3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Prizreni premton trefishin në kulturë

Prizreni9-18Më shumë se trefishim të buxhetit premtojnë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit, në projektet kulturore për katër vitet e ardhshme të mandatit të tyre, kjo po që se do ta fitojnë atë.

Secili prej tyre thotë se mundësitë për t’i menaxhuar punët e kulturës në këtë qytet janë aq të mëdha saqë edhe festivalet apo në përgjithësi organizatorëve të kulturës së Prizrenit do t’u jepen mundësi të paparashikuara në vlerë monetare. Kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit Zafir Berisha nga Bashkimi Demokratik, për “Zëri” ka thënë se me marrjen e mandatit, menjëherë do të trefishohet buxheti për kulturë.

“Ne fillimisht do të formojmë një bord të veçantë i cili do të merret me prioritetet e sferës së kulturës në qytetin tonë duke i mbështetur festivalet dhe projektet që tashmë kanë marrë formë ndërkombëtare” ka thënë kryetari i BD-së. Ai ka vënë në theks edhe shtëpinë e kulturës, që sipas tij, kjo është një mundësi e vogël për prizrenasit. “Prizreni ka një shtëpi të kulturës që nuk i plotëson kërkesat e një fshati e jo më të një qyteti e me këtë dua të them se edhe kjo është në planin tonë menjëherë pas marrjes së pushtetit”, ka thënë ai.

Mirëpo, Zafir Berisha ka shtuar se do të realizojë edhe një bibliotekë në hapësirat e të ashtuquajturës “Internad” (Terzi Mahalla) dhe sipas tij, edhe kthimi i kinemasë funksionale në këtë qytet. “Natyrisht se pas daljes si fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit, BD-ja do të kthejë shikuesit e kinemasë që momentalisht ka mbetur me një punëtor e kjo çfarë i ka ndodhur kësaj kinemaje nuk është normale aspak” ka përfunduar Berisha.

Ndërsa për ish kryetarin e Prizrenit dhe kandidatin të sërishëm nga radhët e LDK-së, Eqrem Kryeziu, komunës së Prizrenit do t’u kthehet një mori evenimentesh kulturore, që sipas Kryeziut ato jo që kanë munguar, por janë në duart e njerëzve që për qëllim kanë përfitimet e tyre vetjake.

Kryeziu ka thënë se primare për të është mbrojtja e trashëgimisë kulturore. “Kryesisht përveç projekteve jetësore të kësaj komune, LDK ka për synim që edhe iniciativave qytetare për organizime të ndryshme kulturore “mos ta ndalin dorën”, vetëm e vetëm të u tregojmë edhe vendeve tjera që ne nuk mjaftohemi me diçka ekzistuese, por gjithnjë me gjëra të reja e të mira” ka thënë Kryeziu.

Kultura dhe organizimet e ndryshme gjatë kësaj fushate për kryetarin e koalicionit AAK-LDD në Prizren, Lulzim Kabashi dhe për krijimin e mundësive të këtij lloji të organizimeve, janë në pritje. Zyrtarë në këtë koalicion, në degën e Prizrenit thonë se jemi në “Underconstruction!” të portalit informativ për qytetarët e Prizrenit.

“I gjithë plani edhe për kulturë, sport, ekonomi e bujqësi dhe të gjitha mundësitë e platformës qeverisëse për Prizrenin në katër vitet e ardhshme do të jetë në faqen e internetit dhe do të ketë qasje për të gjithë pa asnjë kufizim” ka thënë anëtari i shtabit të AAK-së në Prizren Ramiz Llugaxhiu. Por një ditë më vonë, u mbajt premtimi, ngase kjo faqe u vu në funksion dhe të gjitha planet qeverisëse u publikuan. Zyrtarisht në faqen lulzimkabashi.com mund të shihet qeverisja e Prizrenit. “Organizimi i javës së diasporës, financimi i festivaleve ekzistuese, mbështetja e konferencave, simpoziumeve, panaireve dhe aktiviteteve tjera të kulturës” është njëra nga premtimet e të parit të qytetit nga koalicioni AAK-LDD.

Anëtari tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, kandidat për kryetar të Prizrenit, Arbër Rexhaj, organizimet kulturore në Prizren i sheh të pasuruara. Ai thotë se kultura në alternativën tonë qeverisëse hynë edhe si kulturë edhe si ekonomi. “Ne parashohim një sektor për zhvillimin e artistëve të rinj ku komuna për çdo vepër artistike të lëmive të ndryshme në vit parasheh ndarjen e 30 mijë eurove për një artist të ri, po ashtu parashohim rifunksionalizimin e projekteve madhore në këtë qytet duke i ndihmuar në mënyrë që realizimet e tyre të bëhen pa pengesa” ka thënë Arbër Rexhaj, dhe veçanërisht Rexhaj ka shtuar se do t’ia kthejë qytetarëve kënaqësinë e dikurshme të muzikës rok.

Edhe Naser Bresa nga radhët e AKR-së ka një plan për këtë qytet. Ai thotë se emri i programit është “Prizreni Qytet Eko-Turistik”. Sipas tij, kultura në Prizren nuk mungon, por ai thotë se duhet trajtuar në mënyrë adekuate. “AKR dhe programi qeverisës për Prizren, ka hartuar strategji gjithë përfshirëse në të gjitha nivelet e kulturës shumë-etnike, duke hapur perspektivë për të gjithë krijuesit e rinj pa dallim moshe, gjinie apo etnie, për të punuar lirshëm dhe komod në zhvillim dhe aftësim të mëtutjeshëm” ka thënë Bresa, duke shtuar se në kuadër të programit të AKR-së parashihet të ndërtohet lokacion përkatës për Qendër multi-kulturore, me salla, si koncertale, balet, drame etj.

Kurse planifikimet e ardhshme të PDK-së në Prizren, në krye me Ramadan Mujën, kanë një plan të ri gjatë këtij mandati. Kjo parti thotë se gjatë mandatit të ardhshëm do të ndërtojë projekte shumë të mëdha e mjaft të kushtueshme. Plani i tyre për kulturë është që të ndërtojnë një bibliotekë moderne universitare, që sipas tyre lokacioni është caktuar, studimi i fizibilitetit është bërë dhe projekti i bibliotekës gjendet në fazën e politikave të tenderimit. “PDK planifikon që në mandatin e ardhshëm qeverisës të rrisë mbështetjen për organizimin e ngjarjeve kulturore tradicionale siç janë: Doku Fest, Zambaku i Prizrenit, Festivali i këngëve për fëmijë Fluturat, për të rinj Rock-Live, Hasi Jehon, etj” ka thënë Samir Hoxha, sekretari PDK-së në Prizren.

Ndërsa Nisma Qytetare për Prizrenin në krye me kandidatin për kryetar të Prizrenit, Fadil Kryeziu, ofrojnë mundësi për të gjithë ata që e bartin votën e tyre për Nismën qytetarë për Prizrenit do të ketë ndryshime sa i përket kulturës dhe trashëgimisë historike, që sipas Kryeziut, Prizreni mos të mbetet vetëm në nivel të deklaratave si qytet i kulturës e historik, por të jetë edhe me punë konkrete. “Për dallim nga qeverisja aktuale dhe të mëparshmet ne do të kemi një përqendrim në ruajtjen e asaj çka është trashëgimi, në kultivimin dhe avancimin e asaj që e bën qytetin tonë të dallohet nga të gjithë qytetet tjera në Kosovë dhe ky vend të marrë vendin meritor që i takon edhe praktikisht” ka thënë Fadil Kryeziu.

Por Pajtim Kosova nga Partia e Drejtësisë thotë se prizrenasit e meritojnë të kenë gjithnjë ndryshime pas ardhjes së tij në pushtet. Ai thotë se me ta marrë Prizrenin në udhëheqje pas 3 Nëntorit do të bëhet një ndryshim rrënjësor. “Mos të japim premtime të kota por të gjitha premtimet do t’i përmbushi dhe nuk do të kursej asgjë” ka thënë Kosova, duke shtuar se është në gjendje të lejë anash një projekt që nuk është në dobi të qytetarëve për t’iu dhënë mundësi artistëve dhe qytetarëve që marrin iniciativa për zhvillim kulturor.

Beni Kizolli nga Partia Konservatore, gjithashtu kandidat për kryetar të Prizrenit ka parashikuar një projekt për kulturë. Ai ka thënë se programi i kulturës përbën pjesë të rëndësishme të platformës së tij politike dhe të hartuar nga Kabineti i Qeverisjes së Mirë.
Primare për të është Biblioteka e re komunale, subvencionimi i organizatave kulturore, promovimi i programit “Vizito Prizrenin” si dhe programi edukativ- “Mbroje Prizrenin”.

“Politika e verbër dhe jovizionare, kulturën e ka trajtuar vetëm si garë për bukuri dhe koncerte për fëmijë. Andaj, ne do të jemi për një kulturë e cila mbështetet në frymë tradicionale, që i çmon, edukatën, dijen dhe si e tillë është shtylla e shoqërisë së emancipuar” ka thënë Kizolli, i cili ka shtuar se programet edukative informuese do të përgatiten nga institucionet qeveritare si dhe do të inkurajohen shoqatat jo qeveritare.

Më Shumë

Suhareka e refuzon kërkesën e Ballkanit që “Xhebrailat” të jenë në derbi

Tifozëri të tyre zyrtare nuk kanë. Por FC Suhareka po dëshiron që në derbin e qytetit, edhe Ballkani të luaj pa mbështetësit e tyre të...

Mbyllen 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e...

Lajmet e Fundit