Pas situatës së fundit të krijuar me provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, fillimin edhe të rreshtimit të forcave të ushtrisë dhe policisë së këtij shteti përgjatë vijës kufitare me Kosovën, me kërcënime të hapura, analistë politikë dhe njohësit e fushës së sigurisë konsiderojnë se është momenti i fundit kur institucionet e shtetit duhet të punojnë me urgjencë për transformimin e FSK-së në ushtri. Analisti dhe eksperti i fushës ushtarake dhe të mbrojtjes, Naim Maloku tha për “Kosova Sot” se institucionet e shtetit të Kosovës munden dhe duhet të veprojnë që t’i ndërtojnë dhe t’i avancojnë kapacitetet e tanishme mbrojtëse të FSK- së, duke krijuar kapacitete të mjaftueshme teknike dhe humane, me këtë buxhet që tani e kemi në dispozicion që, përveç mbështetjes që e kemi nga NATO-ja, respektivisht forcat e KFOR-it, edhe Kosova të mundë të japë kontributin e vet për t’u përballë me sfidat më të mëdha se kjo.
“Pra, me sfida të kërcënimit edhe me mjete ushtarake dhe policore, e që mund të vihet në pikëpyetje integriteti dhe sovraniteti i vendit. Pra, konsideroj që një formë e tillë e avancimit teknik dhe human e FSKsë, pa nevojën e ndërrimit të emrit, mund dhe duhet të bëhet, madje pa e pasur fare nevojën e dërgimit në Kuvend për ndryshim të Ligjit dhe as për amendamentin të Kushtetutës për të kërkuar dy të tretën e votave të deputetëve të pakicës serbe. Kosova duhet dhe mundet ta forcojë forcën e vet mbrojtëse në këtë mënyrë, sepse ka modele të shteteve që funksionojnë kështu. As Japonia dhe as Izraeli nuk e kanë të emërtuar ushtrinë si ushtri”, theksoi ai.
Kapacitetet mbrojtëse duhen ndërtuar
Edhe analisti politik, Ali Hertica tha se Kosova po vonohet jashtëzakonisht shumë në gjetjen e formulës për ndërtimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse, që gjithsesi do të bashkëvepronin me forcat ndërkombëtare në mbrojtje të kufijve të shtetit, derisa edhe synimi i Kosovës është anë- tarësimi i shpejtë në NATO. “Nocioni shtet është real, e ka edhe kuptimin e palëkundur vetëm kur e ka të ndërtuar edhe forcën e vet mbrojtëse, që kujdeset dhe jep kontributin ligjor e kushtetues në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit, e cila pozicionohet dhe mban nën kontroll çdo pikë kufitare të shtetit, që siguron dhe garanton kundërpërgjigje për çfarëdo agresioni apo sulm të jashtëm mbi shtetin. Reflektimi në këtë drejtim tani nga institucionet e shtetit është tepër urgjent dhe nuk duhet të vonohet, aq me tepër kur i kemi provokimet e hapura të politikës së Beogradit”, ka thënë ai.
“Zyrtarët serbë nuk ngurrojnë aspak, por flasin hapur për planet e dërgimit të ushtrisë serbe në Kosovë nën pretekstin e mbrojtjes së minoritetit serb. Ky paralajmërim nuk është asgjë tjetër veçse një planifikim perfid i agresionit të mundshëm dhe cenim i rendit kushtetues e sovranitetit të shtetit të Kosovësthirrje për luftë”, tha Hertica për “Kosova Sot”.
Zbehja e shtetësisë Sipas analistit Florim Zeqa, neglizhenca e tepruar e institucioneve tona për bërjen e ushtrisë së Kosovës, jo vetëm që ka zhgënjyer qytetarët e vendit, por e ka zbehur në masë të madhe edhe shtetësinë e vendit tone,derisa tani,në rrethanat e krijuara, pas provokimeve të hapura dhe kërcënimeve të fundit për luftë të Serbisë, duhet të mobilizojnë gjithë klasën politike për ta bërë sa më parë Forcën e Armatosur të Republikë së Kosovës. “Në rast të invazionit ushtarak serb, nuk mund të mbrohemi vetëm me forca policore, duke u mbështetur gjithnjë në forcat e KFOR-it. Tashmë ka ardhur momenti i fundit që të ndahet “shapi prej sheqeri”, të dihet saktë- sisht pozicioni i shtetit tonë. Përderisa krerët shtetërorë dhe partiakë e kanë gojën plot shtet të pavarur dhe sovran, atëherë duhet të mbledhin forcat urgjentisht për formimin e ushtrisë së shtetit tonë, ashtu sikurse e kanë të gjitha shtetet e pavarura, pavarësisht pengesave dhe obstruksioneve të pakicë serbe,….të gjejnë mundësitë financiare për të investuar menjëherë disa qindra miliona euro nga buxheti i shtetit në pajisje dhe armatim modern për ushtrinë, e cila do të jetë e zonja të mbrojë shtetin tonë,…për të plotësuar kushtet që sa më parë Kosova të anëtarësohet në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë- NATO”, ka potencuar ai.
“Përfundimisht, me formimin e ushtrisë së Kosovës, përveçse do të kthehej besimi i qytetarëve në shtetin e tyre, do të qartësoheshin edhe kompetencat ekzekutive të presidentit të vendit dhe kryeministrit. Besoj se urimit tim, që 9- vjetori i shpalljes së pavarësisë ta gjejë shtetin tonë me ushtri, do t’i bashkohen të gjithë bashkatdhetarët në trojet etnike dhe diasporë. Në të kundërtën, nëse kjo klasë politike tregohet e paaftë për themelimin e ushtrisë para 17 shkurtit, atëherë më mirë të dorëhiqet e të shkojë në theqafje të pakthim, për t’u lëshuar rrugën forcave përparimtare që kanë guximin të përballen me të gjitha pengesat deri në vetëflijim për bërjen e shtetit me ushtri dhe institucione krejtësisht të pavarura nga Beogradi”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”