Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka demanton akuzat e partisë Nisma, për hapjen e konkursit për 25 vende të punës.
Ai tregon se konkursi ka qenë i planifikuar më herët.
“Opozita paska tentuar që nëpërmjet dezinformimit të opinionit publik t’i vë njollë qeverisjes komunale duke aluduar në konkursin për shërbime të veçanta. Për hirë të opinionit publik, më duhet të sqaroj se konkursi është hapur për 25 pozita me afat të përkohshëm 6 mujor dhe të gjithë të rekrutuarit nga ky konkurs do të jenë të angazhuar në Sektorin e Legalizimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor për procesin e trajtimit aplikimeve për legalizim të ndërtimeve, të cilat janë me mijëra”, shkruan Haskuka.
“Angazhimi i tyre është një domosdoshmëri për Komunën, që buron nga Ligji nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje”.
“Ky konkurs ka qenë i planifikuar qysh më herët, por që ka qenë e mundshme të hapet vetëm tani pasi që kemi pritur udhëzimin administrativ, i cili është fuqizuar muajin e kaluar”.
“Drejtoria e Urbanizmit me numrin e personelit që ka në dispozicion e ka të vështirë të mbërrijë kompletimin e lëndëve për leje ndërtimore dhe procedura të tjera ditore, e lëre më t’i mbulojë edhe lëndët për legalizim”.
“Kështu që angazhimi i një personeli të përkohshëm për trajtimin e këtyre lëndëve ka qenë i domosdoshëm”.
“Për fund, shpresoj që reagimi ndaj këtij konkursi të ndikojë në tërheqjen e vëmendjes së profesionistëve, të cilët i ftoj të aplikojnë në këtë konkurs duke garantuar që do të rekrutohen të gjithë ata mbi vlerat e meritokracisë”.
Nisma Socialdemokrate në Prizren, e ka quajtur dje të pafytyrë kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka.
Sipas këtij subjekti politik, Haskuka po luan me ndjenjat e qytetarëve duke hapur konkurs për punësime në prag të fushatës zgjedhore.
“Nisma reagon ndaj veprimeve të ulëta dhe mashtruese të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka, i cili pozitën e kryetarit të komunës po e shfrytëzon për të luajtur me ndjenjat e të rinjëve Prizrenas, duke hapur në prag të fushatës zgjedhore 25 vende për angazhim me kontratë mbi vepër”, thuhet në komunikatën e Nismës.
“Pafytyrësia e kryetarit të komunës dhe komisarëve të tij politik, është e papranueshme për kulturën politike dhe institucionale të Prizrenit, edhe për faktin se ne para pak javësh kemi kontribuar që të angazhojmë me kontratë mbi vepër disa të rinjtë përmes MPMS-së, me arsyetimin e Mytës se nuk kemi mjete financiare si komunë”. /PrizrenPress.com/