Komuna e Prizrenit ka nisur zbatimin e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndërtesat publike, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Në kuadër të përgatitjeve për nisjen e punimeve, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, me kërkesë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ka realizuar vizita në disa objekte të përzgjedhura: Ambulancën e Mjekësisë Familjare “11 Marsi”, shkollën “Ibrahim Fehmiu” në lagjen “Arbanë” dhe shkollën “Hysen Rexhepi” në lagjen “Ortakoll”.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë, Sylejman Baxhaku, punimet do të fillojnë fillimisht në AMF “11 Marsi”, duke shënuar edhe hapin e parë konkret të projektit në terren.
Ndërkohë, drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, theksoi se shkolla “Ibrahim Fehmiu” është një nga objektet me nevojën më të madhe për ndërhyrje, ku parashihet ndërrimi i të gjitha dritareve me materiale alumini, si dhe renovimi i instalimeve dhe përmirësime të tjera infrastrukturore.

Nga kabineti i kryetarit të komunës, Jona Hoxha bëri të ditur se pas auditimit të mbi 100 objekteve publike në të gjithë komunën, janë identifikuar 43 objekte që kërkojnë ndërhyrje në fushën e efiçencës së energjisë, me prioritet shkollat dhe ambulancat familjare.
Vlera e përgjithshme e projektit kap shifrën prej 6 milionë eurosh, ku 1 milion euro janë grant nga Bashkimi Evropian, ndërsa pjesa tjetër financohet përmes një kredie të EBRD-së, e cila do të shlyhet nga buxheti komunal në vitet e ardhshme.
Ky projekt pritet të zgjasë rreth një vit dhe synon përmirësimin e ndjeshëm të kushteve infrastrukturore dhe uljen e konsumit të energjisë në objektet publike të Komunës së Prizrenit./TV Prizreni/
