10.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

12 Qershori i vitit 1999

Vetim SHALA

12 Qershori i vitit 1999, shënon ditën kur shqiptarët e Kosovës, me gjithë përpjekjet, sakrificat dhe luftën e vazhdueshme ndër vite e shekuj me radhë  arriten të çliroheshin nga kthetrat vrastare të armikut shekullor, pra Serbisë.

Para 19 viteve, fiks në këtë datë, kisha vetëm 6 vite të moshës time. E mbaj mend shumë mirë këtë ditë. Ishte ditë gëzimi e hareje. Gjithë fëmijët e lagjes, ndonëse ende nuk e kuptonim se pse gëzoheshin njerëzit shumë atë ditë, prap se prap e kuptuam se kishte ndodhur diçka e madhe.

Ne rrugën pranë shtëpisë sime, aty ku kishte edhe fëmijë të tjerë, shoh babin tim duke dalur nga shtëpia me vëllaun e madh. E shoh të përlotur dhe nuk po e kuptoja se pse po qante. Për një moment mu afrua dhe më tha; djali im sot është ditë e madhe. Na sot u çlirum. Ti ke me shku në shkollë shlirë edhe pa u tut prej kërkujna. M’ tha, hajde po shkojna n’Shadërvan e po i presim ushtart e KFORIT e të UÇK-së, se ata na kan çliru e t’dalim t’i presim qysh i ka hije.
Kur mbërritëm në qendër të qytetit të Prizrenit, pikërishtë tek Hotel Theranda, aty pashë qindra e mijëra njerëz, gra e burra, të rinjë e të reja, pashë fëmijë të shumtë. Të gjithë brohorisnin UÇK, UÇK, UÇK…. KFORI, KFORI, KFORI. U emocionova pa masë. Përkundër moshës së vogël që kisha, kuptova se të gjithë aty kishin dalur vetëm për një qëllim, kishin dalur të festonin ditën e çlirimit e të lirisë. Endërra për liri, tashme ishte bërë realitet.

Sot, 19 vite pas asaj dite, pyes veten se a kemi arritur të ndërtojmë një shoqëri e institucione të shëndosha. Shtet të mirëfilltë e në shërbim të popullit. Gjyqësor e prokurori të pavarur. Ekonomi e arsim cilësor. Mirëqenie stabile e industri zhvillimore. Mendoj se jo !

E vërteta është se, kur u bëmë Shtet i pavarur, menduam se ëndërrat tona po bëhen realitet. Se do të kemi një jetë të dinjitetshme e me të drejta të barabarta. Se do të ndërtonim të ardhmen për veten dhe fëmijët tanë. Ku jeta jonë do të ishte e qetë dhe pa dukuri negative në numër alarmant e shqetësues për shoqërine tonë. Por jo, nuk ndodhi kjo. Ndodhi ajo që asnjëherë se kishim menduar. U shndërruam në një përbindesh për vetëveten. Harruam vuajtjet tona përgjatë historisë. Ndërtuam një klasë politike, kriminale e të pacipë. Shkatërruam ekonominë e shkollat tona. Asetet shoqërore u privatizuan dhe u shkatërruan pa mëshirën më minimale. Lejuam të na prijnë njerëz të rrugës e jo te shkollës. Harruam gjakun e derdhur. Harrum të rënët tanë. Harruam idealin e zvetnuam vetëveten tonë.

Por, prapë vazhdoj të besoj e shpresoj, se një ditë, ky mentalitet provincial e përfitues, do të zhduket e do të vdesë përgjithmonë. Shoh një dritë shprese tek të rinjët tanë, ata besojnë në ndryshim. Rinia jonë është aseti më i çmuar i shoqërisë tonë. Ata nuk janë partikular. Janë idealist e mendimtarë.

Hajdeni të gjithë, pa dallim, të largohemi nga partikularizmat e t’a bëjmë ndryshimin pozitiv.
Ta kthejmë gëzimin e harenë e këtijë populli, sikurse me 12 Qershor të vitit 1999.

Të mos jemi optimistë pa vepruar, por të jemi optimistë duke vepruar!

Më Shumë

Lajmet e Fundit