11.3 C
Prizren
E martë, 4 Nëntor, 2025

Erzen Shkololli emërohet kurator i edicionit të pestë të Autostrada Biennale, 2025

Autostrada Biennale në Prizren njofton me kënaqësi se Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të 5-të, i cili do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor 2025.

Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014 me misionin për të përdorur artin bashkëkohor si një mjet për të fuquizuar komunitetin dhe për të nxitur kreativitetin me vizionin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Me këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Bar?? Karamuço, deklaruan: “E mirëpresim emërimin e Erzen Shkolollit kurator të edicionit të 5-të të Autostrada Biennale. Ekspertiza e gjerë e Shkolollit dhe bashkëpunimi i tij me institucione vendore e ndërkombëtare dhe artistë të shumtë nga rajoni dhe bota i përshtatet në mënyrë të përkryer karakterit të Bienales. Erzeni bëhet kuratori i parë kosovar i bienales dhe bashkëpunimi ynë me të synon të përmbushë njërin prej qëllimeve tona për shndërrimin e artit në një forcë, që sjell ndryshime pozitive dhe mirëqenie.”

Erzen Shkololli (1976) është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Ljubljanë. Shkololli ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011–2015). Nën udhëheqjen e tij, të dy institucionet kanë kaluar nëpër transformime të rëndësishme. Krahas roleve të tij në institucione, Shkololli ka shërbyer si komisioner i pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias (2013) dhe ka kuruar ekspozita ndërkombëtare, duke përfshirë Edi Hila: Piktori i transformimit (2018), bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë; Ne jetojmë mbi një yll (2016), edicioni i dytë i Trienales Hannah Ryggen, i ekspozuar në Ørland dhe Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum, Trondheim; Bota nuk do të dëgjojë (2007) në Punëtorinë e Artit Lazareti, Dubrovnik; Historia filloi të luante me jetën time (2007) në Digital Art Lab (DAL), Holon, Izrael; dhe Rishfaqja (2004) në Muzeun e Kosovës, Prishtinë. Shkololli shërbeu si këshilltar kuratorial i documenta 14. Ai u nderua me bursën DAAD Artists-in-Berlin (2008/2009) dhe Premio Michetti nga Fondazione Michetti (2001). Në vitin 2013 bashkëthemeloi Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në Stedelijk Museum në Amsterdam, Centre Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë.

“Jam i nderuar me këtë emërim prestigjioz. Si kosovari i parë i ftuar për të kuruar Autostrada Biennale-n në Prizren, ndjej një respekt të thellë dhe i gëzohem mundësisë së bashkëpunimit me një nga platformat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Kosovë dhe në rajon. Për mua, kjo është një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe, të cilën po e pranoj me entuziazëm dhe ambicie. Mezi pres të bashkëpunoj ngushtë me ekipin e jashtëzakonshëm të biennales, për të sjellë artistë në Kosovë dhe për t’i zbatuar projektet e tyre. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për themeluesit e bienales Leutrim Fishekqiun, Vatra Abrashin dhe Bar?? Karamuçon, për këtë mundësi të veçantë,” tha Shkololli.

Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale ka dy funksione – organizimin e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor që mbahet çdo dy vjet, që nga viti 2017, dhe Autostradën Hangar, hapësirën për edukim, krijim dhe ekspozim në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman (tani, Parku i Inovacionit dhe Trajnimit). Me këtë të fundit, ne kemi zgjeruar platformën tonë, duke e parë procesin e krijimit të artit si formë të qëndrueshme të të mësuarit dhe shkëmbimit, që u përgjigjet nevojave të komuniteteve artistike. Autostrada Biennale gëzon mbështetjen e një game të gjerë institucionesh, artistësh e artdashësish. Kjo platformë ka zhvilluar partneritete të suksesshme me organizata dhe institucione të ndryshme, duke përfshirë Fondacionin Allianz, Ministrinë e Kulturës në Kosovë, Komunën e Prizrenit, Komunën e Prishtinës, Fondacionin për Iniciativa Artistike, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ITP Prizren, e shumë të tjerë.

Kuratorët e mëparshëm të Autostrada Biennale-s:
2017: Manray Hsu
2019: Giacinto Di Pietrantonio
2021 & 2023: Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmu?o?lu

Më Shumë

Prizreni mposhtet minimalisht nga Feronikeli

Në kuadër të Raiffeisen Ligës së Parë, Prizreni është mposhtur sot me rezultat minimal 2–1 nga Feronikeli, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin “Rexhep...

Sulmoi me thikë dy persona në Suharekë, arrestohet i dyshuari

Një person është arrestuar mbrëmjen e së hënës, pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar me thikë dy burra në Suharekë. Sipas raportit 24-orësh, viktimat...

Lajmet e Fundit