3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Turqia bllokon fillimin e bisedimeve në NATO për Finlandën e Suedinë

Turqia po i merr gjërat seriozisht dhe po bllokon, sipas disa mediave, fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Turqia e pranon anëtarësimin e tyre vetëm me kushte të caktuara.

Vetëm disa orë pasi Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO, duhej marrë vendimi për të nisur procesin e anëtarësimit të nevojshëm për këtë qëllim. Por siç raportuan disa media, Turqia e frenoi këtë plan dhe bllokoi vendimin.

Turqia kishte kërcënuar me veton ndaj pranimit të dy vendeve. Që Suedia dhe Finlanda të jenë pjesë e aleancës ushtarake, të gjithë anëtarët e saj duhet të miratojnë anëtarësimin e tyre.

Turqia shtron kërkesa

Por Turqia ka ngritur shqetësimet e veta të sigurisë dhe ka bërë kërkesa për dy kandidatët për anëtarësim. Presidenti Recep Tayyip Erdogan i fajëson Finlandën dhe Suedinë për mbështetjen e Partisë së ndaluar të Punëtorëve Kurdë (PKK) dhe milicisë kurde YPG në Siri. Turqia i konsideron të dyja këto organizata “terroriste”.

Përveç kësaj, qeveria turke po i bën presion Suedisë dhe Finlandës që të ekstradojnë përkrahësit e dyshuar të predikuesit islamik Fetullah Gylen, për të cilët Turqia dyshon se ndodhen në këto dy vende.

Në një fjalim drejtuar partisë së tij islamo-konservatore në pushtet, AKP, në Ankara, Erdogan riafirmoi qëndrimin e tij. Zgjerimi i NATO-s me këto dy anëtarë për Turqinë ka lidhje me respektimin e ndjeshmërisë së saj, theksoi kreu i shtetit turk. Ai kritikoi Suedinë dhe Finlandën se duan të mos heqin dorë nga mbështetja e tyre për “organizatat terroriste” në të ardhmen. Ai përsëri kritikoi Suedinë për refuzimin e ekstradimit të “terroristëve” dhe vuri në dukje:

“NATO është një aleancë sigurie, një organizatë sigurie. Në këtë kuptim, nuk mund t’i themi po bërjes së pasigurt të këtij organi të sigurisë”.

Zëdhënësi i NATO-s nuk dëshiron të flasë

Një zëdhënës i Aleancës nuk pranoi të komentojë mbi diskutimet brenda Këshillit të NATO-s. Ai thjesht theksoi se Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ishte i vendosur për të arritur një zgjidhje të shpejtë për Finlandën dhe Suedinë. “Këto dy vende janë partnerët tanë më të ngushtë dhe bashkimi me NATO-n do të rriste sigurinë euro-atlantike,” tha ai.

Qeveria gjermane tashmë e ka miratuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Kabineti Federal miratoi nënshkrimin e protokolleve të Traktatit të Atlantikut të Veriut në lidhje me pranimin e dy shteteve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz i garantoi dy anëtarët e rinj potencialë të NATO-s të martën se Gjermania do të angazhohej të ratifikonte shpejt kërkesën e tyre për anëtarësim. Sot në mëngjes, kancelari Scholz theksoi se Republika Federale tashmë ndihet e detyruar për mbrojtje reciproke, ndonëse Suedia dhe Finlanda nuk janë ende zyrtarisht pjesë e aleancës së mbrojtjes.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshëndeti edhe një herë në Twitter vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n. Politikania e të Gjelbërve foli më herët për një “moment historik” në një “situatë shumë dramatike” dhe këmbënguli, si kancelari Scholz, që të dy vendet duhet të pranohen sa më shpejt të jetë e mundur. /VOA

Më Shumë

Përfundon stinori vjeshtor, Rahoveci dimëron në vendin e parë

Me tri ndeshje të zhvilluara të enjten, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadrat favorite nuk kanë...

Vetëvendosje akuzon drejtorin Lamaj për manipulim të çmimit të shtyllave elektrike në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të drejtorit të Shërbimeve Publike të kësaj komune, Çelë Lamaj, të bëra gjatë seancës së...

Lajmet e Fundit