2.8 C
Prizren
E premte, 22 Nëntor, 2024

Nijazi Kryeziu dëshmon në gjykimin për keqpërdorim detyre ndaj ish-inspektorit në Prizren

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën kryesore të së martës, ka dhënë deklaratën e tij si dëshmitar, Nijazi Kryeziu, i cili në kohën kur ka ndodhur vepra penale, ka qenë drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga mbrojtësi i të pandehurit, avokati Fatmir Jelliqi, se a ka qenë në njohuri për partneritetin publiko-privat, gjegjësisht për marrëveshjen në mes të Komunës së Prizrenit dhe investitorit “Shigjeta e Pashtrikut”, dëshmitari Kryeziu ka deklaruar se marrëveshja nuk është bërë gjatë kohës sa ai ka qenë drejtor, mirëpo sipas tij, ka qenë i njohur me të, sepse e ka trashëguar.

Dëshmitari Kryeziu, gjithashtu ka thënë se nuk mban mend nëse dikush kishte aplikuar për leje lidhur me objektin kontestues, si dhe atë se kjo çështje asnjëherë nuk ka qenë e shqyrtuar në bordin e drejtorëve.

I pyetur nga avokati Jelliqi, se a ka ndërmarr ndonjë veprim procedural si drejtor i Urbanizmit, ndaj investitorit i cili pohohet se nuk ka pasur leje ndërtimi, dëshmitari Kryeziu ka deklaruar se në praktiken e shqyrtimit të lëndëve në Drejtorinë e Urbanizmit, veprohet vetëm me kërkesë të palës dhe se kjo drejtori nuk bën vet hulumtime se kush ka leje, e kush nuk ka.

Prezent në seancën e së martës, ka qenë edhe prokurori Mehdi Sefa, i cili ka thënë se i pandehuri Enver Bytyqi, sa ishte inspektor i ndërtimit nuk ka ndërmarr asnjë veprim procedural, e as real për rrënimin e objekti pa leje në “Jeni Mahallë”, objekt ky i cili sipas tij, e ka shëmtuar qytetin e Prizrenit.

foto per web 14.01.2020

Pas dëgjimit të dëshmitarit Nijazi Kryeziu, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, ka vazhduar me administrimin e provave dhe leximin e shkresave të lendes .

Për shkak të pauzës së drekës dhe angazhimit tjetër pasdite të  avokatit Fatmir Jelliqit, gjyqtarja Elezi e ka ndërprerë seancën e së martës dhe të njëjtën e ka caktuar më 7 shkurt 2020, në ora 13:05.

Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatëmijë euro gjobë.

Prokuroria Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehuri Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit