8.9 C
Prizren
E mërkurë, 5 Nëntor, 2025

Një fragment nga ditari i Lasgush Poradecit, në 34 vjetorin e vdekjes

Sot 34 vjet më parë ka vdekur poeti shqiptar Lasgush Poradeci.

Llazar Gusho ishte emri i vërtetë i shkrimtarit që kishte shkruar për yjet, dashurinë dhe gruan. Ai njihet me pseudonimin e tij letrar ‘Lasgush Poradeci’ e cila vie nga shkurtesat e emrit të tij dhe babait, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur vendlindjen e tij, Poradeci.

Lasgushi është autor i dy vëllimeve me poezi ‘Vallja e yjeve’ botuar në vitin  1933 dhe ‘Ylli i zemrës’ në vitin 1937. Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, ai u nderua me titullin ‘Nderi i Kombit’ dhe ‘Qytetar Nderi’. Shumë lagje të Shqipërisë mbajnë emrin e tij.

KultPlus në përvjetorin e vdekjes së Lasgushit, ju sjell një fragment nga ditari i tij:

Nga ditari i Lasgushit

– Poradec, 3 Nëntor 1977:

Dyke u kthyer që prapa Kalasë tatëpjetë ne “Lumi i trahanit” dhe buzë liqerit për në Poradec, ndenja disa minuta në lapidarin përballë fortesës italiane, me “Cuc”-in, konen t’ime besnike. Pas atyre pak minutave u ngrita, u ngrit përnjëheresh dhe ‘Cuc”-i, që eci përpara meje si gjithnjë, nj’a 7 a 8 metra përpara. Pa pritur pa kujtuar – “Cuc”-i po alurinte me alurim të math dyke u parpalitur dhe dyke u rrëkëllyer në rrugë, midis shkëmbit dhe fortesës, si dyke vdekur: rrëkëlleheshe me këmbët përpjetë dhe parpaliteshe, e drithte, e përdrithte trupin, dyke qarë dhe dyke u rrëkëllyer e dredhur e përdredhur me këmbët përpjetë dhe me gojën hapur e sytë e llahtarisur të zgurdulluar e të pavetëdijshëm. Obobo thashë me shpirtin t’im të tundur, të dëshpëruar: m’a kish shtypur kamioni, e kish marrë nënë rrota. E përkëdhela shumë, me sekonda, i thosha me emër: “Cuc”, “Cuckë”, “Cuc-Cuc” po ay nuk ngjalleshe. E pashë vdekjen e Cucit me sy, kujtova me tronditje të madhe se e humba Cucin e dashur, se më vdiq Cuci im aq besnik, i cili m’a gëzon jetën t’ime në Poradec ku unë jam i shkretë pa njerí, i vetëm, i shkretë si një eremit, ku unë, passi lë punën e shkrimit, s’vete nëpër kafene dhe pijetore se unë nuk pi dhe mua s’më pëlqejnë njerëzit e kafeneve me fjalët e tyre të kota, që kështu të kota më duken mua. Ata janë të lumtur me atë jetë të tyre, po mua më ngjajnë të kota fjalët e tyre. S’e kanë ata keq atë jetë të tyre të shoqërimit, ndofta s’e kam as unë keq këtë jetën t’ime të vetmuar, po ata janë të lumtur që e vrasin ditën ashtu, në shoqërim, kurse une e vras e s’e vras me vetminë t’ime. S’e vras dot fare dhe prandaj jam fatkeq. Që të shpëtoj prej jetës, t’a harroj të mos e kem në vetëdijen t’ime jetën t’ime, këtë lloj jete të mjeruar, unë ngjit Kalanë e Poradecit, larg njerësve, atje e harroj veten, shkrihem me natyrën, me bukuritë e mbëdha të natyrës rreth e përqark meje, sikur jam ashtu i lumtur, i qetë, sikur flas atje prapa Kalasë me Perëndinë. Sepse Kalaja, prapa, nga Perëndimi i saj, është shumë e bukur me 1000 pamje të mahnitshme, që mua m’a mahnitin ëmbël shpirtin t’im.

Kështu zbrita edhe sot prej Kalasë, që prapa Kalasë ku ngjit e sbres e qetësohem e gëzohem i ndjekur me aq besnikëri të madhe prej Cucit t’im. Po sot Cuc-i gjesh më vdiq, parpaliteshe dhe ish i mbytur në gjak; Kokën tërë gjak, veshët, trupin, tërë gjak. Kështu tërë gjak e përkëdhelnja të ngjallet, mezi m’u ngjall – isha unë vetë me duar e pallto me gjak. Lavdi zotit që s’më vdiq, që i shpëtoj vdekjes. Sa u gëzova që shpëtoj, po prapë kisha frikë mos më vdesë, aq i vrarë, i plagosur, i gjakosur ishte.

Lasgush

– Poradec, e Hënë 7 Nëntor 1977:

Sot “Cuci” mund të them se është më mirë: zuri të hajë, të baresë nga pak, sbret shkallët dhe nxiton ose harbon dyke çaluar nga këmba e përparme e djathtë.

Lasgush. /KultPlus.com

 

Më Shumë

Po finalizohet Amfiteatri në Bellobrad të Dragashit

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka vizituar sot nga afër disa nga projektet infrastrukturore që janë në fazën përfundimtare të realizimit. Gjatë vizitës...

Kapet gjysmë kilogrami kokainë në Vërmicë (FOTO)

Një rast i posedimit të paautorizuar i substancave narkotike është zbuluar mbrëmjen e së enjtes në pikëkalimin kufitar të Vërmicës. Siç njofton Dogana e Kosovës,...

Lajmet e Fundit