Hoteli i bardhë” erdhi para pak javësh për publikun shqiptar nga Ombra GVG, por publiku ende s’e ka bërë reagimin e vet. Njerëz të librit s’kanë reaguar dhe më shumë akoma, rendja pas gjërave koti duket si ka lënë vend faktit që libri të shpërfaqet në të veçantën e vet dhe në auditorin vërtetë dashamirë të librit. Për fat, përkthyesi i nderuar i librit z.Pirro Dollani, mundësoi një intervistë me shkrimtarin që nuk u realizua dot më e plotë prej sëmundjes së autorit. Në pak rreshtat që autori i njohur ka sjellë personalisht për Milosao-n, shpjegon prekjen e tij me letërsinë. Fatkeqësisht, nuk e njeh letërsinë shqiptare, ndërsa redaktorit i ka kërkuar disa emra poetësh shqiptarë që janë përkthyer mirë në anglisht…Intervista është shumë koncize dhe autori është shfajsuar me pamundësinë e tij fizike…
Është disi keqardhje që “Hoteli i bardhë” mundi të vinte në shqip vetëm në vitin 2013. Gjithsesi, falë përkthimit të këndshëm të z. Dollani, publiku shqiptar ka mundësi që të njihet me një nga veprat më të mrekullueshme të shekullit të XX. Si arritët në këtë strukturë të veprës suaj? Apo ishit i detyruar nga tema e veprës?
“Romani erdhi dhe u rrit në mënyrë organike, gati në një mënyrë improvizuese. Kur shkrova ‘Don Giovanni’ nuk e dija ende se do të fillonte një roman. Vetëm se e dija që ishte një grua që po i fliste Frojdit. Unë nuk dija asgjë deri më atëherë për heroinën time, Lisa/Ana, derisa shkrova nën kumtin e Frojdit. Ai dhe unë, atëherë zbuluam se kush ishte ajo! Unë dija në mënyrë themelore se romani do të mund të lëvizte nga Eros-i tek Thanatos-i (Në një sens si të thuash nga poezia në prozë). Finalja, apo ‘fantazia’ shpirtërore më rrëmbeu me vete për habinë time”.
Ana Akhmetova ka shkruar njëherë se nuk ka letërsi pas Frojdit. Ju provuat të anasjellën. Madje edhe e përdorët në fikshënin tuaj. A keni ndonjë lidhje specifike me psikologjinë?
“Jo fare. Unë kam mbetur edhe vetë krejt i surprizuar (dhe i kënaqur, po ashtu) kur psikoanalistët më thanë se rasti i studimit të Frojdit tingëllonte shumë realist për ta”.
Dy pjesët e para të librit, e para me një poezi dhe tjetra në kompozim, duket se e parashikojnë gati të gjithë pjesën tjetër të librit, mbushur me strukturë epistolari. A u konsideruan dhe ato nga ju gjithashtu si lloje letrash gjithashtu? (Iu përgjigj të dy pyetjeve në një)
Në më shumë se gjysmën e “Hotelit të bardhë” kemi letra dhe përshkrime. Narracioni duket që qëndron veçmas tyre. Pse zgjodhët këtë formë?
“Nuk dua ta bezdis veten duke qëndruar në vetëm një zë, një stil, në roman: kështuqë më pëlqen ‘të futem’ edhe te personazhet e tjera, përmes elementit të letrave etj…”.
Motivi i ëndrrës ishte shumë interesant edhe tek një autor shumë i njohur ballkanik, Milorad Paviq. Ai, madje, e shkroi gjithashtu librin e tij më të mirë mbështetur në këtë motiv. A keni ndonjë lloj influence nga rrëfimi në këtë libër apo të tjerë syresh?
“Jo. Por tamam po mendoj tani se ne jemi të gjithë poetë në ëndrrat tona”.
A mund të na shpjegoni pak më shumë për Lizën, aftësinë e saj për të parë të ardhmen përmes ëndrrave. Si e krijuat këtë linjë historie që do të ishte shumë më e zakonshme më vonë në letërsi?
“Duket një ide shumë e frytshme fiksionale që të kesh Frojdin i cili kërkon përgjigje në të shkuarën e saj, fëmijërinë e saj dhe rininë, por gjithsesi edhe kjo është vetëm pjesë e të vërtetës, që kur ajo është jashtëzakonisht intuitive rreth tragjedisë së të ardhmes. Unë, vetë, kam pasur ëndrra të habitshme parashikuese”.
Duket se Liza nuk ka jetë intelektuale. Madje, gjërat intelektuale as nuk hasen shpesh në mendjen e saj. A e keni shmangur vetë këtë element?
“Le të themi se kjo nuk është tamam e vërtetë, pasi ajo njeh Pushkinin! Por, ta pranojmë: ajo është më shumë intuitive sesa intelektuale”.
Cila ishte qasja juaj më e parë me letërsinë? A ka shkruar ndonjëherë dikush nga familja juaj?
“Jo, im atë ishte një suvatues/murator; ai dhe ime më ishin tepër inteligjentë, gjithsesi kishin kryer vetëm shkollën fillore. Atyre u pëlqente të këndonin-imë më kishte një zë të dashur sopranoje dhe unë besoj se kjo më ka influencuar në zgjedhjen time për karrierën e Lizës. Të vetmet libra në shtëpinë tonë ishin ato që ata blinin për mua, ndërsa unë i përpija librat në vitet e mia të hershme”.
Kur filluat ta mendonit se mund të bëheshit shkrimtar?
“Kur isha njëzetë e një vjeç, pasi mbarova studimet e mia për anglisht në Oksford, pashë pasojat e një aksidenti me makinë, një vajzë e shtrirë mbi trotuar mbuluar me pallton e saj të kuqe mbi të dhe ndjeva një si simbisje pas qafe dhe mu atëherë e kuptova se do të shkruajë një poezi për të. Një poezi e keqe, por kjo e filloi të tërën!”
Para se të shkruanit romane ishit shumë i njohur si përkthyes dhe si poet. A ishte eksperienca e përkthimit ajo që ju ndihmoi në procesin e shkrimit?
“Epo të themi, nuk mundet që dikush të përkthejë Pushkinin dhe Akhmetovën pa mësuar sesi të shkruhet më parë. Është si të jesh një skulptor fillestar, i cili punon në punishten e Mikelanxhelos”.
Ku i gjeni zakonisht subjektet tuaja?
“Në jetën time dhe në tragjedinë e historisë moderne”.
A keni lexuar ndonjë vepër të ndonjë shkrimtari shqiptar, përkthyer në anglisht. Nëse keni lexuar, cili është opinion juaj për ta?
“Për fat të keq jo. A mund të më rekomandoni ju ndonjë nga poetët shqiptarë që janë përkthyer mirë në anglisht?”
A njihni diçka specifike rreth historisë shqiptare dhe shoqërisë?
“Sërish, jam mjerisht injorant”.