2.1 C
Prizren
E premte, 19 Dhjetor, 2025

Buxhovi: Rikthimi dhe ringritja e LDK-së është historike

Të dielen më 14 mars do të mbahen zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të përzgjedhur kryetarin e ri, pas dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa.

Mustafa dha dorëheqje nga pozita e të parit në LDK pas rezultatit të dobët të kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në garë për të marr drejtimin e partisë më të vjetër në vend, për momentin janë katër kandidatë por gjatë punimeve të kuvendit mund të ketë edhe kandidime të tjera.

Pas rezultatit më të dobët në historinë e LDK-së, një ditë pas zgjedhjeve, Isa Mustafa dha dorëheqje nga pozita e kryetarit, duke i hapur rrugë mbajtjes se zgjedhjeve të reja në këtë subjekt politik. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Anton Quni, qe i pari që e shpalli kandidaturën për ta pasuar Mustafën në krye të partisë më të vjetër në vend. Kandidaturën për të parin e LDK-së e kanë shpallur edhe Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa. Të gjithë këta kandidatë janë shprehur se do ta kthejnë LDK aty ku ka qenë si partia më e madhe në vend. Një ndër themeluesit e LDK-së, historiani Jusuf Buxhovi, ka thënë për Radio Kosovën se reformimi në LDK është i domosdoshëm. Duke mos komentuar rreth kandidatëve për të parin e LDK-së, Buxhovi tha se LDK duhet të ringritet, por nuk beson që kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve të së dielës.

“LDK është një parti historike. Rikthimi dhe ringritja e saj është po ashtu historike, sepse skena politike në Kosovë pa LDK-në, jo vetëm që mbetet pa një opozitë, por mbetet edhe pa fundamentin e vet që ia mban baraspeshën parlamentarizmit. Por se kur do të rikthehet dhe a do të rikthehet pas këtyre zgjedhjeve, është një çështje shumë diskutabile”, thotë Buxhovi.

Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen gjatë punimve të kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus një të delegatëve të pranishëm.

Duke marrë parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidat potencial i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në garën e kandidatëve për kryetar.

Në historinë e LDK-së, Isa Mustafa është i pari kryetar që ka dhënë dorëheqje. LDK-ja është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.

Më Shumë

Rahoveci 029 forcohet para duelit me Vëllaznimit

Një ditë para ndeshjes së rëndësishme me Vëllaznimin në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll, skuadra Rahoveci 029 është forcuar në pozitën e...

Kampioni i pamëshirshëm, Trepça “shkel” Yllin në Suharekë

Trepça fitoi bindshëm në Suharekë ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 69:98 (19:17, 12:35, 19:22, 19:24), në javën e 11-të të ProCredit Superligës, raporton...

Lajmet e Fundit