Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, të mërkurën ka ndarë titullin Doktor Nderi “Dr. Honoris Causa”, për z. Christopher S. Hyland, këshilltar i ish-Presidentit Bill Clinton, të cilin ia dorëzoi Rektori Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj. Ky titull ju nda për angazhimin dhe kontributin e rëndësishëm në kauzën e Pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, në mbështetjen dhe në forcimin e paqes.
Në ceremoni morën pjesë, përpos strukturave udhëheqëse të Universitetit dhe stafit, edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, lokale dhe nga komunitetet fetare.
Rektori Krrabaj me këtë rast theksoi se z. Hayland, ka dhënë kontribut të çmuar edhe për shumë kauza sociale, humanitare dhe ato të besimit. Përpjekjet e z. Hyland për një botë më të lirë dhe më të sigurt janë shembull që z. Hyland mund t’i jap të rinjve dhe intelektualëve të një vendi që përpiqet çdo ditë e më shumë të integrohet me vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në hapësirën e gjerë Euroatlantike. E gjithë veprimtaria, karriera dhe kontributet e dhëna nga z. Hyland na motivojnë të vlerësojmë sot me titull Dr. Honoris Causa z. Hyland, si një njeri i cili mëshiron tipare të larta të vlerave të lirisë dhe demokracisë që frymëzojnë të rinjtë, intelektualët, studentët, profesorët dhe kërkuesit shkencor shqiptar të cilët aspirojnë të i përmbushin këto vlera.
.Zv. Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit z. Dukagjin Popovci e vlerësoi si mjaft të qëlluar vendimin e Universitetit, duke theksuar se z. Hayland ka merita të veçanta për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare.
Me këtë titull Universiteti ka nderuar personalitete të shumta si : z. Erhard Buhler – ish-Komandant i KFOR-it në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha – Këngëtare dhe aktore, z. Rupert Neudeck – gazetar gjerman dhe humanist, Dr. Elaine Berkowitz – shtetase e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shkrimtarin z. Ismail Kadare.