Rregullimi i këtij bulevardi u bë ashtu siç ishte paraparë, për më pak se 1 vit.
Kurse, shpejtësia e përfundimit të këtij projekti, por edhe shumë projekteve të tjera në kohë, bëri që komuna e Malishevës të rangohet e para për realizimin e investimeve kapitale për gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas raportit të institutit GAP, Malisheva shpenzoi 79 për qind të buxhetit për investime kapitale.
“Në këto projekte përfshihet asfaltim i rrugëve, rregullimi i kanalizimeve, por sigurisht ajo që na ka ngritur është rregullimi i bulevardit, i cili…”, tha kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.
I pari i Malishevës thotë se do të vazhdojë me realizimin e projekteve në mënyrë që këtë renditje ta mbajë edhe në vitet e ardhshme.
“Kemi edhe disa projekte të cilat duhet të përfundojnë, është rregullimi i sheshit te dëshmorët për të cilat kontrata për fillimin e punimeve ka përfunduar…”, tha Kastrati.
Sipas këtij raporti, pas Malishevës renditet Obiliqi me 62 për qind të realizimit për investime kapitale.
Por ka edhe komuna që edhe pse i patën paratë nuk e nisën as edhe një projekt. Njëra nga to është komuna e Kllokotit, ndërkaq komuna e Vushtrrisë, ajo e Hanit të Elezit e ajo e Shtërpcës realizuan vetëm 1 për qind të investimeve kapitale.
Komunat hiç më mirë nuk janë as në përmbushje të premtimeve, pasi, sipas hulumtimeve të GAP-it, vetëm 26 për qind e premtimeve janë përmbushur.
“Komuna e Prishtinës, nga 206 premtime të dhëna, i ka përfunduar 29 prej tyre, derisa 85 prej tyre nuk kanë nisur ende. Po ashtu, edhe Komuna e Gjakovës, nga 35 premtime të dhëna deri në qershor të këtij viti, i ka realizuar vetëm 6 prej tyre…”, tha Bekim Salihu, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP.
Sipas tyre, 16 për qind e premtimeve janë gjysmë të përmbushura, derisa 23 për qind prej tyre kanë filluar të realizohen/ATV
Reklamë