LDK në Dragash ka mbajtur një mbledhje të dielën më 9 shtator, ku ka diskutuar për gjendjen në Komunën tonë.
Në fokus të kësaj mbledhje ishin dy pika: konkursi i fundit në arsim dhe anulimi i tenderit të ujësjellësit, njofton Opoja Sot.
LDK e konsideron të manipuluar konkursin në arsim duke thënë se “Komuna e Dragashit është me gjasë e vetmja komunë që praktikon testin me rastin e punësimit në arsim dhe kudo tjetër”.
Kryetari i degës Selim Kryeziu ka deklaruar se “nuk mundemi të heshtim në pafundësi”.
Për problemin e ujësjellësit LDK ka thënë se “Kryetari po mundohet që me çdo kusht tenderin në fjalë t’ia jep Kompanisë “EBK”, që pa fije turpi e morali ai vazhdon t’i lënë qytetarët e 15 fshatrave pa ujë të pijshëm”.
Komunikata e plotë
Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega në Dragash, ka mbajtur takimin e radhës, ku ka analizuar gjendjen në Komunën tonë.
“Shumë qytetarë këto ditë kanë kërkuar nga unë që të reagoj për shkeljet e keqpërdorimet e vazhdueshme që po bënë kjo Qeveria lokale. Pavarësisht se unë kam menduar se duhet dhënë pak kohë, derisa të stabilizohen si Qeveri e re që janë; Unë, Ne, nuk mundemi të heshtim në pafundësi.
Si kandidat për kryetar që kam marrë shumicën e votave të qytetarëve shqiptarë, pra të popullësisë shumicë, ndjej për obligim që t’u dal në ndihmë atyre, e kuptueshme, me mjetet që ka në dipozicion një kryetar i një partie opozitare”, ka thënë kryetari Kryeziu mes tjerash.
Kryesia e degës ka akuzuar Qeverinë lokale lidhur me konkursin e fundit të Drejtorisë së arsimit, konkurs që LDK e konsideron të manipuluar. Komuna e Dragashit është me gjas e vetmja komunë që praktikon testin me rastin e punësimit në arsim dhe kudo tjetër.
Përveç se një test me pyetje banale e që shihet qart se është formualuar nga injorantë, në publik ka dal edhe fakti se ky test u është dhënë paraprakisht kandidatëve “të preferuar”.
Nga fotografit e publikuara shihet qart se përgjigjet e sakta janë të hijezuara. Vet Drajtori i arsimit deklaron se “dikush e ka fotografuar”, që i bie se ai e pranon se teste të tilla, me përgjigje të gatshme ka pasur. LDK, është duke mbledhur faktet e nevojshme dhe posa t’i ketë ato të kompletuara, do të ngre një padi penale për këtë çështje.
Problem tjetër që u diskutua ishte edhe tenderi i UJËSJELLËSIT, tender që për të tretën herë anulohet nga Gjykata e tenderëve (OSHP). Kryetari, që në fakt është vetëm një marionet, po mundohet që me çdo kusht tenderin në fjalë t’ja jep Kompanisë “EBK”. Pa fije turpi e marali ai vazhdon t’i lënë qytetarët e 15 fshatrave pa ujë të pishëm për interes të një personi a kompanie, e me gjas në këtë interes është i përfshirë edhe vet ai.
LDK, nuk do të hesht kurrë përpara keqpërdorime të tilla që dëmtojnë rëndë interesin e pergjithshëm të qytetarëve për interesa të tilla të turpshme./Opoja Sot/