Kosova po shkel tani në 18-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit nga okupatori serb, por institucionet kosovare qëllimisht kanë dështuar, duke mos guxuar deri më sot ta padisin Serbinë për gjenocid dhe të kërkojnë kompensimin e dëmeve të luftës. Përfaqësues të partive politike dhe ekspertë të së drejtës konsiderojnë se ky është një dëm i madh, që po i shkaktohet shtetit të Kosovës, një lëshim i pafalshëm i politikës ndaj shtetit serb. Kjo për faktin se edhe nëse Kosova nuk e ka të drejtën, meqë nuk është anëtare e OKB-së, atëherë kjo gjë ka mundur të bëhet në bashkëpunim me Shqipërinë. Nëse Kosova do të padiste Serbinë për dëme të luftës dhe gjenocid, ajo do të ishte në pozitë edhe shumë më të favorshme edhe në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thotë se ky është një dështim i madh i institucioneve të shtetit, ngase nuk kanë pasur guxim që dëmet e luftës së pakut t’i bëjnë as temë diskutimi dhe kushtëzimi edhe në bisedimet e Brukselit. “Kosova duhet të bëjë përpjekje ta akuzojë Serbinë për krimet monstruoze dhe për dëmshpërblim”, ka thënë ai.
Opozita fajëson Qeverinë
Deputeti Ismail Kurteshi konsideron se qeveritarët e Kosovës gjatë tërë procesit të bisedimeve me Serbinë, që nga viti 2011, Serbisë janë duke i dhënë llogari për çështje të brendshme të Kosovës dhe nuk janë duke i mbrojtur interesat e shtetit.
“Ata asnjëherë, për asnjë çështje, nuk kanë kërkuar llogari nga Serbia. Kurrë nuk kanë kërkuar të bisedojnë për të pagjeturit, për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për sukcesionin, për invadimin e veriut të Kosovës nga Serbia e për shumë çështje e pengesa që Serbia po ia bën Kosovës. Edhe çështja e dëmeve të luftës, Fondi pensional e shumë dëme të tjera nuk bëjnë përjashtim. Pse qeveritarët tanë nuk po i hapin këto çështje vërtet vështirë është t’i kuptosh. Po një gjë dihet, ata shkojnë atje pa asnjë ide, shkojnë të bisedojnë vetëm për çështje që i kërkon Serbia, siç janë ura e Ibrit, muri përtej urës, “Zajednica” e kështu me radhë. Herët a vonë, Serbia duhet t’i kompensojë të gjitha dëmet që ia ka bërë Kosovës, por kjo nuk do të ndodhë derisa Kosovën e udhëheq kjo kastë politike”, tha Kurteshi për “Kosova Sot”.
Po aq e ashpër për neglizhencën e kësaj teme është edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. “Zhvillimi i bisedimeve në Bruksel është dashur kushtëzuar fillimisht me këto çështjet e dëmeve të luftës dhe kompensimin e tyre, me zbulimin e fatit të viktimave të luftës, mijëra të pagjeturve”, tha Kadrijaj për “Kosova Sot”.