Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuze ndaj dy personave, O.C. dhe B.B., dhe personit juridik – biznes me seli në fshatin Landovicë, komuna Prizren, njofton kumtesa prokuroriale, transmeton Koha.net.
Aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se të akuzuarit O.C. dhe B.B., prej vitit 2010,si persona përgjegjës për sigurim dhe shëndetin në vendin e punës, në biznesin me seli në fshatin Landovicë, Komuna Prizren, nuk veprojnë në pajtim me dispozitat dhe rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikojnë jetën e njerëzve duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme argjilën dhe lëndë të tjera minerale.
Për shkak të moszbatimit të kritereve të parapara, gropat e krijuara ishin mbushur me ujë dhe për pasojë, më 16.06.2015, në gropën me ujë mbyten dy fëmijë, njëri 11 vjeç dhe tjetri 9 vjeç.
Me këto veprime, ata kanë kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe sigurimi i sigurisë në vendin e punës nga neni 367, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 2 dhe me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.
I akuzuari O.C., si person përgjegjës i biznesit akuzohet edhe për veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.
Po ashtu edhe biznesi si person juridik akuzohet për veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe sigurimi i sigurisë në vendin e punës nga neni 367, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 2 dhe me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.