15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Pse e dashurojnë Kadarenë, francezët?

Botuar në 1973 dhe 1988 pas shumë vitesh censurimi: “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit”, nga shqiptari Ismail Kadare, tregojnë për tensionet që çuan në përballjen e Shqipërisë së vogël me BRSS-në dhe më pas me Kinën. Ato përbëjnë diptikun “Koha e grindjes”, një tablo mjeshtërore e jetës së përditshme nën një diktaturë.

Fare mirë lejohet të konsiderohet e padrejtë pakënaqësia, nga e cila vuan tashmë shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i nominuar rregullisht për një çmim të shumëpritur “Nobel” për letërsinë, veprat e të cilit janë botuar nga botimet “Fayard”.

  1. Sepse lajmet nga Shqipëria janë të rralla

Konsideruar për një kohë të gjatë si kulmi i tmerrit komunist (një rol që tani e ka fituar Koreja e Veriut), sidoqoftë Shqipëria gjatë periudhës mizore të diktaturës së kudogjendur të Enver Hoxhës (nga 1946 deri në 1985), i siguroi botës një shkrimtar të madh, Ismail Kadarenë (lindur më 1936). Duke thithur më shumë nga analiza politike, sesa nga mitologjia, ai i kombinon romanet epike me frymën e së tashmes dhe alegorinë e së kaluarës. Nga kjo vepër, e përbërë nga tregime të shkurtra dhe nga romane-seri, del në pah veçanërisht diptiku “Koha e grindjes”, e përbërë nga “Dimri i vetmisë së madhe” (përfunduar në 1971, botuar në 1973) dhe “Koncert në fund të stinës”, i titulluar edhe “Koncerti” (përfunduar në 1981, botuar në 1988).

  1. Sepse lexojmë një mësim historie plot pasion

Ndërsa Bllokun komunist letërsia e Lindjes e portretizonte përgjithësisht si të bashkuar përballë Perëndimit të urryer, “Koha e grindjes” kronikon tensionet midis Shqipërisë së vogël dhe BRSS-së, mandej Kinës. “Dimri i vetmisë së madhe” zhvillohet gjatë dimrit të viteve 1960-1961, kur Enver Hoxha, pas një refuzimi nga sovjetikët për t’i dhënë grurë “motrës së vogël” të tyre të uritur, vendos që të ndërpresë lidhjet me Hrushovin.

Botimi i saj qe i stuhishëm. Kur u shfaq, në 1973, filloi një fushatë e egër kundër intelektualëve, ndër të cilët Kadare ishte viktimë. Libri u ndalua në 1975. Shkrimtarit iu desh të jepte një version të ri, ku shtoi pasazhe, duke theksuar unanimitetin e popullit shqiptar pas udhëheqësit të tyre të guximshëm. Ishte ky version i dytë, që u botua më pas në Francë, me titullin “Dimri i madh”, tek botimet “Fayard”. Edicioni i ri i botuar në Laffont-Bouquins ofron versionin origjinal.

Pjesa e dytë e diptikut: “Koncerti”, risjell shkëputjen me Pekinin në 1978, kur Hoxha u bashkua me Vietnamin në konflikt me Kinën. Kadare bëri asokohe disa vajtje-ardhje midis Pekinit dhe Tiranës dhe na shoqëron më shumë në anën e borgjezisë së vogël komuniste, sesa midis zyrtarëve të qytetit kinez. I ekspozuar ndaj censurës, këtij romani iu deshën shtatë vjet për t’u shfaqur.

  1. Sepse Ismail Kadare është një shkrimtar i madh

Asnjë nga këto dy romane të mëdha nuk kufizohet në temën e tij. Ky diptik, ndërsa vlerëson rezistencën e Hoxhës ndaj presionit ndërkombëtar, njëherazi për Kadarenë është edhe një pretekst për të përshkruar jetën e përditshme të një diktature. Heronjtë, të shumtë, përplasen me erërat e një historie që ata nuk arrijnë ta kontrollojnë.

Të ballafaquar me një fuqi, që sipas gjasës mund t’i zhys në marrëzi të paimagjinueshme, ata jetojnë nën kërcënimin e shkarjeve të mundshme dhe të pakontrollueshme. Te “Koncerti”, shkrimi është edhe më i arrirë, romani i bollshëm, polifonik, ngërthen burlesken dhe tragjiken, individualen dhe kolektiven, satirën dhe emocionin në një përzierje të mahnitshme./Konica.al

Më Shumë

Dërgohet në mbajtje shoferi i veturës së përfshirë në aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës ku si pasojë kanë vdekur dy persona, të dielën. Lajmin për...

“Beteja e Koshares” – Quni: Në raport me Serbi gjithmonë krijonim epërsi

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-Ministri i Mbrojtjes tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, Anton Quni ka dhënë detaje ekskluzive lidhur me Betejën e Kosharës. Quni...

Lajmet e Fundit