Nuredin Begolli, i cili akuzohet se ka keqpërdorur informatën zyrtare, duke ia treguar një personi të tretë, historinë kriminale të të dëmtuarit në këtë rast Deli Hoxhës, ka kërkuar që ekspertët e IT-së në Policinë e Kosovës (PK), të vërtetojnë nëse ka kryer një veprim të tillë.
Në seancën gjyqësore të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Begolli ka thënë se ekspertët e teknologjisë informative (IT) shumë lehtë mund të vërtetojnë nëse ai ka hyrë në data-bazë për të shikuar të kaluarën kriminale të të dëmtuarit.
Ai, tuje ka shtuar se nëse vërtetohet se ka bërë një veprim të tillë është në gjendje të pranoi dënimin maksimal që parasheh ligji.
Po ashtu edhe avokati i tij, Hajrip Krasniqi, ka kërkuar që gjykata të kërkojë nga Policia e Kosovës, informata nëse i dëmtuari Deli Hoxha, me të vërtetë i ka pasur 37 vepra penale dhe kundërvajtëse, në momentin kur po pretendohet se i akuzuari ka zbardhur informatën e tillë.
Sipas tij, kjo kërkohet sepse do të vërtetojë që numri 37 i shkruar nga i akuzuari në “Viber” me personin e tretë, ka pasur të bëjë me informatë të saktë apo me bisedë të lirë, me të dëgjuar.
Prokurori i rastit, Genc Nixha, nuk ka kundërshtuar propozimet duke u arsyetuar se në parim përkrah çdo propozim që shkon në drejtim të zbardhjes së gjendjes faktike.
Në këtë seancë, po ashtu është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit shefi i zyrës ligjore në Policinë e Kosovës, Qlirim Hajdini, i cili ka thënë se në informacion zyrtar, hyjnë të dhënat që mblidhen për qytetarët që bien ndesh me ligjin. Tutje, ka shtuar se këto të dhëna vendosen në data-bazën e sistemit informativ të Policisë së Kosovës.
Hajdini, ka thënë se zyra ligjore që ai udhëheq, jep lejen për t’ia lëshuar dikujt dokumentin se nuk ka të kaluar kriminale dhe po ashtu marrin vendime duke u bazuar në vendimet e gjykatës për të shlyer personat nga data-baza e të kaluarës kriminale.
Ndërsa, nëse i akuzuari ka mundur apo jo të ketë qasje në data-bazën e Policisë së Kosovës, dëshmitari Hajdini, ka thënë se nuk është kompetent të përgjigjet, por që për një gjë të tillë, sipas tij, duhet të ftohet një ekspert që merret me formimin dhe menaxhimin e data-bazës në fjalë.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka pranuar propozimet e mbrojtjes dhe ka vendosur që për seancën e ardhës të ftojë një ekspert të IT-së nga PK-ja dhe të kërkohet e kaluara kriminale e të dëmtuarit deri në momentin kur është bërë kallëzimi penal.
Seanca e radhës është caktuar për 30 qershor 2017, duke filluar nga ora 10:00.
Nuredin Begolli, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se në cilësinë e zyrtarit policor, ka zbuluar informatën zyrtare për personin tjetër, duke i dhënë atij një përparësi që nuk i takon.
Sipas aktakuzës, Begolli ka njoftuar qytetaren Altina Kolukaj, për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes, të kryera nga qytetari Deli Hoxha, e i cili informacion, ka ndikuar në prishjen e raporteve në mes këtyre dy personave./betimiperdrejtes/