Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka mohuar se përpasja me deputetët e LDK-s ka të bëjë me çarjen brenda partisë.
“Absolutisht kjo s’ka të bëjë me LDK-n. Ka të bëjë me faktin që një deputet ka penguar mbarëvajtjen e seancës. Kur një deputet pengon mbarëvajtjen e seancës, sic e thashë, nuk është e drejtë. Dhe është detyrë e imja si kryetare e Kuvendit të marrë të gjitha masat në mënyrë që një gjë e tillë më të mos lejohet” – ka deklaruar Osmani.
Sa i përket rastit me deputetin e LDK-s Xhavit Ukaj, Osmani ka thënë se me këtë rast është duke u marrë policia.
“Deputeti në fjalë duhet t’i kuptoj pak më drejtë obligimet e tij si deputet i Kuvendit, për pjesën tjetër unë e di që s’pendohet, sepse, për fat të keq, nuk është hera e parë që kishte pas sjellje të tillë, në raport me institucionin. Në këtë rast, nuk është çështje personale, është në raport me institucionin, por me pjesën tjetër është duke u marrë policia, kështu që t’ia lëmë organeve hetuese të merren me të – ka thënë Osmani në “Indeks-Intervistë” – prodhim i Indeksonline.
“Ajo që dua të them është kjo: Nuk ka pas asnjë lëshim të vetëm në interpretimin e rregullores, kritikat që ia bëj vetes është që kam qenë më e butë se sa duhet me të” – ka deklaruar Osmani.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte kandiduar për postin e kryeministrit kurse pas rrëzimit të qeverisë Kurti, partia e saj e ka përjashtuar nga të gjitha funksionet si përgjigje ndaj kundërshtimit të saj për të bërë koalicion me partitë e PAN-it.