7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Vetëvendosje: Ka parregullsi në përzgjedhjen e sekretarëve të shkollave në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren thotë  se procesi i përzgjedhjes së sekretarëve të shkollave në Komunën e Prizrenit është realizuar me mostransparencë, si dhe me shkelje e parregullsi ligjore.

Sipas këtij subjekti politik, të përzgjedhurit nga konkursi i fundit pothuajse janë të njëjtit që ishin shpallur kandidatë fitues në konkursin e anuluar vitin e shkuar.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Drejtorinë e Arsimit, përkatësisht me mos transparencën e saj me përzgjedhjen e sekretarëve në disa prej shkollave në Komunën e Prizrenit. Siç e dimë të gjithë, konkursi për sekretarë të shkollave i shpallur më 13.05.2022, për shkak të parregullsive dhe shkeljeve të mëdha ligjore është anuluar me datë 30.09.2022. Konkursi i anuluar me Nr. RN00009016 është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, për të cilin ende nuk e kemi marrë një përgjigje se çka është duke ndodhur me të! Mirëpo, konkursi i cili është duke u hetuar nga Prokuroria për shkak të parregullsive dhe shkeljeve ligjore për pozitën sekretar në shkolla, është rishpallur për herë të dytë. Nga përzgjedhja e kandidatëve fitues vërejmë se janë pothuajse të njëjtit persona të cilët kanë qenë të përzgjedhur si kandidatë fitues në konkursin e parë i cili është anuluar”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Sipas subjektit opozitar, kandidatët fitues në konkursin e rishpallur janë “persona të afërt me PDK-në, e cila udhëheqë me pushtetin komunal si dhe asambleistë të Kuvendit të Komunës, të cilët vazhdimisht kanë pretenduar se gjoja janë të pavarur në vendimet dhe veprimet e tyre, mirëpo vota e tyre e kushtëzuar pro pushtetit komunal po shpërblehet me favore dhe pozita të punës si Sekretar të shkollave”.

“Të gjithë kandidatët e përzgjedhur i kanë nënshkruar kontratat e tyre dhe kanë filluar punën si sekretarë të shkollave. Kjo përzgjedhje e kandidatëve fitues është bërë në mos transparencë të plotë. Të gjithë kandidatët fitues e kanë filluar punën e tyre si sekretarë të shkollave ende pa u bërë publikimi i listës së kandidatëve fitues në konkursin e rishpallur për sekretarë të shkollave dhe ende pa e pasur një përgjigje dhe vendim final nga organet e drejtësisë për konkursin e parë më Nr. RN00009016”, thuhet në komunikatën e LVV-së, ku i bëhet thirrje organeve të drejtësisë që të hetohet konkursi i rishpallur për sekretarë të shkollave.

Më Shumë

Tensioni i ulët i rrymës shqetëson banorët e Malësisë së Re në Prizren

Tensioni shumë i ulët i rrymës elektrike, i shkaktuar nga rrjeti i vjetëruar i përçuesve, mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për banorët e fshatit...

Dy personave në Prizren u gjendet pistoletë dhe thikë në çanta

Policia e Kosovës njofton se të hënën është raportuar që te dy persona të dyshuar në çanta u është gjetur një pistoletë me gaz...

Lajmet e Fundit