16.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

Tahir Batatina e paralajmëron Ballkanin e Ilir Dajës: S’dorëzohemi lehtë, do të jemi në garë për titull deri në fund të kampionatit

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka paralajmëruar Ballkanin e Ilir Dajës se nuk ka marrë fund ende asgjë sa i përket garës për titullin e kampionit.

Llapjanët e mposhtën kampionin aktual të Kosovës me rezultat 5:3 pasi e zhvilluan ndeshjen më të mirë të sezonit.

Kjo bëri që ekipi nga “Zahir Pajaziti” t’i afrohet në 7 pikë ekipit Portokalli, ndonëse ky i fundit i ka dy lojë më pak të zhvilluara.

Në një lidhje direkte në emisionin sportiv “Favorit” në T7, trajneri karizmatik insistoi se lufta për titull të kampionit nuk ka marrë fund ende pasi ka edhe shumë për t’u zhvilluar deri në fund të sezonit, shkruan “Gazeta Express”.

Batatina madje uron që edhe Drita bashkë me Llapin, ta rivalizojnë Ballkanin deri në fund të sezonit, në mënyrë që ky kampionat të jetë më interesant, si dhe uroi që në fund të festojë më i miri prej tyre.

“Për ne ka qenë me rëndësi të arkëtojmë sa më shumë pikë dhe besoj që e arritëm objektivin në këtë sezon deri tash. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, nga ne dhe nga Ballkani, të dyja skuadrat kemi cilësi, iu kemi qasur lojës në mënyrën më të mirë të mundshme. E kam pasur kohën e mjaftueshme që ta analizoja kundërshtarin në detaje, duke e ditur se Ballkani di të të ndëshkojë që nga fillimi, por edhe në çdo moment të lojës, por ne i kemi marrë të gjitha masat. Më meritorët për këtë fitore janë lojtarët, përgëzimet dhe lëvdatat shkojnë për ta, pasi bënë shumë në fushë, luftuan dhe i arkëtuam tri pikë, që ishin mjaft të rëndësishme në një ndeshje që ndoshta ka qenë ndeshja më e bukur e sezonit vjeshtor”, deklaroi fillimisht Batatina në “Favorit”.

“Llapi duhet ta bëjë maksimumin në vazhdim të sezonit. Shpresoj që Llapi në sezonin pranveror do ta ketë një fytyrë krejt ndryshe, një skuadër që ka nisur ta marrë formën e vetë, që po komponohet, lojtarët po e njohin njëri-tjetrin dhe që unë ta njoh krejt potencialin e tyre se çka mund të më japin. Mendoj se e kemi krijuar një skuadër shumë të mirë, besoj shumë në këta djem, në këta lojtarë, besoj shumë në stafin që e kam përreth duke nisur nga drejtori sportiv, në kryesinë që po na rri afër me mjete financiare, aspekti financiar është shumë i rëndësishëm”, vazhdoi trajneri llapjan.

“Dhe, kur i kemi parasysh krejt këta parametra, pse jo Llapi ta rivalizojë Ballkanin e Dritën në pjesën pranverore, pra jemi tri skuadra, por nuk duhet ta harrojmë as Prishtinën, por s’duhet ta nënvlerësojmë as Malishevën. Sidoqoftë, jemi tri skuadra që do të luftojmë deri në fund për kreun e tabelës. Shpresoj që do ta bëjmë një gjë të tillë pasi Superliga nuk do të kishte hijeshi që të mos ketë rivalizues deri në fund të kampionatit, dhe shpresoj që edhe ne edhe Drita ta bëjmë maksimumin dhe cila skuadër të jetë më e mirë, të arrijë të bëhet kampion”, shprehet tutje Batatina në “Favorit”.

“Mendoj që është herë ende për të thënë se ka marrë fund gjithçka sa i përket titullit sepse janë shumë pak pikë, të cilat shumë shpejt mund të shkrihen, secila skuadër mund ta ketë pjesën e mos-rezultateve pozitive, atë ngërçin e vetë sportiv që e quajmë ne. Sidoqoftë, ne do ta bëjmë maksimumin në vazhdimësi. Na ka mbetur edhe një ndeshje, të japim gjithçka nga vetja, ta presim sezonin pranveror dhe ta shohim se çka do të sjellë”, përfundoi Batatina. /Gazeta Express/

Më Shumë

Dominim total, rezultat fantastik – Kosova e pandalshme

Kosova ka realizuar fitore të thellë prej 3:0 ngaj Qipros në Ligën C të Kombeve. Serinë e golave e hapi kapiteni Amir Rrahmani me një...

Dragashi miraton rekomandimet për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Kuvendi i Komunës së Dragashit, nën udhëheqjen e kryesueses Arijeta Skeraj, mbajti sot mbledhjen e parë të jashtëzakonshme për vitin 2024, e cila shënon...

Lajmet e Fundit