-2.2 C
Prizren
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Këtë fund e ke merituar, Isë!

IMER MUSHKOLAJ

Nuk mund të pritej fund tjetërfare për Isa Mustafën dhe LDK’në, në bashkëqeverisje me partinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ata e tradhtuan Mustafën, siç e tradhtoi ky elektoratin e partisë së vet. Fund të tillë të palavdishëm mund të kenë vetëm njerëzit që mbi të gjitha i kanë interesat personale. Problem për LDK’në nuk është as PDK’ja, as Kadri Veseli, por vetë Isa Mustafa

Të zhgënjyer me keqqeverisjen e PDK-së, qytetarët e votuan LDK’në, si mundësinë më serioze për ta nxjerrë partinë e Hashim Thaçit në opozitë. Isa Mustafa zotohej se nuk do të bënte kurrë koalicion me SHIK’un e PDK’në. Por, nuk ndodhi kështu. Ai i hyri në shtrat PDK’së, i vetëdishëm se kjo parti do ta bllokojë e shantazhojë, madje edhe do ta përjashtojë nga qeverisja kur të shohë se ka interes.

Por, Mustafa zgjodhi t’i jep përparësi interesit personal. Provoi të qeveris me arrogancë e kokëfortësi, duke i amortizuar të gjithë zërat kritikë që paralajmëronin atë që ndodhi të mërkurën.

Dhe, nuk ishte e vështirë të parashikohej se çfarë do të ndodhte. PDK e ka vendosur si standard prishjen e koalicioneve pa e çuar mandatin deri në fund. Rasti “Zanzibar” do të duhej t’i kishte shërbyer Mustafës si leksion për të mos e nisur aventurën e dëmshme, që do ta fundoste herëdokur. Por, ai vendosi me të vetën dhe përfundoi si mos më keq.

Mustafa nuk i dëgjoi as zërat brenda partisë, e as ata jashtë që e paralajmëronin se do të ndodhte një “Zanzibar 2”. Përkundrazi, thoshte se bashkëqeverisja me PDK’në po iu shkonte mjaltë. Por, “qeverisjes së mjaltit” i erdhi fundi shpejt dhe Isa Mustafa u rrëzua nga partneri i koalicionit.

Në ditën e fundit si kryeministër, në Kuvendin e Kosovës, Mustafa nuk kurseu cilësime nga më të ulëtat dhe akuza nga më të ashprat ndaj PDK’së. Ai ia numëroi të zezat partisë së Veselit, thua se nuk kishte qeverisur bashkë me të. Gjë mangut nuk i lanë as deputetët e LDK’së në akuzat ndaj PDK’së. Që të dy palët flisnin si të ishin në opozitë, e jo si të kishin qenë në bashkëqeverisje. Një maskaradë e paparë.

* * *

Maskarada vazhdoi edhe pas prishjes së koalicionit. Zyrtarë të të dyja partive nxorën për fushe gjithë arsenalin e akuzave për njëri-tjetrin. LDK tash thotë se nuk e njeh Hashim Thaçin president, ndonëse kishte hequr shumë që ta zgjedh në atë post, me vullnetin dhe kontributin e madh të Isa Mustafës. PDK, ndërkaq, akuzon LDK’në për ngecje në qeverisje, duke harruar se gjysmën e përgjegjësisë e kishte vetë.

Zyrtarë të LDK’së i nxorën në shesh sërish akuzat e vjetra për SHIK’un dhe Kadri Veselin, ndërkohë që vetë kishin pranuar të bëjnë koalicion me të, madje e kishin zgjedhur edhe kryeparlamentar. Tash, ai ishte ktyher sërish në njeri të nëntokës, vrasës e kriminel.

Mustafa dhe LDK do të duhej ta kishin të qartë që në fillim se është e kotë të provosh të qeverisësh, e aq më pak të arrish sukses duke u bërë partner me PDK’në, partinë e cila tash një dekadë e ka kapur shtetin e Kosovës, i ka kapur institucionet – partinë klienteliste, e cila është në gjendje të bëjë gjithçka, vetëm të mbetet në pushtet.

Mustafa dhe LDK është dashur të reflektojnë të paktën pas publikimit të përgjimeve, me të cilat është vërtetuar se në çfarë forme ka funksionuar dhe funksionon shteti i qeverisur nga PDK’ja. Mustafa dhe LDK me vetëdije u bënë pjesë e kapjes së shtetit, duke vepruar në të njëjtën mënyrë si PDK.

Në fakt, fundi pa lavd i Mustafës është fund i merituar. Ai mund ta akuzojë PDK’në për veprime dinake, por është vetë Mustafa që njihet për dinakëri, të paktën qysh nga koha kur ia mori postin e të parit të partisë Fatmir Sejdiut.

* * *

LDK e ka shumë të nevojshme që të ndërrojë lidershipin e saj, po që se dëshiron të mbetet një ndër partitë kryesore në vend. Ose, të paktën, që në zgjedhjet e ardhshme, Mustafës t’ia marrë të drejtën që të kandidojë për kryeministër, pas të gjitha dështimeve që ka pasur.

Grupi reformator brenda partisë duhet të jetë i zëshëm dhe i organizuar, për t’i prirë partisë drejt një rruge të re, duke e hequr nga kthetrat e njerëzve që e mbajnë peng tash dy dekada e gjysmë.

Është e pamoralshme dhe e turpshme që LDK sërish të kërkojë vota duke akuzuar SHIK’un dhe Kadri Veselin, të kërkojë vota në emër të Ibrahim Rugovës. Tekefundit, fëmijët e Ibrahim Rugovës janë bërë pjesë e bashkëqeverisjes me PDK’në dhe Veselin. Askush më nuk do t’iu besojë zotimeve të Mustafës, ngase ai e ka vërtetuar se nuk është asgjë më tepër se një person që interesin personal e ka në vend të parë.

Problemi i LDK’së nuk është PDK’ja, as Kadri Veseli, por vetë Isa Mustafa. LDK duhet të çlirohet nga ai. Përndryshe, dështimin e ka të sigurt./gazeta express/

Më Shumë

Aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të kokainës dhe marihuanës

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet R.Ç  për shitblerje të narkotikëve.   Sipas aktakuzës i pandehuri më...

Zgjedhjet duhet të bojkotohen si shenjë pakënaqësie ndaj poshtërësive të partive politike

Azem Lajqi Deri tash qytetarët e Kosovës kanë votuar si disponim për formimshtet ligjor, si shpresë në emra të caktuar dhe, së fundi, si provim...

Lajmet e Fundit