Zeja e tabakëve në Prizren ishte ndër zejet më të njohura në Kosovë dhe më gjerë. Për zhvillimin e mbarë të kësaj zeje, ndikim të madh kishte zhvillimi i blegtorisë dhe kushtet e mira për blegtorinë. Zeja e tabakëve në Prizren ishte e njohur edhe para kohës së ardhjes së osmanlinjve, meqë zhvillimi i tregtisë ishte i njohur edhe para kësaj kohe.
“Madje Prizreni ishte si qendër e rrugëve që lidhnin Lindjen dhe Perëndimin, apo ishte qendër e degëzimeve të dy rrugëve kryesore qysh në kohën e Perandorisë Romake “Via de Zente”, që kalonte përmes Lezhës e Shkodrës dhe “Via Egnatia”, që kalonte përmes Elbasanit, e që lidhej Prizreni përmes Dibrës”, tregon Nexhat Çoçaj.
Ai shton se, ndonëse përpunimi i lëkurës ishte bërë që në kohë të lashta, sepse lëkura e kafshëve kishte shërbyer për veshmbathjen e popullsisë, zeja e tabakëve ka qenë një profesion i lashtë i shqiptarëve, por vetëm për përmbushjen e nevojave të familjes. “Ndërsa, në shekullin XVI, e në veçanti në shekullin XVII, kjo zeje nisi të bëhet më e kërkuar nga shtetet e Evropës. Kualiteti i regjisë së lëkurës dhe vetë lëkura e kafshëve të zonave malore të Prizrenit ishte më e kërkuar dhe vazhdoi të jetë e kërkuar krejt deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në vitin 1900, përkatësisht në kohën kur po përfundonte pushtimi Osman, në Prizren ishin 60 punishte të tabakëve, me qindra punëtorë, në vitin 1912 kishte 45 punishte të lëkurave, në vitin 1928 kishte 20 punishte, ndërkaq pas Luftës së Dytë Botërore tabakët e Prizrenit, sipas dëshmive të kohës, më 24. 11. 1945 e formuan Kooperativën e tabakëve, e cila kishte 86 anëtarë”, është shprehur ai.
Prodhimet e Prizrenit shiteshin në shumë vende të Evropës
Ilir Hodaj tregon se në vitin 1956, në Lagjen Tabahane, dyqanet e tyre i kishin edhe 24 punëtorë, që merreshin me këtë zeje, të cilët në fakt, një pjesë e tyre, punuan deri në vitet e shtatëdhjeta dhe pastaj kjo zeje u industrializua dhe nuk ekziston sot.”Për arsye të përpunimit të lëkurës, komplet lagjja, me disa punishte, e mori emrin “Mahalla e tabakëve”, për faktin se edhe kushtet për përgatitjen dhe pastrimin e lëkurave ua mundë- sonte këtyre zejtarëve lumi, që kalonte përmes qytetit. Në lidhje me zejen e tabakëve duhet të theksojmë se prodhimet e këtyre zejtarëve eksportoheshin qysh në kohën e osmanlisë në gjithë Evropën e në veçanti Hungaria ishte shumë e interesuar që ta ketë mallin e Prizrenit, për çka kishte dërguar edhe agjentë tregtarë, që bënin marrëveshje me tavanxhinjtë e Prizrenit”, tregon Ilir Hodaj për “Kosova Sot”.
Ai shton se me përpunimin e lëkurës në Prizren dikur nuk merreshin vetëm tabakët, por edhe saraçët, opingarët, papuçexhinjtë e këpucarët, të cilët me prodhimet e tyre ia rrisnin emrin Prizrenit jo vetëm në aspektin historik, por edhe në aspektin industrial. “Por, duhet theksuar se pos regjjes në Prizren bëhej edhe ngjyrosja e lëkurave dhe ngjyrat prodhoheshin nga bimët, që rriteshin në malet rreth Prizrenit. Për këtë arsye, zeja e tabakëve duhet të shikohet në një këndvështrim më të gjerë sesa një zeje e vetme, që ishte e njohur në Prizren”, pohon Hodaj.
Tabakët e Prizrenit dalloheshin për mjeshtërinë e përpunimit dhe sidomos të ngjyrosjes së lëkurës
Ndër zejtarët më të njohur të tabakëve, që kishin emër jo vetëm në Prizren, por në gjithë Evropën, sipas Kadri Halimit, që kanë bërë një studim të gjerë për këtë zeje, ishin: Hamdi Bajaraktari, Nijazi Isaja, Ramiz Isaku, Hamdi Krasniqi, Limban Krusha, Sejfullah Krusha, Shaban Kukësi, Muharrem Lojma etj.
Çoçaj thotë se në saje të kësaj zeje më pas në Prizren nisi punën edhe fabrika e këpucëve “Komuna”, e cila për një kohë bëri emër në eksportimin e mallrave, por mospërkrahja institucionale e ishJugosllavisë bëri që të shuhet kjo fabrikë, që kishte bërë emër. Anir Fejzullahu tregon se përpunimi i lëkurës për shekuj të tërë ishte njëra ndër zejet shumë të rëndësishme për të mbijetuar vetë shoqëria, kurse Prizreni ishte një qendër shumë e rëndësishme për shkak të zhvillimeve historike.
“Tabakët e Prizrenit dalloheshin për mjeshtërinë e regjjes, të përpunimit dhe sidomos të ngjyrosjes së lëkurës. Zejtarët shqiptarë punonin lëkurë të çdo lloji, me ngjyra të kuqe, të verdha, punonin meshinin e hollë të bardhë, saftjanin e butë, kajserin. Prodhimi i lëkurëve “kordovane” tërhiqte një numër tregtarësh të huaj. Lëkurëpunuesit punonin artikuj të ndryshëm, si shala, rripa, pajisje të ndryshme për popullsinë dhe ushtrinë”.
Ndërsa Samir Hoxha thekson se gëzoftarët punonin qyrke të bukura me lëkurë kafshësh të buta e të egra. “Kështu Prizreni tanimë kishte ngritur lagjen e “Tabakhanës”, lagje e cila për shkaqe të zhvillimeve të ndryshme në vitin 2014 as që ekziston më si lagje. Tanimë në Prizren ka mbetur vetëm emri i kësaj lagje”, thotë Hoxha. Nga gjithë ajo pjesë e lavdishme përpunimit të lëkurëve, tashmë ka mbetur një histori, pasi vetëm një person merret më përpunimi e lëkurës së edhave /kecave, të cilat edhe shërbejnë për lodra/tupanat që kanë rëndësi të veçantë në dasmat tradicionale.
(Kosova Sot)