23.3 C
Prizren
E premte, 18 Korrik, 2025

Prizren, mbrojtja kundërshton aktakuzën në rastin e policëve që akuzohen se liruan veturën e pazhdoganuar

Mbrojtësit e dy zyrtarëve policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, e kanë kundërshtuar aktakuzën që ata i ngarkon me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Tafolli e Krasniqi, të cilët akuzohen se e kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse ajo ka rezultuar e pazhdoganuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Tafolli, avokati Arben Ramadani, ka deklaruar se e kundërshton aktakuzën për faktin se ajo nuk ka prova të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

“Nga dispozitivi i aktakuzës nuk shihet se kemi të bëjmë me përfitim të çfarëdo dobie apo dëmtimin e personit tjetër, si dhe shkeljen e të drejtave të personit tjetër. Andaj duke mos qëndruar këto elemente, nuk qëndron as dashja e drejtpërdrejtë si kusht i kësaj vepre penale. Nëse e interpretojmë edhe komentarin, i njëjti e trajton faktin se çdo shkelje eventuale nuk është vepër penale”, ka thënë avokati Ramadani, duke shtuar se ndaj klientit të tij, të merret aktgjykim lirues.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Krasniqi, avokati Asman Hoxha, ka deklaruar se kjo aktakuzë është e pa qëndrueshme dhe e pabazuar.

“Në asnjë vend nuk kemi hasur se në veprimet e këtu të mbrojturit tim, Rexhep Krasniqi, se cila ka qenë dispozita e shkelur nga i njëjti, pra na mungon përcaktueshmëria ligjore e veprës së pretenduar”, ka deklaruar avokati Hoxha.

Ai ka shtuar se sa i përket rrethanës se e kanë sekuestruar përkohësisht automjetin, askush më mirë se prokuroria nuk ka njohuri se cilat janë procedurat dhe cilat janë dokumentet të cilat vërtetojnë se një mjet është sekuestruar, e siç ka thënë, për habi në shkresat e lëndës nuk është asnjë dokument se automjeti është sekuestruar.

Avokati Hoxha ka deklaruar se i mbrojturi i tij, nuk e ka ditur se automjeti është i pazhdoganuar dhe se një rrethanë e tillë, sipas tij, është argumentuar nga shkresat e lëndës që nuk qëndron, ngase vet ngasësi i automjetit të vetaksidentuar në deklaratën e tij, dhënë në polici dhe në prokurori, ka deklaruar se i janë kërkuar dokumentet personale dhe të automjetit, por se ato nuk i ka pasur me vete.

Sipas avokatit Hoxha, automjeti ka pasur targa të Kosovës dhe se në mungesë të dokumentit personal dhe të automjetit, policia ka qenë e privuar nga mundësia për të ndërmarr veprimet e domosdoshme.

“Dua vetëm të shtoj se veprimi i të mbrojturit tim është në përputhje të plotë me nenin 215 dhe 217 të ligjit që ka të bëjë me rregullimin e trafikut rrugor. Andaj, në vazhdim të procedurës, do të arrijmë që me fakte dhe prova të hudhim poshtë pretendimet e prokurorisë përsa i përket kësaj çështje penale”, ka thënë avokati Hoxha.

Ndryshe, në këtë seancë ka dëshmuar edhe dëshmitari, Ilir Jasharaj, i cili ndryshe nga dy dëshmitarët tjerë, Naser Jasharaj dhe Afrim Jasharaj, si të propozuar nga ana e prokurorisë, të cilët në këtë seancë janë liruar nga dëshmia, me arsyetimin se të njëjtit kanë deklaruar se qëndrojnë në deklaratat e dhëna në prokurori, dhe se nuk kanë çfarë të shtojnë më tepër.

Këta dëshmitarë janë bashkëfshatarë të policëve të akuzuar, të cilën sipas pretendimeve të prokurorisë, më 14 shtator 2017, kanë qenë prezent në një lokal në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës së bashku me të akuzuarit, për të cilët thuhet se kanë dëgjuar biseda rreth rastit për të cilin janë të akuzuar Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi.

Dëshmitari Ilir Jasharaj, shumicës së pyetjeve të prokurores së kësaj çështje, Ervehe Gashi, u është përgjigjur se nuk i kujtohet për rastin.

Ai në disa raste është ballafaquar nga prokurorja Gashi, me deklaratat e tij që sipas saj janë kundërthënëse me ato që ka thënë në polici, por dëshmitari ka thënë se në momentin e marrjes në pyetje në Polici ka pasur presione, e për të cilin fakt nuk ka dhënë detaje se për çfarë presioni bëhet fjalë.

“Në deklaratën e dhënë në (IPK) Inspektoratin Policor të Kosovës, më 14 shtator 2017, në pyetjen e hetuesit policor të IPK-së, se a keni dëgjuar se çka është biseduar në tavolinë mes Naser Jasharaj, me policët Flurimin dhe Rexhepin, ju keni deklaruar, se me sa më kujtohet ka qenë biseda rreth një aksidenti të një veture që e ka marrë merimanga, ndërsa sot je deklaruar që nuk ke dijeni për një gjë të tillë, a është biseduar për këtë çështje apo jo në ditën kritike, në mes Naserit dhe këtyre dy policëve”, ka thënë prokurorja, Gashi

Në pyetjen e prokurores, dëshmitari ka thënë se ka dëgjuar diçka rreth një veture, mirëpo ka shtuar se nuk ka qenë në rrjedha se çka është folur.

“Në deklaratën e dhënë në IPK keni thënë se këtu të akuzuarin Flurim Tafolli, e ka thirr dikush në telefon, se çka kanë bisedua nuk e di, më pas në tavolinën që ishim ne së bashku me policët në fjalë, ka ardhur një person të cilin nuk e njoh, na ka përshëndetur dhe i njëjti është larguar së bashku me të akuzuarin, Flurim Tafolli, rreth 5-10 metra nga ne, ndërsa sot keni deklaruar se nuk është larguar fare me atë person askush, cila është e vërteta”, ka qenë pyetja e radhës e prokurores.

Dëshmitari Ilir Jasharaj, ka thënë se nuk ka përgjigje për këtë fakt dhe se nuk i kujtohet se çfarë kishte ndodhur.

Më pas, gjykatësja Ajser Skenderi, seancën e radhës për këtë çështje e ka caktuar më 4 dhjetor 2018, nga ora 10:00, si dhe për këtë seancë është paraparë të japin dëshminë e tyre edhe tre dëshmitarë të tjerë.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar,  megjithëse e njëjta ka rezultuar e pazhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë. /BetimipërDrejtësi/

Më Shumë

Joao Aguiar vazhdon misionin: “Braziliani i Prizrenit” gati për sezonin e tretë

FC Prizreni ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin brazilian Joao Aguiar edhe për sezonin e ri, duke hyrë kështu në vitin e tretë...

Albion Muhadri vazhdon me Drinin e Bardhë edhe një edicion

Klubi i futbollit Drini i Bardhë ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin me përvojë Albion Muhadri për sezonin e ri në Ligën e...

Lajmet e Fundit