2.8 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Pagat e turpit

IMER MUSHKOLAJ

Ulja e pagave të veta enorme dhe heqja dorë nga të tjera privilegje do të duhej të ishte veprimi i parë i deputetëve të përbërjes së re të Kuvendit. Është turp i madh dhe e pamoralshme që ata të paguhen sa pesë-gjashtë rroga mesatare të atyre që i përfaqësojnë.

Paguhen sa pesë-gjashtë paga mesatare në vend, përfitojnë edhe mëditje e privilegje të tjera, por puna që bëjnë nuk arsyeton paratë e majme që marrin. Deputetët kosovarë fitojnë më së shumti në rajon, ndonëse përfaqësojnë qytetarët e vendit më të varfër. Ata përfitojnë dy mijë e më shumë euro në muaj, duke filluar nga paga bazë rreth 1500 euro, ndërkohë që paguhen edhe pjesëmarrjet në seanca dhe në mbledhje komisionesh, mëditjet për udhëtime jashtë vendit, pagesat për transport etj.

Kuvendi i Kosovës është kthyer në vendin më të pëlqyer për punësim e privilegje, ndërkohë që do të duhej të ishte institucion i punës së të zgjedhurve të qytetarëve. Deri më tash, deputetët janë shquar kryesisht për mospunë dhe rrallë t’i kenë arsyetuar paratë e majme që përfitojnë nga shteti i varfër.

Duke parë nivelin e disave nga ta, që nuk janë në gjendje ta shkruajnë as një status Facebook’i si duhet, kuptohet lehtë se sa të tillët mund të kontribuojnë me propozime e amandamente, sa mund të kontribuojnë për ligje cilësore dhe vendime të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Përbërjet e kaluara të Kuvendit janë karakterizuar me shumë analfabetë funksionalë, e duket se të tillë do të ketë edhe në përbërjen e re.

Ka pasur mjaft deputetë që nuk e kanë çelur gojën asnjëherë në seanca, ka pasur nga ata që rrogën për gjithë mandatin e kanë “merituar” me një pyetje parlamentare ose thjesht me ngritje dorë për të votuar ndonjë ligj. Veçanërisht gjatë mandatit të kaluar plot seanca kanë dështuar në mungesë të deputetëve, të cilët janë shfaqur në Kuvend vetëm sa për ta vënë nënshkrimin në listë dhe për t’i marrë mëditjet. Në këtë mënyrë, ata nuk e përfaqësojnë qytetarin e varfër që ua ka dhënë votën, por i shfrytëzojnë votat e qytetarëve vetëm për të përfituar. E keqpërdorin besimin e votuesve të tyre.

* * *

Jo rastësisht pozita më atraktive sot në Kosovë është ajo e deputetit. Është absurde dhe e papranueshme që pagat e deputetëve kosovarë të jenë më të lartat në rajon. Ata do të duhej të ndiheshin keq dhe t’iu vinte turp që marrin paga sa pesë-gjashtëfishi që fitojnë qytetarët e rëndomtë. Pagat e majme të tyre do të duhej të uleshin në nivelin e pranueshëm për taksapaguesin dhe buxhetin e shtetit. Kosova nuk e ka luksin që atyre t’u paguajë paga kaq të larta, për punën që nuk e kryejnë si duhet.

Andaj, ulja e pagave të veta dhe heqja dorë nga të tjera privilegje do të duhej të ishte veprimi i parë që do të duhej ta bënin deputetët e përbërjes së re të Kuvendit. Dhe e kanë këtë mundësi, po që se kanë dëshirë dhe vullnet ta shfrytëzojnë.

Ligji për Pagat që do të sillet në Kuvend mund të jetë një rast i mirë për ta që t’i ulin, nivelizojnë të ardhurat e veta dhe të zyrtarëve të tjerë të shtetit. Ligji do të duhej të miratohej i atillë që marrja me politikë e individëve të mos jetë atraktive për pasurim personal, aq më pak në kurriz të qytetarëve të varfër.

Duke marrë paga të majme, karshi pagave të ulëta të shumicës absolute të qytetarëve, deputetët me vetëdije po e kultivojnë diferencën sociale aspak të ndershme. Në këtë mënyrë ata nuk po kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, por në ndërtimin e mirëqenies së tyre, të të ardhmes së tyre.

* * *

Jo vetëm pagat e deputetëve, por edhe të zyrtarëve të tjerë publikë duhet të nivelizohen. Po ashtu, duhet gjetur mundësia që kjo masë të aplikohet edhe për menaxherë të ndërmarrjeve publike, të cilët paguhen tre, katër, pesë e gjashtë mijë euro në muaj.

Më së miri do të ishte që pagat e qytetarëve të rriteshin dhe të bëhen sa ato të deputetëve. Por, meqenëse kjo mbetet veç një ëndërr e bukur, atëherë deputetët e kanë rastin që të japin shembull të mirë se ata vërtet i kanë zënë karrigat në Kuvend dhe e kanë fituar besimin e qytetarëve për t’iu shërbyer atyre me nder. Në këtë mënyrë ata do të tregonin se janë vetëm disa prej nesh dhe si ne, do të dëshmonin vullnetin e mirë për të punuar në të mirë të zgjedhësve të vet.

Kuvendi nuk është dhe nuk do të duhej të ishte vend për t’u pasuruar. As institucionet tjera publike nuk janë dhe nuk do të duhej të ishin të tilla. Ata që dëshirojnë të pasurohen le të merren me biznes dhe të mos i keqpërdorin taksat e kosovarëve të varfër. Kuvendi nuk është biznes./gazeta express/

Më Shumë

QKMF-ja në Prizren aktivizon shërbimin e informimit për qytetarët

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhip Berisha” në Prizren ka aktivizuar shërbimin e informacionit. Sipas njoftimit të QKMF-së ky shërbim është vënë në dispozicion...

Bashkimi mposht Vëllaznimin, kalon në finale të Kupës së Kosovës në basketboll

Palesta “Sezai Surroi” në Prizren ka qenë nikoqire e ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll, ndeshje në të cilën janë...

Mallkim nëne

Lajmet e Fundit