6.6 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026

Prizren: Parashkruhet lënda penale ndaj ish-gjyqtares Shemsije Sheholli

Lënda penale ndaj ish-gjyqtares, tani avokates, Shemsije Sheholli, e cila akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka arritur afatin e parashkrimit absolut.

Gjykata e Apelit, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, në dhjetor të vitit 2016. Mirëpo, nga janari i këtij viti nuk është mbajtur asnjë seancë, për shkak të mos prezencës së ish-gjyqtares Sheholli, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Si pasojë e shtyrjeve të vazhdueshme, ka ardhur edhe deri te vjetërsimi i lëndës më 2 korrik 2017, ende pa u mbajtur asnjë shqyrtim gjyqësor pas kthimit të lëndës në rigjykim.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me kryetaren e trupit gjykues, Raime Elezi, e cila ka thënë se në këtë rast penal ka marrë të gjitha veprimet të cilat i parasheh ligji, për të siguruar prezencën e të akuzuarës në shqyrtim, por sipas saj, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Elezi ka thënë se e pandehura që nga janari i këtij viti ka refuzuar të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor me arsye se është e sëmurë rëndë dhe nuk mund ta përballojë gjykimin.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit, Genc Nixha, i cili ka thënë se ai së bashku më gjyqtaren e rastit, kanë përdorur të gjitha mundësitë për të mbajtur rigjykimin, por sipas tij, një gjë e tillë është pamundësuar nga e akuzuara.

Nixha ka thënë se duke pasur parasysh që e akuzuara është profesioniste e lëmisë juridike, ka shfrytëzuar të gjitha metodat për t’iu shmangur shqyrtimit gjyqësor, pasi e ka ditur se do të arrihet parashkrimi absolut.

Për më tepër, ai ka thënë se në këtë rast është urdhëruar edhe sjellja me forcë e të akuzuarës, por një urdhër i tillë nuk ka arritur ta zbatojë policia me arsyetimin se e pandehura është e sëmurë rëndë.

Ndërsa, ish-gjyqtarja Shemsije Sheholli, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se është shumë e sëmurë dhe momentalisht është e palëvizshme. Ajo ka thënë se pikërisht ky rast penal, e ka sjellë atë në këtë gjendje shëndetësore. Sheholli, ka paralajmëruar se sapo të përmirësohet gjendja e saj shëndetësore, do të ndjek ligjërisht të gjithë ata, që sipas saj, e kanë dëmtuar në këtë rast.

Sheholli, tutje ka deklaruar se gjykata ka qenë tendencioze në rastin e saj, pasi që e ka dënuar me burgim, pa e administruar lëndën civile, në të cilën pretendohet se ajo ka bërë shkelje, e të cilën mangësi, sipas saj, e ka vërejtur edhe Gjykata e Apelit, për të cilin fakt edhe e ka prishur aktgjykimin në fjalë.

Për më tepër, ajo ka thënë se gjyqtarja e rastit, ka bërë shkelje, sepse ia ka dërguar policinë në shtëpi, për ta shoqëruar në seancën e 7 korrikut 2017, megjithëse pesë ditë më herët, ka arritur afati i parashkrimit.

“Betimi për Drejtësi” në vazhdimësi ka raportuar rreth këtij shqyrtimi gjyqësor.

Ndryshe, më 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, sipas të cilës e njëjta si gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve, Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet se i njëjti nuk  jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Sheholli, nuk i ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjorë të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.

Lidhur me këtë aktakuzë, ish-gjyqtarja Shemisje Sheholli më 27 maj 2016, është shpallur fajtore për veprat penale me të cilat ngarkohej, dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.

Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.

Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së  parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.

Lënda penale që nga janari 2017 është tentuar të rigjykohet, por Gjykata Themelore në Prizren ka qenë e pafuqishme që të mbajë një seancë të vetme, për shkak se e akuzuara ka refuzuar të marrë pjesë në gjykim me arsye se vuan nga sëmundje e rëndë.

Nga një raport mjekësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përpiluar sipas kërkesë së gjykatës, thuhet se e akuzuara ka refuzuar të ekzaminohet për arsye se e ka lënduar këmbën. Tutje, thuhet se nga shkresat mjekësore që përmban lënda, pacientja nuk ka probleme neurologjike për të përballuar një gjykim, ndërsa sa i përket aspektit psikiatrik dhe kardiologjik, nuk mund të përcaktohet pasi që nuk është bërë ekzaminim direkt.

Më Shumë

Që ti je një gomar, kjo është diçka që duket

(Poezia e plotë e Mimoza Ahmetit kushtuar Edi Ramës, viti 1993) Fytyrë e bukur dikur, tani stigmatike, në gjurmët e tua gjej vrasjen që të kanë...

Aksioni për pastrimin e Malishevës shtrihet në fshatrat Panorc, Rud dhe Llapçevë

Ka vazhduar sot aksioni për pastrimin e ambientit “Për Malishevën e pastër”, i cili po zbatohet në disa fshatra të komunës me qëllim të...

Lajmet e Fundit