29.3 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025

Dyndjet përgjysmuan banorët e Malësisë së Vrrinit

Rrëzë kodrës së Cvilenit, në pjesën jugore të qytetit të Prizrenit, lëshon shtat fshati Malësi e Vërrinit. Dy lumenjtë e vegjël që kalojnë përmes fshatit e ndajnë atë në dy pjesë. I pari fillon nga burimet pranë fshatit Lez, në lindje dhe disa burimeve të tjera që rrjedhin nga luginat dhe përroskat e shumta që ka kjo pjesë, dhe zbret teposhtë për t’u bashkuar pastaj në fund të fshatit me përroskën e dytë që burimin e merr afër fshatit Kushtendil.

I gjithë fshati, për nga shtrirja gjeografike, është i shpërndarë në disa pjesë, ndahet nga përroskat e shumta që rrjedhin nëpër mes fshatit. Gjeografia e rrëpishme kodrinore malore e gjithë zonës së Vërrinit, e në këtë rast edhe e malësisë, e bën këtë fshat të jetë i shpërndarë nëpër shumë pjesë. Ka rrafshina të pjesshme të vogla, të cilat deri vonë janë ruajtur dhe shfrytëzuar si kopshte bujqësore, ndërsa shtëpitë janë ndërtuar shpatijeve. Me kohën ndërtimi i fshatit ka vërshuar këtyre kopshteve dhe një pjesë e disa lagjeve në Malësi, jeton pranë këtyre kopshteve të cilat tanimë janë mbushur me objekte ndërtimi. E gjithë Malësia numëron diku nga 250 deri në 300 objekte banimi, apo shtëpi”, tregon profesor Baki Avdaj për gazetën “Kosova Sot”

Dyndjet e popullsisë

Duhet potencuar edhe një fakt, se Malësia e Vërrinit ka shumë pak hapësira për shtrirje në ndërtim, dhe po aq sa është sot, e ndoshta edhe më shumë, ka popullatë të shpërngulur në qytetin e Prizrenit. Dyndjet e popullsisë së këtij fshati janë zhvilluar nëpër faza të caktuara, sidomos kjo ka qenë fenomen i largimit të familjeve të mëdha, me numër të madh anëtarësh. Megjithatë, Malësia gjithmonë është shtuar për nga popullsia dhe sikur vetë ngushtimi i fshatit ka qenë promotor i dyndjes së popullatës, por në raste të caktuara edhe për një jetë më të mirë në qytet. Ky fshat sot ka gjithë infrastrukturën më moderne për jetë të mirë të këtyre banorëve. Por, edhe përkundër dyndjeve të popullatës së këtij fshati, drejt qytetit, Malësia gjithmonë ka qenë e plotë, duke e pasur parasysh hapësirën dhe shtëpitë brenda saj.

“Një fenomen tjetër ka qenë emigrimi i malësorëve, në vendet e huaja, në veçanti ato të Evropës perëndimore, si; në Zvicër me shumicë, pastaj në Gjermani, në Austri, në Itali dhe në vendet e tjera të Evropës. Karakteristik e kësaj dyndjeje është edhe fakti se shumica nga këta mërgimtarë, që ne i quajmë, kanë marrë me vete dhe familjet e tyre, dhe kjo dukuri, sikur pjesërisht Malësinë e shtjerrë për nga numri i banorëve”, ka theksuar Baki Avdaj. Ai shton se kjo dukuri hetohet më së miri tek nxënësit në shkollën e këtij fshati, sepse edhe përkundër numrit në rritje të nxënësve në shkollë, aty hetohet mungesa e shumë fëmijëve që marrin udhën e prindërve. Me iniciativën e disa intelektualëve të këtij fshati dhe disa kryepleqve të lagjeve, si: Baki Avdaj, Afrim Avdaj, Dalip Shabanaj, Neshat Shalaj, Sinan Maqkaj, Nexhat Maqkaj, Limon Kryeziu, Selajdin Selmanaj, Hazer Mehmetaj, Maliq Oruqaj, Emërllah Oruqaj, Selajdin Shabanaj, Feti Poniku, Mahir Ajgeraj, Arif Koqi, Bashkim Koqi, Nashit Koqi, Rami Shalaj, Hajriz Beshiraj, dhe shumë të tjerë u arrit pëlqimi për emërtimin e fshatit, në Malësi e Vërrinit nga ai Lybeçeve që ishte dikur. Emërtimi i ri i fshatit me këtë emër është parë i përshtatshëm për pozitën gjeografike të tij.

Fshati me spital ushtarak gjatë luftës

Gëzim Ajgeraj tregon për “Kosova Sot” se ky fshat ka pasur një traditë të lashtë të mikpritjes edhe për faktin se ka pasur bukë e kripë gjithmonë për mikun. E, kësaj i ka ndihmuar edhe fakti se ka pasur dikur edhe disa mullinj që ishin në një formë sofër buke, si: Mulliri i Limanit, Mulliri i Dautit, Mulliri i Hoxhës, Mulliri i Shamës, Mulliri i Brahës, Mullini i Asanit (Mulli elektrik).

Por, ajo që veçon këtë fshat është edhe fakti i toponimeve karakteristike, siç tregon Dr. Aftim Poniku. Toponimet janë: Te sadishtat,Te kroi Ramës,Te kryqet e nalta,Te krojzi,Te verrit, Te bungi etj. Ajgeraj tregon se gjatë luftës fshati kishte spitalin ushtarak të UÇK-së dhe ishte evakuimi më i afërt i atyre ushtarëve që plagoseshin në kufi me Shqipërinë. Shton se në këtë spital janë shëruar edhe shumë banorë nga popullata civile, sepse arsyet dihen, tanimë Vërrini ishte shpallur zonë e lirë nga UÇK-ja dhe popullata e këtyre fshatrave ndiqej kudo nga policia serbe. Gjatë ofensivës serbe mbi fshatrat e Vërrinit më 1 shtator 1998, nga granatat serbe plagoset edhe vetë përgjegjësi i këtij spitali Dr. Sherif Krasniqi (sepse edhe objekti i spitalit ushtarak ishte cak i granatimeve serbe nga vendi i quajtur Shtavat).

Kësisoj nga këto granatime të datës 1 shtator `98, qëndrimi në këtë objekt si për personelin, por edhe për pacientët, ishte i pamundur, prandaj përgjegjësi i këtij spitali, aty rreth orës 20.30 të datës 1 shtator `98, merr vendim që të largohen nga aty, duke i marrë me vete të gjithë të plagosurit, shërimi i të cilëve, për dy-tre ditë, sa ka zgjatur ofensiva, është bërë maleve, me mjetet që kishin mundur t’i merrnin në momentin e largimit.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Ka zgjatur vetëm rreth dy minuta seanca e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, duke prodhuar edhe një tjetër dështim në përpjekjen për konstituimin...

Shtatë aktakuza dhe dy ndalime në 24 orët e fundit nga Prokuroria e Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ndërmarrë një sërë veprimesh penale në 24 orët e fundit, përfshirë ndalime të personave të dyshuar, kërkesa për masa...

Lajmet e Fundit