuk ka bashkëpunim të duhur me kryetarin Ramadan Muja për zbatimin e politikave publike është cilësuar si hipokrizi nga këshilltarët e opozitës.
Sipas tyre, AAK-së në Prizren nuk i shkon përshtati tani që të luajë rolin e opozitarit, ndërkohë që vazhdon të jetë pjesë e koalicionit bashkëqeverisës në nivel komunal.
“Hipokrizia nuk ka fund. AAK-ja në Prizren edhe është në bashkëqeverisje, edhe thotë se Prizreni nuk e meriton një qeverisje të tillë. Atëherë shtrohet pyetja, pse kanë bashkëqeverisur prej 3 vjetësh? Pse tashti, në vitin e fundit e luan rolin e opozitarizmit, duke qenë ende në pozitë? Hajde, po bëhemi edhe ne hipokritë, atëherë shtrohet pyetja, pse nuk del nga koalicioni, pavarësisht që ka bashkëqeverisur Prizrenin së bashku me PDK-në, 3 vjet. Pse tashti nuk del nga koalicioni?”, shkruan në Facebook, Arbër Rexhaj, këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prizrenit.
Sipas tij, nënkryetari i komunës është kujtuar vonë për faktin se kjo pozitë i ka kompetencat e kufizuara ekzekutive.
“Kryetari i kësaj partie ankohet se nuk ka pasur kompetenca ekzekutive. Hajde, edhe një pyetje, a tani ju ka kujtuar atij, se pozita e nënkryetarit nuk na paskësha këso kompetenecash? Gjithmonë, përherë, ka pasur gatishmëri nga VV-ja në Prizren për bashkëpunim politik me AAK-në, dhe jo vetëm me të, por edhe me disa subjekte të tjera politike, ndërsa në anën tjetër përherë kanë mbretëruar interesat e tyre klanore, jo vetëm të AAK-së, duke mos menduar për një veprim teë përbashkët në dobi të qytetarëve, për një bashkë-qeverisje në nivel më të gjërë. Prandaj, dilni nga koalicioni e pastaj na flitni e na mësoni keq-qeverisjen e PDK-së dhe të Ramadan Mujës! Pastaj bëheni opozitar!” shkruan Rexhaj./PrizrenPress.com/