0.8 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Konkursi për stomatologë qe 1 vit i hapur: Prokuroria nis hetime në Komunën e Prizrenit, sot anulohet

 

Ka kaluar më shumë se një vit që kur Komuna e Prizrenit, që udhëhiqet nga Shaqir Totaj, ka hapur konkurs për pranimin e tre stomatologëve në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Konkurs ky që u stërzgjat mjaft shumë nga persona kompetent, dhe gjatë rrugëtimit të tij kanë dhënë dorëheqje Kryetarja e Komisionit, Dashurije Beqaj, së bashku me dy anëtarë të komisionit.

Rreth këtij konkursi Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimet.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Fitore Mehmeti në një prononcim për Gazetën Nacionale.

Referuar pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se rasti në fjalë aktualisht është në fazën e hetimeve fillestare. Prokurori i shtetit brenda afatave ligjore do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Andaj, për çdo eventualitet lidhur me rastin, do të njoftoheni me kohë.” – thuhet në përgjigjen e saj.

Pas fillimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë, konkursi për tre stomatolog sot është anuluar komplet nga Komuna e Prizrenit.

Nacionale i është drejtuar komunës për të marrë më shumë detaje, mirëpo drejtoresha për Shëndetësi, Burbuqe Berisha ka kërkuar që të drejtohemi në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore.

Berisha në përgjigje për gazetën ka thënë se Drejtoria Komunale e Shëndetësisë është vetëm njësi kërkuese sa i përket pozitave për të cilat duhet të zhvillohen procedurat e rekrutimit.

“Ju lus që pyetjet e parashtruara t’i drejtoni në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të Komunës së Prizrenit, pasi që ata janë përgjegjës për zhvillimin e procedurave rekrutuese, ndërsa DKSH është vetëm njësi kërkuese sa i përket pozitave për të cilat duhet të zhvillohen procedurat e rekrutimit.” – ka thënë ajo.

Pas kësaj Gazeta Nacionale i është drejtuar edhe Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Mirëpo, që konkursi u anulua, Nacionale e ka mësuar nga vendimi që është publikuar në faqen zyrtare të komunës.

Në vendimin e tyre thuhet se afati i anulimit është zgjatur për shkak të konfuzionit që ka shfaqur Zyra Ligjore lidhur me përfundimin e procedurës së rekrutimit pas dorëheqjes së dhënë nga tre anëtarë të komisionit.

Çfarë kishte ndodhur me këtë konkurs?

Mbi tridhjetë kandidatë kishin aplikuar për tri pozitat për stomatologë, të njëjtit me datën 10 qershor të vitin 2022 kishin hyrë në test me shkrim, mirëpo nga ajo ditë e deri më tani rezultatet nuk janë publikuar, dhe kjo ka bërë që kandidatët të kenë të pamundur të kalojnë në fazën e dytë të konkursit.

Gjashtë muaj më parë, Gazeta Nacionale kishte raportuar për këtë konkurs, dhe në atë kohë, kryetarja e komisionit, Dashurije Beqaj, që kishte dhënë dorëheqje ka deklaruar se dorëheqja e komisionit është bërë për çështje principale.

“Është e padenjë nga unë që tashmë kam dhënë dorëheqje të flas për konkursin, vetëm dua ta potencoj se dorëheqja e gjithë komisionit është për çështje principale.” – ka deklaruar Beqaj.

Beqaj, ka treguar se e ka njoftuar drejtoreshën e Shëndetësisë, Burbuqe Berisha dhe kryetarin, Shaqir Totaj për dorëheqjen e saj.

E vërtetë është se unë kam qenë kryetare e komisionit por që në ndërkohë unë dhe të dy anëtarët e komisionit kemi dhënë dorëheqje dhe për këtë e kemi informuar drejtoreshën e shëndetësisë dhe kryetarin e komunës të cilët tashmë janë përgjegjës për rrjedhën e mëtutjeshme të procesit.” – ka thënë Beqaj.

Atë botë, Nacionale i kishte dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike te zyra e personelit në Komunën e Prizrenit.

Të njëjtit kishin treguar se konkursi për stomatologë është ende në shqyrtim.

“Konkursi në fjalë është në shqyrtim, pasi të shqyrtohen të gjitha shkresat e brendshme, kërkesa për dorëheqje nga kryetarja e komisionit dhe dy anëtarëve të tjerë të komisionit dhe shkresave të zyrtarit ligjor lidhur me anulimin e kësaj procedure, ne në momentin e marrjes së vendimit do të ju njoftojmë rreth kësaj procedure.” – kishin thënë nga Komuna e Prizrenit.

Më Shumë

Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavës

Prishtina dhe Ballkani kanë ndarë pikët duke luajtur baras 1-1, të dielën në ‘Fadil Vokrri’. Prishtinasit dhe kampionët në fuqi të Kosovës, u përballen në...

Limaj: Të zgjohemi për ta shpëtuar Kosovën, ata donin që historia të niste me ta sepse s’kanë kurrfarë historie

Kryetari i Nismës Socialdemokrate tha se “shtë koha e rezultateve dhe jo e fjalëve, është koha e personaliteteve të dëshmuara që prapa vetës kanë...

Lajmet e Fundit