Pas shtrenjtimit të energjisë elektrike për mbi 15%, qytetarët e njohësit e ekonomisë kanë kërkuar nga Qeveria që t’u dalë në ndihmë me subvencione të reja. Sipas tyre, subvencionimi që është bërë deri tani nuk do të jetë më ndihmesë për ta, për shkak të shtrenjtimit të energjisë. Ndërsa, nga Qeveria thonë se kanë paraparë subvencione për ata që konsumojnë deri në 800 kWh, por edhe për rastet sociale.
Edhe nëse shpenzojnë më pak se gjatë muajit të njëjtë të vitit të kaluar, qytetarët nga ky prill do ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike.
Subvencionimi i tarifave, siç është bërë gjatë muajve të fundit nga ana e Qeverisë, po vlerësohet se nuk do të jetë më ndonjë ndihmesë për qytetarët. Kjo për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike për mbi 15%.
Njohës të ekonomisë thonë se ekzekutivi duhet të hartojë politika të tjera zhvillimore e të rrisë mbështetjen për qytetarët përmes pakove të ndryshme.
Mirëpo, nga Qeveria thanë se do t’i subvencionojnë familjet që konsumojnë deri në 800 kwh.
Ndërsa për përfituesit e ndihmës sociale, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, do të ketë trajtim të veçantë.
“Qeveria si përgjigje ndaj vendimit të ri të ZRRE-së, ne do t’i subvencionojmë familjet për konsum deri në 800 KWH. Do t’i subvencionojmë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente. Për më tepër, do të subvencionojmë edhe pajisje tjera shtëpiake, jo vetëm për ngrohje. Gjithashtu, për herë të parë do të subvencionojmë bizneset e vogla për të blerë pajisje efiçente. Pra, në vend që të subvencionojmë importin e shtrenjtë, do të ndihmojmë familjet e bizneset për të ulur shpenzimet e energjisë. Grupet e cenueshme, siç janë përfituesit e Ndihmës Sociale, do të kenë trajtim të veçantë në masat në lidhje me energjinë”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.
Me vendimin e ri, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 1 mijë kWh, rritja e çmimit të energjisë do të jetë 10 euro e 51 centë, ndërsa për ata që shpenzojnë 1,200 kWh, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë.rtklive